9 ditë para se të mbushte një vit në detyrë, Evis Sala, Ministrja e Shëndetësisë me një karrierë të gjatë në mjekësi, dha dorëheqjen. Report tv mësoi se Sala e njoftoi largimin e saj gjatë mbledhjes së qeverisë që u mbajt këtë të mërkurë, me argumentin se do t’i duhet të vazhdojë karrierën e saj shkencore.

Disa orë më pas, lajmin e konfirmoi po vetë ministrja përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale.

"Për mua, ky vit ka qenë një privilegj, një përgjegjësi e jashtëzakonshme dhe një mundësi për t’i kthyer Shqipërisë një pjesë të asaj që kam mësuar gjatë një karriere shkencore dhe mjekësore ndërkombëtare prej më shumë se 30 vitesh.Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një detyrë apo me një institucion.", tha Sala.

Në videon e saj përshëndetëse që niste me një rezyme të punëve të bëra gjatë këtij viti në krye të shëndetësisë,  nuk munguan falënderimet për kryeministrin Rama.

“Sot, në përfundim të këtij viti intensiv pune, i jam veçanërisht mirënjohëse Kryeministrit Edi Rama për besimin që më dha për të marrë këtë përgjegjësi dhe për mbështetjen që më ka dhënë çdo ditë në drejtimin e një institucioni me sfida të mëdha. E vlerësoj veçanërisht mundësinë që pata për të sjellë në shërbimin publik shqiptar eksperiencën dhe standardet profesionale të fituara gjatë shumë viteve të punës sime ndërkombëtare", u shpreh Sala.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale falënderoi Evis Salën për punën e saj në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, duke theksuar se ajo punoi me me përkushtim e profesionalizëm, për programin e ri të reformave të Qeverisë.

"Një falënderim i përzemërt për Profesore Evis Salën, e cila me përkushtimin dhe profesionalizëm dhe kontributin e saj në qeverinë tonë si ministre e shëndetësisë për programin e ri të reformave, ndërkohë që do të vazhdojë të jetë një ndihmë e çmuar paralelisht me angazhimin e mëtejshëm ndërkombëtar", shkroi mes të tjerash Rama në rrjetet sociale.

Ministrja e mori detyrën më 11 shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri prezantoi qeverinë "Rama 4" duke marrë stafetën nga Albana Koçiu. Asokohe, në prezantimin e saj, Sala u shpreh se objektivi kryesor ishte zgjidhja e rimbursimit të barnave onkologjike. Ndër pikat e tjera që ajo cilësoi si më të rëndësishme kur mori detyrën ishte reformimi i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe shërbimi primar pa nevojën që qytetari të paraqitet në spital.

Prej 30 vitesh, Sala ka shërbyer në shtete të ndryshme të botës në fushën e mjekësisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:34
Paketa e Maleve/ Qeveria zgjeron zonat me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në Shijak

1787767589_kryeministria.jpg

Këshilli i Ministrave ka miratuar ndryshime dhe shtesa në vendimin për shpalljen e disa zonave me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Shijak, në kuadër të ligjit “Për Paketën e Maleve”.

Me vendimin e ri shtohen 11 zona të reja në njësitë administrative Gjepalaj, Maminas dhe Xhafzotaj, me një sipërfaqe totale prej 428 hektarësh.

Ndër zonat e reja, sipërfaqen më të madhe e ka zona në fshatin Likesh, me 101 hektarë, ndërsa zona me sipërfaqen më të vogël është ajo në Vlashaj, me 6 hektarë.

Në vendim përcaktohet gjithashtu se hartat treguese për zonat e reja, sipas sistemit KRGJSH, do t’i bashkëlidhen vendimit ekzistues dhe do të jenë pjesë përbërëse e tij.

Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Shijak. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Zonat e përfshira:

Zona nr.18 – fshati Eminas i Vogël, njësia administrative Gjepalaj – 46 ha.

Zona nr.21 – fshati Likesh, njësia administrative Gjepalaj – 101 ha.

Zona nr.22 – fshati Hardhishtë, njësia administrative Gjepalaj – 19 ha.

Zona nr.23 – fshati Eminas i Vogël, njësia administrative Gjepalaj – 37 ha.

Zona nr.24 – fshati Likesh, njësia administrative Gjepalaj – 17 ha.

Zona nr.25 – fshati Shetël, njësia administrative Gjepalaj – 53 ha.

Zona nr.26 – fshati Metallë, njësia administrative Maminas – 29 ha.

Zona nr.27 – fshati Vlashaj, njësia administrative Maminas – 6 ha.

Zona nr.28 – fshati Bodinak, njësia administrative Maminas – 83 ha.

Zona nr.29 – fshati Karreç, njësia administrative Maminas – 10 ha.

Zona nr.30 – fshati Rreth, njësia administrative Xhafzotaj – 52 ha.

Zona nr.31 – fshati Pjezë, njësia administrative Xhafzotaj – 20 ha.

Ora 21:05
Ndërtimet pa leje/ Qeveria miraton ndryshimet në ligj, një pjesë e objekteve të konfiskuara do të përdoren për strehim social! Si do mbrohen blerësit me kontrata porosie

1788376020_druopp.JPG

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme ka miratuar propozimin për ndryshime dhe shtesa në ligjin për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje.

Ndryshimet pritet të sjellin një model të ri në administrimin e këtyre objekteve. Ato synojnë thjeshtimin e procedurave administrative për përfundimin e ndërtimeve të lëna përgjysmë, mbrojtjen e personave të tretë që kanë porositur njësi banimi, si dhe përdorimin e sipërfaqeve të konfiskuara për strehim social apo interes publik.

Sipas draftit të ri, Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara merr një rol qendror operativ, duke vepruar si përfaqësuese e pronarit shtet pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.

Për të mbështetur financiarisht këtë proces, krijohet një “fond i veçantë i dedikuar për ndërtimet pa leje”. Fondi, i cili do të mbledhë të ardhura nga shitja ose dhënia me qira e objekteve të konfiskuara, do të përdoret për përfundimin e punimeve te objektet pa leje të konfiskuara.

Projektligji parashikon gjithashtu mbrojtje të drejtëpërdrejtë për qytetarët të cilët kanë blerë apo porositur njësi banimi e biznesi përpara së të konstatohej shkelja ligjore nga ndërtuesi. Për kontratat e rregullta noteriale, të regjistruara në Kadastër, drafti përcakton vijimin e pricedurave të legalizimit të këtyre objekteve. Kjo do të kërkohet zyrtarisht në Kadastër nga AAPSK.

Sa i përket marrëdhënieve financiare, agjencia ka të drejtë të zhdëmtojë palët e treta me mirëkuptim, ndërsa për ndërtuesit që kanë tejkaluar lejen e ndërtimit me mbi 10%, projektligji parashikon masa strikte deri në bllokimin e llogarive bankare apo të aseteve.

Drafti përcakton gjithashtu se pronarët e truallit do të kenë të drejtë të përfitojnë njësitë që u takojnë sipas kontratave të mëparshme me zhvilluesin, pasi objekti të përfundojë dhe të regjistrohet si ndërtim i ri.

Projektligji rregullon gjithashtu procedurat e shitjes së pasurive të konfiskuara, duke vendosur një dysheme të patundshme financiare. Në asnjë rast nuk lejohet shitja me një cmim më të ulët se vlera fillestare e ankandit public, ndërsa përjashtohen si blerës ndërtuesit e objekteve të konfiskuara, mbikëqyrësit apo kolauduesit.

Legalizimi i banesave të porositësve dhe mbrojtja e palëve të treta

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar qytetarëve që kanë blerë apo porositur njësi banimi e biznesi përpara se të konstatohej shkelja ligjore nga ndërtuesit. Projektligji parashikon mbrojtje të drejtpërdrejtë për kontratat e rregullta noteriale të regjistruara në Kadastër.

Për më tepër, drafti përcakton se “për objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, për të cilat gjatë vlerësimit nga grupi i punës konstatohet se janë përfunduar punimet e ndërtimit në strukturë dhe posedohen/përdoren nga palët e treta/porositës/përfitues të njësive individuale me kontratë të hartuar përpara noterit me investitorin/subjektin zhvillues, legalizohen dhe regjistrohen sipas ligjit nr. 20/2020”.

Në këto raste, AAPSK do t’i kërkojë zyrtarisht Kadastrës vijimin e procedurave të legalizimit.

Në mbledhjen e sotme qeveria ka miratuar ndryshimet në ligjin për administrimin e objekteve të konfiskuara.

Ndryshimet e miratuara pritet të sjellin një model të ri, të integruara për administrimin e objekteve të konfiskuara, duku synuar t’i jepet zgjidhje problematikave që nga përfundimi i punimeve të lëna përgjysmë, njohjen e të drejtave për pagesat e kryera nga blerësit me kontrata porosie dhe kontratat e pronave të truallit të kryera para konfiskimit të objektit.

Drafti “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.66/2023, “për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale të shkaktuara”.

Fillimisht parashikon krijimin e një “fondi të veçantë/të dedikuar për ndërtimet pa leje”. Fondi do të përdoret për përfundimin e punimeve te objektet pa leje të konfiskuara.

“Fond i veçantë/ i dedikuar për ndërtimet pa leje” janë burime financiare, të cilat destinohen për veprimtarinë/zhvillimin e objekteve pa leje, që janë konfiskuar dhe i kanë kaluar në administrim AAPSK-së, sipas përcaktimeve në këtë ligj.””, theksohet në projektligj.

Objektet e konfiskuara me vendim gjykate administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK).

Të drejtat për pronarët e truallit dhe blerësit me kontrata porosie

Një pjesë e rëndësishme e ndryshimeve lidhet me konstatimin e detyrimeve për blerësit me kontratat porosie dhe kontratat me pronarët e truallit. Për këta individë që kanë kryer pagesa ndaj zhvilluesit, drafti përcakton konstatimin e tyre në rastet e kontratave noteriale të regjistruara në ASHK dhe kryerjen e pagesave me bankë, përpara konfiskimit të objektit.

Drafti përcakton gjithashtu se pronarët e truallit do të kenë të drejtë të përfitojnë njësitë që u takojnë sipas kontratave të mëparshme me zhvilluesin, pasi objekti të përfundojë dhe të regjistrohet si ndërtim i ri.

Ora 20:19
Nga mjedisi te administrimi i objekteve të konfiskuara dhe kriteret për medaljen e shërbimit të Rendit Publik, vendimet e miratuara në mbledhjen e Qeverisë

Këshilli i Ministrave u mblodh sot dhe miratoi disa vendime dhe projektligje që prekin mbrojtjen e mjedisit, rindërtimin, zhvillimin e ekonomisë malore dhe administrimin e objekteve të konfiskuara.

Në mbledhje u miratua lista e veprimtarive që konsiderohen të rrezikshme për mjedisin, si dhe kriteret për vlerësimin e kërcënimit të mundshëm dhe përcaktimin e dëmit mjedisor.

Qeveria miratoi gjithashtu ndryshime në vendimin për zonat me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Shijak.

Ndryshime u bënë edhe në fondin e rindërtimit për financimin e rikonstruksionit të banesave në Tiranë, Durrës, Shijak, Lezhë dhe Krujë.

Në të njëjtën mbledhje u përcaktuan kriteret për dhënien e medaljes së Shërbimit të Rendit Publik.

Ndërkohë, u miratuan projektligjet për marrëveshjet për shmangien e tatimit të dyfishtë me Lituaninë dhe Gjermaninë, si dhe ndryshime në ligjin për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik ose strehim social.

Ora 16:35
Dorëheqja e Evis Salës si ministre e Shëndetësisë, reagon Rama: Dha kontributin e saj me përkushtim e profesionalizëm për programin e ri të reformave

1788359859_ediramaevissala.JPG

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas dorëheqjen së Evis Salës nga posti i ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shpërndarë një video të publikuar nga Evis Sala, kryeministri Rama ka falënderuar Salën për kontributin e saj në qeveri.

Rama ka theksuar se Sala shërbeu në Ministrinë e Shëndetësisë me përkushtim e profesionalizëm, për programin e ri të reformave.

Sipas kryeministrit, Rama do të vijojë të jetë një ndihmë e çmuar paralelisht me angazhimin e mëtejshëm ndërkombëtar.

Reagimi i Ramës:

FALEMINDERIT

Një falënderim i përzemërt për Profesore Evis Salën, e cila me përkushtimin dhe profesionalizëm dhe kontributin e saj në qeverinë tonë si ministre e shëndetësisë për programin e ri të reformave, ndërkohë që do të vazhdojë të jetë një ndihmë e çmuar paralelisht me angazhimin e mëtejshëm ndërkombëtar

Urime dhe vetëm mbarësi e dashur Evis

 

 

Ora 14:28
Evis Sala reagon pas dorëheqjes: Kam pranuar angazhime në fushën time të ekspertizës! Mirënjohje Ramës për besimin

 

Evis Sala ka reaguar publikisht në platformën X pas dorëheqjes duke u shprehur se sot ishte mbledhja e fundit për të si anëtare e kabinetit qeveritar. Ish-ministrja e Shëndetësisë shprehet se ka pranuar angazhime ndërkombëtare në onkolologji - inteligjencë artificiale – inovacion.

Më tej, ajo vijon me një falënderim për kryeministrin Rama të cilit i shpreh mirënjohjen, si edhe të gjithë profesionistët në shëndetësi. Sala shprehet se angazhimi i saj do të vijojë përtej postit dhe detyrës.

Reagimi në X:

Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkolologji - inteligjencë artificiale - inovacion.

Një vit më parë mora përsipër me përgjegjësi të madhe detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një fushë plot sfida e vështirësi. I jam mirënjohëse Kryeministrit Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe çdo mjeku, infermieri, profesionisti dhe punonjësi të sistemit të shëndetësisë e mirëqenies sociale që punoi çdo ditë për ta bërë sistemin më të mirë.

Një falenderim të veçantë për çdo qytetar shqiptar që më shkroi, sugjeroi apo kërkoi më shumë prej nesh. Në këtë vit kemi bërë hapa të rëndësishëm në shëndetësi. Shumë prej tyre janë të dukshëm sot, të tjerë sapo kanë nisur.

Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar. Sepse detyrat kanë një fillim dhe një fund. Por, përgjegjësia dhe lidhja me vendin tënd nuk kanë kufij!

 

Në deklaratën e saj në video, ministrja rendit edhe të gjitha detyrat e kryera gjatë qëndrimit të saj në këtë post, ku fokusi ishte shërbimi onkologjik, dixhitalizimi i të dhënave, rritja e pagave të stafit shëndetësor dhe zgjerimi i shërbimeve sociale.

Deklarata e plotë:

Një vit më parë, kur m’u besua drejtimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, për mua ishte e qartë se duhej të punonim njëkohësisht në dy drejtime: të zgjidhnim problemet e sotme dhe, në të njëjtën kohë, të ndërmerrnim reforma që ndryshojnë shëndetësinë për të nesërmen, me një parim të vetëm në qendër: shërbimi i duhur për çdo pacient.

Një nga tre prioritetet e mia kryesore ka qenë reforma në onkologji. Sot, një vit më pas, kjo reformë ka rezultate konkrete dhe të prekshme.

Për herë të parë kemi ngritur Institutin Kombëtar të Onkologjisë dhe po ndërtojmë Rrjetin Kombëtar Onkologjik. Partneriteti strategjik me Institutin Kombëtar të Tumoreve në Milano do të sjellë në Shqipëri modelet më të avancuara europiane të kujdesit onkologjik.

Kemi miratuar tashmë 38 protokolle të unifikuara të trajtimit. Kemi përmirësuar tre prej qendrave ditore të kemioterapisë me parimin: ta çojmë shërbimin pranë pacientit, sa herë që kjo është e mundur dhe e sigurt.

Gjatë këtij viti, garantimi i barnave antitumorale dhe përmirësimi i aksesit në terapitë moderne kanë qenë ndër sfidat tona më të rëndësishme. Në vitin 2026 kemi shtuar 26 milionë euro për barnat antitumorale, kemi futur 21 barna inovative dhe kemi zgjeruar me 23% barnat antitumorale për përdorim spitalor.

Por rezultati më i rëndësishëm nuk është ai që shkruhet në një raport. Është ai që shihet te pacienti. 17% më shumë pacient me kancer janë trajtuar nga ky zgjerim.

Pjesë e reformës në onkologji ka qenë edhe forcimi i radioterapisë dhe i imazherisë. Falë punës dhe përkushtimit të ekipeve, u vu në funksion akseleratori i tretë me teknologji bashkëkohore dhe së shpejti do t’i bashkohet edhe akseleratori i katërt.

Por puna jonë nuk është ndalur tek onkologjia.

Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tashmë ofrohen trombektomia dhe DSA-ja, ndërsa së shpejti do të ngrihet edhe shërbimi i geriatrisë. Në Spitalin “Shefqet Ndroqi” sapo është ngritur laboratori i ri i hemodinamikës.

Kemi ulur ndjeshëm kohën e pritjes për ekzaminime diagnostikuese të avancuara, si skaner dhe rezonancë.

Në të njëjtën kohë, kemi nisur kalimin drejt spitaleve “paperless”, ku informacioni ndjek pacientin dhe jo pacienti letrat. Po krijojmë kushtet për një ekosistem shëndetësor të ndërlidhur, ku informacioni klinik dhe imazherik të jetë i aksesueshëm në mënyrë të sigurt dhe në kohë reale duke u mbështetur në  Inteligjencën Artificiale.

Por një sistem i mirë shëndetësor nuk fillon në spital. Ai fillon shumë më herët: te parandalimi, te një kontroll që bëhet në kohë, te një diagnozë që vendoset më herët.

Prandaj kemi:

-hequr tavanin moshor për Check-up-in

-kemi dyfishuar përfituesit e programeve të depistimit të kancerit të gjirit dhe të qafës së mitrës;

-si dhe kemi zgjeruar vaksinimin kundër HPV-së.

Dhe, mbi të gjitha, kemi investuar te njerëzit e sistemit. Në janar rritëm pagat për rreth 20 mijë mjekë dhe infermierë.

Por përtej pagave, kemi punuar çdo ditë për të mbështetur dhe fuqizuar angazhimin e diasporës shqiptare në shëndetësi. Sot kemi rezultate konkrete: nga kontributi i profesionistëve të diasporës në reformën e onkologjisë, deri te mjekët që janë angazhuar drejtpërdrejt në sistemin spitalor në vend.

Sepse Shqipëria ka një kapital të jashtëzakonshëm njerëzor edhe jashtë kufijve të saj dhe duhet të krijojë gjithmonë ura që këtë dije, eksperiencë dhe profesionalizëm ta lidhin me vendin.

Dhe kujdesi për njerëzit nuk përfundon te shërbimi shëndetësor.

Nga 1 korriku kemi dyfishuar pagesat për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe kemi njohur kontributet shoqërore për kujdestarët e tyre. Kemi zgjeruar shërbimet sociale në bashki dhe qarqe dhe kemi forcuar mbështetjen për të moshuarit, fëmijët dhe familjet në nevojë.

Të gjitha këto rezultate, pavarësisht angazhimit tim si ministre dhe si mjeke, nuk do të ishin të mundura pa kontributin e çdo hallke të sistemit: të mjekëve dhe infermierëve, profesionistëve të kujdesit parësor, spitaleve, shëndetit publik, administratës, mirëqenies dhe përfshirjes sociale.

Secilit prej tyre i jam thellësisht mirënjohëse.

Sot, në përfundim të këtij viti intensiv pune, i jam veçanërisht mirënjohëse Kryeministrit Edi Rama për besimin që më dha për të marrë këtë përgjegjësi dhe për mbështetjen që më ka dhënë çdo ditë në drejtimin e një institucioni me sfida të mëdha. E vlerësoj veçanërisht mundësinë që pata për të sjellë në shërbimin publik shqiptar eksperiencën dhe standardet profesionale të fituara gjatë shumë viteve të punës sime ndërkombëtare.

I jam mirënjohëse gjithashtu çdo qytetari që gjatë këtij viti më ka shkruar, më ka kontaktuar, më ka kritikuar apo më ka propozuar një mënyrë për të përmirësuar një shërbim, një standard apo një proces. Shërbimi publik ka kuptim vetëm kur dëgjon njerëzit për të cilët punon.

Për mua, ky vit ka qenë një privilegj, një përgjegjësi e jashtëzakonshme dhe një mundësi për t’i kthyer Shqipërisë një pjesë të asaj që kam mësuar gjatë një karriere shkencore dhe mjekësore ndërkombëtare prej më shumë se 30 vitesh.

Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një detyrë apo me një institucion.

Ai ka qenë dhe do të mbetet pjesë e punës sime si mjeke, akademike dhe profesioniste shqiptare në arenën ndërkombëtare. Do të vazhdoj të kontribuoj me dijen, eksperiencën dhe rrjetin tim profesional dhe ta përfaqësoj Shqipërinë me dinjitet kudo ku kam mundësinë të jap kontributin tim.

Sepse detyrat kanë një fillim dhe një fund.
Por, përgjegjësia dhe lidhja me vendin tënd nuk ka kufij!