Na shkruan Sali Dishani nga Kamza: “A bashkohen për pension vitet e punës në nëntokë me 6 vite që kam punuar në tunelet e ushtrisë në Qafë-Shtamë të Burrelit?”
Raste të kësaj natyre janë të shumta. Të gjithë minatorët e nëntokës nga data 01.01.2015 e në vazhdim, përfitojnë pension të plotë kur plotësojnë tre kushte: së pari, të kenë mbushur moshën 55 vjeç, së dyti, të kenë punuar gjithsej 30 vite pune në Shqipëri, të siguruara nga mosha 16 vjeç në çdo qendër pune dhe nga këto vite 12 vjet e 6 muaj të kenë punuar në minierë nën tokë. Vitet e punës nën tokë në sektorë të tjerë, siç është rasti i zotërisë, ose në tunelet e hidrocentraleve ose në tunelin e Rrugës së Kombit (Kalimash) ose në tunelin e Rrugës së Elbasanit ose në tunelet e hekurudhave, quhen si vite pune gjithsej për pension. Nuk quhen vite pune në nëntokë.
Jam ushtarak. Deri në moshën 55 vjeç kam qenë në punë. Dola në pension të parakohshëm sepse u shkurtua organika. Koha nga mosha 55 vjeç deri në 65 vjeç, hyn në vjetërsi për pension?
Është një ligj me nr. 10142, datë 15.05.2009 “Për pensionet suplementare të ushtarakëve”, ku thuhet: “Ushtarakët të cilët burrat kanë plotësuar moshën 47 vjeç dhe kanë punuar 15 vjet e lart ushtarakë efektivë, pa përfshirë vitet që ke qenë ushtar, kur dalin rezervë ose në lirim, jo kur largohen me dëshirë, marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, i cili paguhet deri në moshën 65 vjeç dhe kontributet paguhen nga Sigurimet Shoqërore”. Por gjithmonë vjetërsi pune gjithsej, jo si ushtarak. Si ushtarak quhet nga dita që ka marrë rrogën e parë, pavarësisht nga grada, deri ditën që e kanë nxjerrë në rezervë. Në moshën 65 vjeç do të marrë dy pensione, zotëri. Pensioni i parë është pension pleqërie si të gjithë shtetasit shqiptarë, që për këtë vit duhen 36 vjet e 4 muaj punë gjithsej, përfshirë edhe periudhën kur ju keni marrë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Pastaj, sipas nenit 16 të ligjit që citova më lart, do të marrësh 1% të pagës mesatare neto për çdo vit që ke qenë ushtarak. Të dy këta pensione mblidhen. Sqarime më të hollësishme mund të marrësh në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Tiranës, dhe nëse nuk bindesh për masën e pensionit të plotë të pleqërisë apo të pensionit suplementar, keni të drejtë t’i bëni ankesë me shkrim Komisionit të Ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore.
Jam naftëtar prej 40 vitesh. Aktualisht jam 62 vjeç. Në vendimin e qeverisë thuhet se kush përfiton statusin e naftëtarit, del në pension 60 vjeç. Dua të di, unë e përfitoj statusin e naftëtarit dhe nëse po, pagesa fillon nga koha që bëj dokumentet apo nga dita kur Presidenti e dekretoi vendimin, në mars të 2017-ës? Dokumentet e shkollës së mesme dhe të shkollës profesionale 2-vjeçare që kam bërë unë për profesionin e naftëtarit, a merren për bazë për masën e pensionit?
Është e vërtetë, në bazë të ligjit për statusin e naftëtarit që ka hyrë në fuqi në datën 1 shkurt të vitit 2017, kanë kaluar 13 muaj dhe jemi në muajin e 14-të. Burrat që kanë punuar në naftë marrin statusin e naftëtarit kur plotësojnë tre kushte: moshën 60 vjeç, që ju e keni plotësuar; duhet të keni gjithsej 30 vjet punë, përfshirë edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak, dhe nga këto 20 vjet në disa profesione të caktuara në ligjin e mësipërm, jo të gjithë ata që kanë punuar operatorë nafte, teknikë nafte, inxhinierë nafte, që kanë punuar në uzinat e përpunimit të naftës, në puset e naftës. Sqarime më të hollësishme do të marrësh në qendrën e punës ku ke punuar. Procedura është kjo: kopjen e librezës së punës do ta noterizosh dhe do t’ia dërgosh komisionit qendror pranë Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës. Komisioni qendror përbëhet nga 5 specialistë nga më të mirët. Atje do të studiohet libreza jote e punës dhe do të kthejnë përgjigje. E vërteta është që zbatimi i këtij statusi po vonohet. Deri tani, për 14 muaj, statusin e naftëtarit e kanë marrë 400 veta, më pak se 10%. Do ta ndjekësh ti këtë problem edhe pse mund të vonohet.
Në vitin 2012 jam aksidentuar në punë. Jam dëmtuar me copëtim të klavikulës, dëmtim të nervave dhe kam vënë protezë në krahun e majtë. Që nga viti 2012 faktikisht unë trajtohem nga KEMP-i, grupi IV. Jam hequr nga puna dhe jetoj me pagesën e KEMP-it. Por tani kërcënohem nga KEMP-i. Këtë vit mezi e mora sepse më thonë që nuk më takon. Përse nuk më takon?
Për të dalë në KEMP ndiqet kjo procedurë: fillimisht shtrohesh në spital dhe merret një fletë drejtimi nga mjekët që të kanë kuruar, që të kanë ekzaminuar. Kjo fletë dërgohet në KEMP-in e Elbasanit, KMCAP, mbështetur në propozimin e mjekëve të spitalit që të kanë hapur një dosje me të gjitha të dhënat, analizat e mjekimet që ke bërë. Kur një person përmirësohet nga gjendja shëndetësore, kthehet përsëri në punë. Por këtë e vlerësojnë mjekët. Unë uroj që të përmirësohesh sa më shpejt. Që të dalësh çdo vit në KEMP është në të mirën tuaj. Duke bashkëbiseduar me mjekët, duke të ekzaminuar dhe duke bërë krahasimet me ekzaminimet e mëparshme, shikohet ecuria e sëmundjes apo e dëmtimit. Nëse vitin e ardhshëm nuk e përfiton KEMP-in, nuk mbaron këtu. Brenda ditës do të bësh një ankesë me shkrim, duke kundërshtuar mjekët në qoftë se ti nuk e ndjen veten mirë e të aftë për punë. Është edhe KEMP-i Qendror në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, ku marrin pjesë mjekët më të mirë të spitaleve tona. Ndiqe këtë rrugë. Periudha që ti ke marrë pension të pjesshëm invaliditeti dhe pagesën në bashki të quhet vjetërsi pune për efekt pensioni, kur të dalësh në pension 65 vjeç.
Kam 1 muaj që kam dalë në pension, 65 vjeç. Me 20 vite punë në kaldajë, që ne kemi dalë 55 vjeç, më ka dalë pension 85.000 lekë të vjetra. Është e drejtë shuma?
Për të marrë pension të plotë sivjet, burra e gra, përveç moshës që ti e ke plotësuar, duhen edhe 36 vjet e 4 muaj punë. Me 20 vjet punë merret pension i pjesshëm. Nëse do të kishe bërë sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës, do të kishe marrë pension të plotë. Ti ke 20 vjet punë, duhen 36 vjet. Atëherë ti ke marrë 56% të pensionit të plotë. Është e vërtetë kjo që thoni ju, për kaldajistët deri në vitin 2013 ka qenë quajtur punë e kategorisë së dytë dhe dilnin në pension në moshën 55 vjeç. Nga viti 2013 e këtej quhet punë e kategorisë së tretë dhe për të dalë në pension të plotë duhet mosha 65 vjeç dhe 36 vjet e 4 muaj punë. Tani që ke dalë në pension ti nuk ke më të drejtë që të bësh sigurime vullnetare.
Kam rreth 13 vjet që marr pension të parakohshëm si ushtarak. Mirëpo një firmë private më ka siguruar pa më pyetur dhe mua më janë hequr nga pensioni rreth 65.000 lekë të vjetra në muaj. Firma thotë që nuk m’i kthen lekët. Ku duhet ta kërkoj këtë?
Ushtarakët të cilët dalin në rezervë ose në lirim pasi u shkurtohet vendi i punës, marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur janë në moshën 47 vjeç dhe kanë 15 vjet e më shumë punë të siguruar si ushtarakë. Nga korriku i vitit 2009 e këtej, ushtarakët që dalin në rezervë, pasi janë në moshë të re 47-65 vjeç, pasi pensioni i parakohshëm është i ulët, kanë të drejtë të punësohen në sektorin shtetëror ose në sektorin privat. Do të marrin edhe pensionin e parakohshëm për vjetërsi shërbimi, jo më pak 12.600 lekë të reja në muaj, edhe rrogën te privati, por privati është i detyruar të paguajë kontributin e sigurimeve shoqërore. Duhet të shkoni te Drejtoria e Tatimeve sepse ajo i kontrollon subjektet private, jo Sigurimet Shoqërore.
Jam 63 vjeç. Jam invalid dhe marr pension KEMP-i që prej 18 vjetësh. Në Bashki marr 32.000 lekë të vjetra në muaj. Edhe 2 vjet mbush moshën për pension. Kam edhe 35 vjet punë. A duhet të mbaj pensionin e KEMP-it apo pensionin e pleqërisë?
Sipas nenit 58 të Ligjit të Sigurimeve Shoqërore, periudha që invalidët marrin pension të pjesshëm ose pension të plotë invaliditeti, edhe shtesën në Bashki, quhet vjetërsi pune për efekt të pensionit të pleqërisë. Në nenin 62 të Ligjit të Sigurimeve Shoqërore thuhet: “Personit që i takojnë dy pensione, zgjedh atë pension që është më i favorshëm”. Pra Sigurimet Shoqërore, kur të plotësosh moshën 65 vjeç, në vitin 2020, për pension të plotë gjithsej, përfshirë edhe periudhën prej 18 vjetësh që ke marrë pension invaliditeti, kërkojnë 37 vjet punë. Dhe atje, në praninë tënde, do të llogarisin pensionin e pleqërisë dhe pensionin e invaliditetit. Ti do të zgjedhësh pastaj se cilin pension do të marrësh. Cilindo pension që të zgjedhësh, lekët që merr nga Bashkia, pra 32.000 lekët e vjetra në muaj, nuk të hiqen, por i shtohen pensionit që do të zgjedhësh ti për të marrë. Dhe barnat mjekësore të rimbursueshme, aq sa janë, do të vazhdosh t’i marrësh falas. Dhe e fundit, nuk do të dalësh më në KEMP çdo vit.
Jam pensionist. Përfitoj pension të plotë pleqërie. Kam bërë 10 vjet burg politik. Desha të di nëse, përveç pensionit të plotë të pleqërisë që unë marr, a më takon ndonjë bonus mbi këtë pension për vitet e burgut që kam bërë?
Bonusin e jep Ministria e Financave. Listat i bën Ministria e Drejtësisë. Sigurimet Shoqërore të llogarisin pensionin në këtë mënyrë: 1 vit burg politik, pavarësisht nëse ke punuar apo ku ke punuar, quhet 2 vjet punë për pension. Dhe kjo të është marrë parasysh kur ke dalë në pension pleqërie. Asnjëherë Sigurimet Shoqërore asnjë gjysmë leku nuk kanë dhënë shtesë për të burgosurit politikë. Ato i jep Ministria e Financave në bazë të ditëve që kanë kryer burg politik. Ti ke marrë një vërtetim nga Ministria e Brendshme, që je arrestuar në filan datë për motive politike dhe je liruar në filan datë. Numri i viteve dhe i muajve kthehet në ditë. Dhe listën e bën Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave. Sqarime më të hollësishme mund të marrësh në Ministrinë e Drejtësisë dhe jo te Sigurimet Shoqërore.
d.gj/ Shqiptarja.com












