Manchester United ka marrë fitoren e parë në grupin e Europa League. ‘Djajtë’ që kanë bërë një merkato me shifra stratosferika kanë mposhtur 0-2 Sherif Tiraspol në Moldavi, falë Jadon Sancho-s dhe më pas Cristiano Ronaldo-s, i cili u rikthye titullarë. Ky tre pikësh vjen pas disfatës që United pësoi një javë më parë kundër Sociedad, ndërsa këta të fundit fituan mbrëmjen e së enjtes 2-1 kundër Omonios.
Rezultati më befasues ishte ai në Danimarkë mes Midtjylland dhe Lazio-s, me italianët që u shkatërruan 5-1. Një humbje e papritur që i barazon të katër skudrat në grup me 3 pikë. Kjo pasi Feyenoord ‘bombardoi’ 6-0 Sturm Graz.
Roma e Jose Mourinhos ndërkohë mori tre pikët e para në Europa League. Në kryeqytetin italian verdhekuqtë fituan 3-0 kundër HJK-së së Finlandës. Portën e tundi fillimisht Dybala, më pas Pellegrini dhe në fund Belloti. Për t’u treguar edhe fakti që miqtë mbetën me 10 lojtarë që në minutën e 14. Vendin e parë në këtë grup e mban Betis që mposhti 3-2 Ludogorets.