TIRANË - Në ditën e fundit të Kampionatit Evropian të Mundjes i cili prej të hënës u zhvillua në Tiranë, Shqipëria ia ka dalë të sigurojë dy medalje argjendi. Pasi dje Islam Dudaev u mposht nga Bashir Magomedov në finalen e peshës deri në 65 kilogramë, edhe mundësi tjetër i Shqipërisë, Zelimkhan Abakarov, humbi këtë të diel kundër rusit Zavur Uguev, sfidë e cila vlente për peshën deri në 61 kilogramë për disiplinën e stilit të lirë.
Sfida e zhvilluar në Parkun Olimpik ‘Feti Borova’ në kryeqytet u dominua nga Zavur Uguev i cili fitoi 4-0. Abakarov nuk ishte në lartësinë për të sulmuar dhe për shkak të pasivitetit dy pikët e para i kaluan rivalit.
Edhe në raundin e dytë Zavur Uguev ishte më dominues duke bërë që të merrte edhe dy pikë të tjera për rezultatin final 4-0. Uguev garoi nën ombrellën e Federatës Botërore të Mundjes, për shkak se Rusia nuk është e mirëpritur në këto aktivitete pas sulmit mbi Ukrainë.
Këtu merr fund ëndrra e Shqipërisë për një medalje të artë në Evropianin e shtëpisë, ndërsa si Islam Dudaev dhe Zelimkhan Abakarov ia kanë dalë të sigurojnë medaljen e argjendtë për të qenë nënkampion, çka do të thotë se secili prej tyre do ketë një shpërblim prej 4 milionë lekësh të rinj nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Komente










