Kremlini ka deklaruar se Europa nuk po bën asnjë përpjekje për të kontaktuar me Moskën zyrtare, duke përmendur kancelarin gjerman, Friedrich Merz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Merz dhe Macron nuk janë përpjekur për ta telefonuar presidentin Vladimir Putin dhe sipas tij, kjo do të ishte e mjaftueshme për të rinisur një dialog.
Peskov shtoi se Putin nuk ka refuzuar të komunikojë.
"As Merz dhe as Macron nuk po bëjnë asnjë përpjekje. Nëse dëshironi dhe nëse është e nevojshme, thjesht mund të telefononi Presidentin Putin. Ai kurrë nuk ka refuzuar kontaktin e drejtpërdrejtë. Putin gjithmonë ka folur për një preferencë për kontakt edhe përballë mosmarrëveshjeve shumë serioze, pasi këto mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut", shtoi ai.
Dy ditë më parë, presidenti francez, Emmanuel Macron tha se dëshiron të përfshijë partnerët europianë për një rifillim të dialogut me presidentin rus, Vladimir Putin.
Macron dërgoi një këshilltar të lartë në Moskë javën e kaluar, në takimin e parë të tillë që kur Rusia nisi agresionin ushtarak ndaj Ukrainës në shkurt 2022.
Ndërsa kancelari gjerman, Friedrich Merz ka thënë se Europa duhet të koordinohet përpara se të vendosë komunikim të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Javën e kaluar, Kievi dhe Moska përmbyllën dy ditë bisedimesh të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Abu Dabi. Megjithatë, nuk pati përparime të mëdha, përveçse arritjes së dakordësisë për të shkëmbyer 314 të burgosur.
Negociatorët ukrainas dhe rusë pritet të takohen për një raund të ri bisedimesh javën e ardhshme.
Komente










