TIRANË -  Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, me ceremoni të veçanta ka prezantuar sot paradite komandantët e rinj të Forcës Ajrore, të Brigadës së Mbështetjes Rajonale dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes.

Ky vendim pas shkarkimit të bujshëm të tre gjeneralëve me 3 dekrete të datës 21 maj, firmosur nga Presidenti Bujar Nishani, për lirimin nga detyra të Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade, Sandër Ndue Lleshi, komandantin e Forcës Ajrore, Gjeneral Brigade, Dhori Vangjel Spirollari dhe komandantin e Brigadës së Mbështetjes Rajonale, Gjeneral Brigade Abaz Liman Lleshi.
 
Siç shihet, dy prej emërimeve të reja zëvendësojnë pikërisht në detyrë gjeneralët e shkarkuar.

KOMANDANTI I FORCËS AJRORE, FREDERIK BELTOJA
Ceremonia e parë është zhvilluar në Komandën e Forcës Ajrore, ku gjeneralmajorGjunkshi prezantoi komandantin e ri të kësaj strukturë të rëndësishme të FA të Shqipërisë, gjeneral brigade Frederik Beltoja, i cili pak ditë më parë me dekret të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani i është dhënë grada gjeneral brigade.
 
Duke marrë fjalën në këtë ceremoni, gjeneralmajor Gjukshi, u shpreh: “Gjeneral brigade Beltoja vjen në këtë detyrë të re, pasi ka kryer me dinjitet detyrën zëvendëskomandant i Forcës Ajrore dhe me një eksperiencë të pasur pune në detyra të tjera të rëndësishme në FA. Unë besoj që gjeneral brigade, Frederik Beltoja me cilësitë që e karakterizojnë dhe me mbështetjen tuaj, do të çojë edhe më lart sukseset e Komandës së Forcave Ajrore”.

KOMANDANTI I BRIGADËS SË MBËSHTETJES RAJONALE, MUHAMET BUÇPAPA
Një atmosferë festive ka vijuar edhe në ambientet e Brigadës së Mbështetjes Rajonale, ku gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi ka prezantuar komandantin e ri të kësaj njësie ushtarake, gjeneral brigade Muhamet Buçpapa. “Besoj se gjeneral brigade Muhamet Buçpapa, me cilësitë dhe aftësitë që e karakterizojnë do të çojë edhe më lart historinë e suksesit të Brigadës së Mbështetjes Rajonale. Unë i uroj gjeneral Buçpapës suksese dhe e siguroj për mbështetjen e vazhdueshme të Shtabit të Përgjithshëm dhe Ministrisë së Mbrojtjes”, ka theksuar në fjalën e tij gjeneralmajor Gjunkshi.

DREJTORI I PËRGJITHSHËM I AGJENCISË SË INTELIGJENCËS SË MBROJTJES, YLBER DOGJANI
Ceremonia e zhvilluar në Agjencinë e Inteligjencës së Mbrojtjes ka shënuar mbylljen e prezantimeve të drejtuesve më të rinj të strukturave të FARSH. Këtu gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi ka prezantuar Drejtorin e Përgjithshëm, gjeneral brigade Ylber Dogjani. Gjatë prezantimit të tij, gjeneralmajor Gjunkshi ka vlersuar punën dhe përvojën e gjatë të gjeneral brigade Dogjani dhe ka shprehur besimin e tij se ai do të çojë më lart sukseset e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes në përputhje me kërkesat e standardet e NATO-s.
 
Të tre gjeneralët e rinj kanë siguruar shefin e Shtabit të Përgjitshëm të FA, gjeneralmajor Xhemal Gjukshin për një angazhim maksimal në kryerjen e detyrave të rëndësishme që ata kanë marrë dhe se strukturat dhe efektivat që ata do të drejtojnë  do të përmbushin me nder të gjitha detyrat që do t’i ngarkohen nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA-së.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)