Sot, ish-drejtoresha e SHISH ndodhet në "arrest shtëpie", e akuzuar nga SPAK për nxjerrje të sekretit shtetëror dhe përkrahje të autorit të krimit. Pra, njeriu numër një i inteligjencës akuzohet se dekonspiron informacionin që është betuar të mbrojë dhe se përkrah kriminelët që duhet të zbulojë.
Në këtë periudhë, SHISH u kthye nga një mburojë e heshtur e Republikës, në një instrument të cenueshëm nga interesat e zymta informale.
Emërimi i një individi të shkarkuar më parë nga inteligjenca në Prishtinë dhe katapultimi i saj në majë të inteligjencës në Tiranë, pa kaluar filtrat e ashpër të vettingut, tregoi se si elitat tona politike i përdorin shërbimet si shpërblim besnikërie.
Kështu u instalua "lidershipi i helmatisur", një model ku besnikëria ndaj pushtetit zëvendësoi atë ndaj ligjit. Një model ku interesi kombëtar u shndërrua në mall shkëmbimi favoresh, në pazarin e interesave të errëta personale.
Ligji organik e vendos SHISH-in në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit.
Por deklarata e tij e fundit, se ai nuk i lexon raportet por ia lë Shefes së Kabinetit, është një pranim i rrezikshëm i nënkontraktimit të sigurisë kombëtare. Të mburresh që nuk mban timonin e inteligjencës, është si një pilot që i thotë pasagjerëve: "Mos u shqetësoni që ramë, unë nuk e kisha prekur timonin fare, ia kisha lënë stjuardesës."
Të përpiqesh ta shesësh këtë si triumf të Reformës në Drejtësi është njëlloj sikur drejtori i bankës të mburret që policia arrestoi arkëtaren që po vidhte kasafortën, ndërkohë që ishte vetë drejtori që e punësoi atë pa e verifikuar. Është sukses i drejtësisë që po heton dekonspirimin, por është dështim kolosal i ekzekutivit që i dha çelësat e sekreteve shtetërore një individi të pafiltruar.
Drejtësia dënon individin, por nuk kthen dot mbrapsht sekretet e komprometuara dhe as besimin e partnerëve tanë në NATO.
Shkarkimi i saj është thjesht higjienë rutinore, jo zgjidhje. Mënyra se si ekzekutivi po tenton të menaxhojë këtë vakum është po aq e rrezikshme. Zgjidhja përmes urdhrit delegues kryeministror nuk është thjesht manovër administrative për ngërçin e radhës, por një anashkalim i Presidentit (Neni 92/f i Kushtetutës).
Nëse inteligjenca kthehet në vegël qorre të pushtetit, shteti humbet busullën. Kjo ngjarje provon dramatikisht se teknologjia dhe pushteti vlejnë zero pa institucione të forta dhe individë me integritet. Fuqia e pakontrolluar është rreziku ynë më i madh.










Komente
Komento