TIRANË- Në moshën 36-vjeçare, Klodiana Spahiu u bë deputete për herë të parë. Prej vitit 2009, ajo qëndroi në karrigen e ligjvënësve deri më sot, ku gjithashtu është nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë.
17 vite më pas, në moshën 53-vjeçare, Klodiana Spahiu merr postin më të lartë gjatë karrierës së saj politike; ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, me propozim të kryeministrit Edi Rama.
Lëvizja vjen pas dorëheqjes së Evis Salës, (më 2 shtator) ministres më jetëshkurtër të shëndetësisë të 4 mandateve të qeverisë Rama nga 2013-a, pa mbushur vitin në detyrë.
Klodiana Spahiu ka përfunduar studimet për mjekësi dhe ka mbajtur veshur bluzën e bardhë në klinikën e parë të kardiologjisë në QSUT. Ka punuar mjeke kardiologe në spitalin e Durrësit për 6 vite, spital që për pak muaj edhe e drejtoi.
Gjatë viteve të aktivitetit parlamentar, Klodiana Spahiu ka qenë pjesë e disa komisioneve dhe nënkomisioneve parlamentare, si dhe ka drejtuar apo qenë anëtare e grupeve të miqësisë.
Spahiu, ka një përvojë edhe në fushën e pedagogjisë. Ajo mban titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore"
Evis Sala, e ardhur nga një karrierë e gjatë shkencore dhe mjekësore ndërkombëtare, njoftoi dorëheqjen e saj të mërkurën gjatë mbledhjes së qeverisë në kryeministri, ku tha se synon të vijojë me projektet e saj akademike.
Në një deklaratë publike më pas, ndau edhe mirënjohjen për kryeministrin për besimin që mori në drejtimin e një institucioni me sfida të mëdha, siç ajo theksoi
“Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një detyrë apo me një institucion.”, u shpreh Sala.
Evis Sala pasoi në Ministrinë e Shëndetësisë, Albana Koçiun, sot zv/kryeministre, ndërsa nga 2013, këtë dikaster e kanë drejtuar edhe Ilir Beqaj dhe Ogerta Manastirliu.
Për të kaluar në karrigen e ministres, Klodiana Spahiu do të duhet të presë dekretin e emërimit nga presidenti Bajram Begaj, i cili del brenda 7 ditëve nga propozimi i kryeministrit. Spahiu do të marrë zyrtarisht detyrën pasi dekreti të votohet në Kuvend, e më tej të betohet para kreut të shtetit.










Komente
Komento