TIRANË, 20 Gusht / ATSH / - Një ndër çmimet më prestigjoze në fushën e trashëgimisë kulturore, është edhe ai "Europa Nostra", i cili do të prezantojë të gjithë fituesit gjatë ceremonisë së Çmimeve Evropiane të Trashëgimisë që do të zhvillohet në Madrid, Spanjë gjatë vitit 2016.
Me anën e një apeli publik në faqen e saj zyrtare në internet, Ministria e Kulturës i fton të gjithë të aplikojnë deri më 1 tetor 2015, duke sqaruar se ky çmim njeh dedikimin dhe profesionalizmin e arkitektëve, artizanëve, specialistëve të trashëgimisë kulturore, vullnetarëve, shkollave, komuniteteve lokale, zotëruesve të materialeve që lidhen me trashëgiminë kulturore dhe medias.
Çmimet "Europa Nostra" u jepen performancave dhe arritjeve më të mira në fushën e konservimit, kërkimit, shërbimeve të caktuara, trajnimeve dhe ngritjes së ndërgjegjësimit në publik.
Ndërkohë që gjatë vitit 2016 do të marrin çmime deri në 30 projekte, në kuadër të nismave mbi trashëgiminë kulturore. Deri në 7 do të jetë numri i projekteve që do të marrin çmimin e madh me një vlerë prej 10.000 Euro secili.
Një nga projektet do të jetë fituesi i shpallur nga zgjedhja e publikut që do të zhvillohet në një sondazh on-line nga Europa Nostra.
Për më shumë informacion, klikoni në faqen: www.europanostra.org/apply-for-an-award-2016/
/k.m//m.m/









