Nga ana tjetër, përgjegjës për edukimin dhe mbrojtjen e fëmijëve është shteti, i cili, si një prind i mirë, duhet të sigurojë një numër kushtesh që fëmija të ketë kujdesin që meriton për t’u rritur e zhvilluar personalitetin e tij si një qënie e lirë deri në moshën 18 vjeçare kur zyrtarisht hyn në botën e të rriturve.
Që prej vitit 1992, shteti shqiptar ka firmosur Konventën për të Drejtat e Fëmijëve, e cila parashikon një sërë detyrash për shtetet palë që fillojnë që nga arsimi, shëndetësia, informacioni, argëtimi, drejtësia dhe deri tek fëmijët me nevoja të veçanta si ata me aftësi të kufizuar, fëmijët e pakicave, të emigrantëve, etj. Konventa ka parashikuar mekanizma që të shikojë ku janë shtetet me detyrimet e tyre që fillojnë me fjalinë standart “ duke konsideruar interesin më të lartë të fëmijës” si psh raporte kombëtare para Kombeve të Bashkuara, raporte alternative nga shoqëria civile (i fundit është bërë në prill 2009 nga Aleanca e Fëmijëve që grupon mbi 150 organizata,) etj. Këto janë momente që kalojnë pa u ndjerë në diskutimin publik , pasi në këtë vend është e rrallë t’i referohesh dokumentave që kanë më shumë se dy faqe, por në lojë është e ardhmja jonë. Në një vend që karakterizohet nga moszbatimi i ligjeve ,shtetit i takon të parit të japë shembullin sesi i zbaton ato.
Tani është periudhë zgjedhjesh dhe është koha që fëmijët t’i lëmë jashtë politikës, por të sigurohemi që ata janë brenda politikave. Dhe të jesh brenda politikave nuk do të thotë të nxish ltera pa fund me emra të bukur si strategji, komitete, sekretariate, plane pune, dokumenta, raporte. Do të thotë në rradhë të parë të sigurosh financimet e nevojshme që ato që thua në letër të bëhen realitet. Dhe në raportin alternativ, mungesa e financimeve të nevojshme për garantimin e të drejtave të fëmijëve në nivel qendror dhe atë lokal, në mënyrë që asnjë fëmijë të mos vuajë për shkak të mungesës së një niveli minimal të pranueshëm jetese, është e para.
Ne kujtohemi për të drejtat e fëmijëve vetëm kur ato shkelen në mënyrë flagrante deri në humbjen e jetës dhe për fat të mirë ende prekemi nga historitë rrënqethëse që kanë protagonistë fëmijët. Nuk dua t’i rendis tani gjithë ato ngjarje që na kanë prishur gjakun kohët e fundit, por dua të ndalem në atë se çfarë ofrojnë organizatat politike që pretendojnë drejtimin e shtetit shqiptar për 4 vitet e ardhshme dhe si qëndrojnë ato në raport me detyrimet e Konventës.
Po e nis me më të parën të drejtë: të drejtën e jetës. Në Shqipëri kemi një dukuri të shëmtuar siç është ajo e gjakmarrjes, e cila detyron familje të ngujohen për të shmangur vrasjen prej hasmit. Nuk e gjej kurrkund një zgjidhje për këtë problem që kërcënon dukshëm jetën e atyre fëmijëve të cilët e çojnë jetën të mbyllur nëpër shtëpi, pa mundësi për shkollim, shërbime shëndetësore, lodra, etj.
Momenti i dytë është ai i mbrojtjes nga dhuna fizike dhe seksuale. Fëmijët keqtrajtohen ose janë pjesëmarrës në familje ku konsumohet dhunë dhe shteti duhet të bëjë më shumë për t’i mbrojtur fëmijët duke vepruar në interesin më të lartë të tij. Duke mësuar nga mangësite e mungesat e të shkuarës, duhet ndërtuar një program më i mirë mbrojtjeje që funksionon në nivel lokal e qendror. Një duzinë rekomandimesh nga ekspertë, prindër, aktivistë presin vetëm vullentin për t’u zbatuar.
“Gogoli” i tretë i madh që i kërcënohet fëmijëve është varfëria, që nuk vjen si qerosi gazmor në përralla, por si bajlozi që i merr të gjitha dhe të lë pa asgjë. Nuk janë të pakta rastet e publikuara në media me familje të mjera që lënë fëmijët të hanë bukë e misër.Konventa i njeh cdo fëmije të drejtën për një nivel jetese të mjaftueshëm për zhvillimin e fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe shoqëror. Përgjegjësinë kryesore e ka prindi, ndërsa shtetet marrin masat e duhura sipas kushteve kombëtare dhe mundësive të tyre për të ndihmuar prindërit dhe kujdestarët për ta vënë në jetë këtë të drejtë. Masa më kryesore këtu kuptohet është krijimi i mundësive për punësim, ndaj duket premtuese që të dyja koalicionet që garojnë për zgjedhjet e 23 qershorit i kanë vënë një theks të madh punësimit.
Punësimi është njëra anë e medaljes, tjetra është ndihma ekonomike dhe solidariteti njerëzor. Neni 27 i Konventës thotë se në rast nevoje shteti ndihmon prindërit për të siguruar përkrahje material dhe programe mbështetjeje sidomos lidhur me ushqimin, veshmbathjen dhe banimin. Në raportin alternative të Aleancës për fëmijët në 2009 thuhet se një fëmije i duhen mesatarisht 25 000 lekë në muaj, ndërsa ndihma më e madhe ekonomike që një familjar mund të marrë nuk i kalon 7000 lekë.
Megjithatë edhe me këto kushte, prindërit veprojnë gjithmonë në interes të fëmijëve. Mua nuk më harrohet rasti i një gruaje të dhunuar në Elbasan që si e tillë përfitonte 2600 lekë të reja në muaj ndihmë ekonomike dhe gjëja e parë që do bënte me to ishte pagesa e kopshtit për fëmijën, në mënyrë që të gjente një punë për vete. Sakrifica e prindit është kjo, po nuk mund të lihet vetëm në përmbushjen e detyrimeve të veta ndaj fëmijëve.
Nëpër programet elektorale flitet shumë edhe për arsimin dhe mirë bëhet, po është lënë jashtë sistemi parashkollor, sepse fokusi kryesor është tek nëntëvjecarja, e mesmja dhe universitetet. Harrohet se një sistem parashkollor i mirë do të jepte shumë përfitime për familjen: më shumë mundësi nënave për të punuar dhe për të shtuar të ardhurat e familjes. Studimet thonë se investimi në këtë moshë te fëmija është me rendimentin më të madh të kthimit të tij. Edukimi dhe arsimimi nuk fillon në moshën 6 vjeç, por nga mosha 1 vjeç e në vazhdim. Në Suedi, kam parë një kopësht shtetëror që kishte pagesën mujore sa një kopësht privat në Tiranë dhe kushtet e tij. Një kopësht me 80 fëmijë ishte i ndarë në 8 grupe dhe secili grup kishte 3 edukatore. 4 mjedise të veçanta përveç kuzhinës dhe fjetores për të luajtur dhe mësuar, që nga një dhomë ku mund të shfletojnë libra deri tek një model klase shkollore ku mund të luajnë shkollash. Fëmijët me nevoja të vecanta kishin pedagogë të vecantë. Bashkia është e detyruar që për 3 muaj të kthejë përgjigje kërkesave për çerdhe. 90 përqind e fëmijëve shkojnë në parashkollor dhe cilësia e mësimdhënies është e tillë që u mëson fëmijëve të bëjnë pyetje, të zhvillojnë aftësitë krijuese, të improvizojnë. Po këtu si jemi me kopshtet publike?
Flitet për zhvillimin ekonomik, punësimin, po pak flasin për mjedisin. Po rrisim “fëmijë betoni” që kanë frikë nga mizat. Janë shtuar alergjitë. Higjena e mjedisve të pakta publike lë për të dëshiruar. Një nënë e re, Alba Çela, u detyrua të bëjë një notë publike dhe t’i kërkojë ndihmë miqve gazetarë që të nxisë Bashkinë e Tiranës të pastrojë Pedonalen, i cili është ndër të vetmet mjedise në Tiranë ku mund të shëtisim pa frikën e makinave.
Po argëtimi? “Fëmijët e betonit” përkëdhelin tani play-station dhe iPad në vend të harabelave apo luleve. Fëmijët detyrohen të pinë kafe me mamin apo babin në lokale që kanë kënde për fëmijët dhe të thithin tymin e duhanit që s’e ndaluam dot me ligj. Po edhe këto janë të ndaluara për familjet me të ardhura modeste. Nuk kemi një mjedis ku prindërit të shkojnë dhe të rrinë me fëmijët e tyre. Ndërtesa me fasadën më të madhe prej xhami në qendër të Stokholmit është Kulturhuset ose shtëpia e kulturës, 4 kate me bibliotekë, kinema, sallëra lojërash librari, kafe, kati i katërt vetëm për fëmijët. Falas. E di që krahasimi nuk qëndron, po dua ta sjell si shembull të vendeve që kanë fëmijën dhe familjen në qendër të politikave të veta. Suedia shpenzon 10% të buxhetit në atë që i quan politikat e familjes.
Vera po afrohet dhe mua më zë frika të marr produkte ushqimore që njëherë thuhet janë të helmuara (aflatoksina, ju kujtohet?) një herë me hormone që favorizojnë tumoret, ose produkte higjeno- sanitare si shampot e detergjenët që të mos ishte për kërkimet e të huajve e lajmeve që publikohen në media, do vazhdojnë të tregtohen në tregjet tona. Kujt t’i besojmë? Shteti duhet të marrë përgjegjësi për sigurimin e cilësisë së ushqimeve dhe produkteve që konsumojmë, sidomos për fëmijët. Sigurimi i produkteve ushqimore te përshtatshme dhe ujit të pijshëm të pastër duke patur parasysh rreziqet e ndotjes së mjedisit natyror është detyrim që buron nga Konventa, neni 24.
Dikush mund të thotë që në morinë e problemeve që ka Shqipëria, fëmijët janë vetëm një pjesëz e tyre. Ose se çdo politikë zhvillimi sjell përfitime edhe për fëmijët. Po, por nuk është e mjaftueshme. Asgjë nuk është më e rëndësishme sesa fëmijët. Një sondazh i kohëve të fundit realizuar nga Fridrih Ebert thotë se 70% e të rinjve dëshirojnë të largohen nga Shqipëria. Është një e dhënë që duhet lexuar mirë dhe të shërbejë si këmbanë alarmi për ata që bëjnë politikat në këtë vend. Politikat që s’kanë fëmijët në qendër janë thjesht përpjekje për të qenë në pushtet , jo për të qeverisur, sepse nëse nuk ndërtojmë një të ardhme për fëmijët tanë, për kë e ndërtojmë atë?