Tradhti e lartë ndaj Atdheut është kur përfaqësuesit e një populli nuk përfaqësojnë dhe nuk mbrojnë më interesat e këtij populli që i ka mandatuar për të bërë këtë gjë, por pabesisht e tradhtojnë dhe mbrojnë interesat e tyre të vogla dhe të liga.

Populli i jep pushtetin e tij klasës politike që ta udheheqë dhe të këshillohet me të për cdo gjë, kur kjo nuk ndodh dhe besimi thyhet kjo klasë politike duhet të rresht së ekzistuari.

Populli është një djep, plot fëmijë të tjerë të denjë për ta bërë këtë gjë, në shekuj ka qenë i tillë.

Reforma në Drejtësi dhe Reforma Zgjedhore kurrsesi s'mund të gjenin zbatim dhe nuk mund të funksiononin në një Shqipëri me këtë klasë politike në pushtet.

Të dyja u konceptuan në një mënyrë të tillë, që përherë të ishin gjysmake dhe peng i kësaj klase politike të kalbëzuar nga e liga.

Dështimi i këtyre dy Reformave Ju garanton këtyre qenieve jo politike (pasi politika në konceptin e saj të ndershëm është tjetër gjë), imunitet “ligjor” dhe imunitet “politik” të vazhdueshëm.

Reformën në Drejtësi e konceptuan në mënyrën më djallëzore dhe kriminale të mundshme, Gjyqtarët dhe Prokurorët super të korruptuar, pavarësisht se mund të shkarkoheshin, nuk do ju hynte asnjë gjëmbë në këmbë, as nuk do ju konfiskohej prona dhe aq më pak të arrestoheshin ose procedoheshin për krimet kundër njerëzimit që kishin kryer në vite e vite me rradhë, duke torturuar dhe poshtëruar një popull të tërë me vendimet e tyre të korruptuara deri në palcë.

Përkundrazi këta Gjyqtarë dhe Prokurorë të shkarkuar, super miliarderë, ripërsëris miliarderë, tashmë kanë bashkuar financat, fuqitë dhe intrigat dhe bashkë më segmentë po kriminalë të politikës po godasin egërsisht Reformën në Drejtësi, askush nuk ndjehet dhe askush nuk i plas në burg këta kriminelë të pandëshkuar. Reforma në Drejtësi tashmë në rast se nuk ka një kundërpërgjigje të egër ndëshkuese, të vetmen gjë të sigurtë do të ketë dështimin dhe kaosin total të vlerave por edhe të shtetit.

Reforma Zgjedhore, ndërkohë është një tjetër tregues i kalbëzimit ekstrem dhe pa kthim mbrapa i kësaj klase politike. Ata janë shkëputur në atë stad nga populli qe do të duhej të përfaqësonin sa tashmë nga pema e lartë ku kanë hypur ju duket vetëm prapanica e lakuriqtë.

Tashmë ata mendojnë që janë aq të domosdoshëm dhe aq të zgjut, sa shqiptarët nuk bëjnë dot pa ta, lodrat e tyre djallëzore vërtiten vetëm në ujin dhe pazaret e tyre të shëmtuara me tematikë “mi vodhe apo s’mi vodhe votat”, ndërkohë nuk duan të kuptojnë që shqiptarët tani e njohin mekanizimin që gjeneron këto vota i cili është totalisht i mbrapshtë dhe i ligë dhe tërësisht antishqiptar, me vepra dhe jo me fjalë.

3 kolonat bazë që janë, ndryshimi i detajuar i sistemit, ligji per referendumet dhe ligji për partitë politike ata as nuk i llogarisin ti kenë prioritare, dhe ndoshta këtu nuk shtiren, ndaj dhe ne nuk duhet të zhgënjehemi, kush është ai kandidat për tu varur që i heq stolin vetes ?! 

Impenjimi i tyre gjoja për përcaktimin e kutotave gjinore, është poshtërues për cdo femër shqiptare. Një grusht burrecash që injorojnë faktin që fiks gjysma e popullsisë përbëhet nga gratë, marrin guximin dhe caktojnë kuota gjinore si një lëmoshë zengjinësh që me neveri shohin lypsin e trotuarit, kujtojnë se janë superior ndaj grave, superior në shekuj. Personalisht jam absolutisht kundër cdo kuote, le ti dalë tymi dhe flaka maskilizmit cinik të politikanëve shqiptarë. Le mos shkoj asnjë kukull Barbi në Parlamentin e tyre të Listave të mbyllura dhe pazareve të hapura, le të shqyhen dhe përlyhen me njëri tjetrin pa patur nevojë për grat të tipit “jastëk zbukurimi” që me prezencën e tyre dëmtojnë mbarë cështjen e gruas në Shqipëri. 

Reforma Zgjedhore, as nuk u depolitizua, dhe as nuk shkoi drejt shqiptarve, ajo në Drejtësi po ashtu.

Kjo pasi sic thotë ajo shprehja “Eva dhe Adami vdiq, Gjarpri JO”.

Ndoshta më mirë kështu, më mirë që kjo klasë politike në paketë po cakit fundin, më mirë sidomos për ne, për ne shqiptarët, që nuk jemi ata.. dhe ata nuk janë ne.

Shqipëria e ka djepin plot, përherë e ka patur…