Në letër theksohet se marrëveshja midis Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste është një hap shumë i mirëpritur. Sipas tyre tani duhen masa politike largpamëse. Kukan dhe Swoboda kanë bërë thirrje që vendi të përqendrohet në prioritetet e tij.
Në letrën dërguar Berishës dhe Ramës thuhet:
“Marrëveshja e fundit midis palëve tuaja për të rifilluar punën tuaj të rregullt parlamentare është një hap i shumëpritur drejt normalizimit të klimës politike në Shqipëri. Fillimi i punës së përbashkët për reformën zgjedhore dhe rishikimi i rregullave të procedurave të Parlamentit, si dhe ndërmarrja për të votuar ligjet që kërkojnë "shumicë të cilësuar" janë një hap i rëndësishëm përpara.
Ky është një zhvillim inkurajues për procesin e integrimit evropian të vendit. Ne i mirëpresim këto zhvillime sepse ato sinjalizojnë gatishmërinë për të kaluar në një epokë të re bashkëpunimi. Kjo përcakton bazat drejt normalizimit të jetës politike dhe adresimit të shqetësimeve të qytetarëve shqiptarë.
Ne i konsiderojmë këto marrëveshje, të konfirmuara nga Parlamenti, si një përgjigje politike për sfidat e mëdha përpara. Ky përparim nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të mirë për vendin dhe rajonin. Tani, momenti duhet shfrytëzuar për të ndërmarrë masa politike që të jenë largpamëse, vendimtare dhe konstruktive për të siguruar një perspektivë të qartë për qytetarët.
Shqipëria nuk duhet ta humbasë këtë mundësi. Prandaj, ne dëshirojmë t'ju inkurajojmë që të bashkoni forcat për përparimin e mëtejshëm të reformave lidhur me BE-në, në të njëjtën frymë pajtimi dhe pragmatizmi. Nëpërmjet konsolidimit dhe zbatimit rigoroz të kësaj marrëveshje, të gjithë aktorët politikë do të përfitojnë në besueshmëri.
Më e rëndësishmja, vendi do të jetë në gjendje të përqendrohet në prioritetet e tij të shumta në lidhje me marrëdhëniet me BE-në. Ne jemi të kënaqur të shohim se ju keni njohur si një prioritet kombëtar zbatimin e dymbëdhjetë prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit të Evropian mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Si përfaqësues të zgjedhur të Parlamentit Evropian, ne gjithashtu shpresojmë se marrëveshja e javës së kaluar do të çojë në një funksionim më të mirë të Kuvendit të Shqipërisë. Një konsensus i gjerë për reformën zgjedhore do të jetë i dobishëm në sigurimin e funksionimit të duhur të procesit demokratik. Ne gjithashtu besojmë fuqishëm se ka një mundësi tani për zbatimin e reformave të rëndësishme në lidhje me sundimin e ligjit dhe të të drejtave të njeriut, veçanërisht për reformën e gjyqësorit, luftën me efikasitet kundër korrupsionit dhe krimi të organizuar, dhe për të siguruar trajtimin jo-diskriminues dhe të barabartë të të gjithë qytetarëve.
Në ndajmë besimi tonë të përbashkët që e ardhmja e Shqipërisë, si dhe ajo e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, është në Bashkimin Evropian. Ne jemi të gatshëm t'ju japim këshilla, mbështetje dhe ndihmë në arritjen e këtij qëllimi. Zhvillimet e reja në Shqipëri mund dhe shpresojmë se do të çojnë në krijmin e një platforme parlamentare për Evropën, që do të bashkojë të gjitha forcat politike në vend rreth qëllimit të përbashkët të integrimit në BE.
Ne do të kemi një rast të parë për të shkëmbyer mendime me homologët tanë shqiptarë gjatë takimit të ardhshëm të Komitetit Parlamentar të Stabilizim dhe Asociimi në Tiranë më 9 dhjetor. Ne kemi besim se ky rast do të shënojë një fazë të re në marrëdhëniet tona”.