'Këndi i Ekspertit'/ Fadil Kepi: Pensionet familjare, kush i përfiton dhe si llogariten

'Këndi i Ekspertit'/ Fadil Kepi: Pensionet familjare, kush i përfiton dhe si llogariten

Kendi i Ekspertit

Në emisionin e mirënjohur “Këndi i Ekspertit” në Report Tv, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, ka qenë i ftuar eksperti i problematikave të pensioneve, Prof. Dr. Fadil Kepi. Në puntatën e kësaj jave Profesor Kepi ka sqaruar qytetarët për çështjen e pensioneve familjare. Eksperti ynë ka sqaruar se çfarë janë pensionet familjare, dokumentet që duhen për ta përfituar dhe raste specifike të përfitimit, duke dhënë disa shembuj. Më pas Profesor Kepi u është përgjigjur live pyetjeve që kanë mbërritur nga qytetarët në Report TV.

Sot do të diskutojmë për pensionet familjare. Çfarë janë pensionet familjare? Kush i përfiton ato? Si llogariten pensionet familjare dhe cilat janë dokumentet që duhen plotësuar për të përfituar pensionin familjar?

Pension familjar do të thotë pensioni që i jepet pjesëtarëve të familjes, të cilët janë në ngarkim të personit që ndërron jetë. Në vendin tonë, nga 660 mijë pensionistë, vendin e dytë me 70 mijë e zënë pensionet familjare. Siç e thamë, në vendin tonë mesatarisht vdesin në ditë 62 persona, lindin 85 fëmijë dhe dalin në pension 100 persona. Ata që vdesin lënë trashëgimtarë pa pension ose lënë edhe fëmijë, të cilët mund të jenë të mitur, në shkollë 9-vjeçare, në shkollë të mesme, por edhe në shkollë të lartë. Legjislacioni i Sigurimeve Shoqërore i merr në mbrojtje këta persona. Sipas statistikave, në vendin tonë por edhe sipas statistikave në vende të tjera, gratë jetojnë më shumë se burrat, 6-8 vite.

Konkretisht, kur vdes bashkëshorti apo kryefamiljari, kush e përfiton pensionin familjar? E përfiton bashkëshortja në moshën 55 vjeçe, kur është pa punë, kur nuk ka tokë në pronësi apo në përdorim sipas ligjit, si edhe kur është e pavetëpunësuar. Çfarë përfiton gruaja? Në moshën 55 vjeçe, ajo merr gjysmën e pensionit të bashkëshortit. Burri mund të ketë qenë pensionist, por edhe mund të mos ketë qenë. Në rast se burri ka qenë në marrëdhënie pune, pra pa dalë në pension, atëherë për aq vite sa ka punuar ai dhe sipas rrogës që ka marrë, fillimisht fare i llogaritet atij pensioni, sikur të ishte gjallë.

Gruaja duhet të zgjedhë ndërmjet pensionit të bashkëshortit dhe pensionit të saj?

Në moshën 55 vjeçe gratë nuk marrin pension të vetin. Ta theksojmë edhe një herë: për të përfituar pension familjar një grua, së cilës i ka vdekur bashkëshorti, duhet të jetë 55 vjeçe dhe jo më pak, të mos ketë tokë, të jetë e pavetëpunësuar. Dhe do të marrë gjysmën e pensionit që do t’i takonte burrit të saj deri në ditën e fundit kur ka qenë gjallë, pra deri në ditën kur ka ndërruar jetë. Këtë pension familjar ajo do ta përfitojë deri sa të plotësojë moshën e saj për të dalë në pension pleqërie. Por, burrri mund të ketë lënë edhe fëmijë të mitur ose që ndjekin shkollën. Atëherë, gjysmën e pensionit të burrit e merr gruaja dhe gjysma tjetër e pensionit të tij i jepet fëmijëve. Në qoftë se janë dy fëmijë, gjysma e pensionit ndahet sërish përgjysmë, pra 25% e merr një fëmijë dhe 25% fëmija tjetër. Në qoftë se ka lënë një fëmijë të mitur apo që vazhdon shkollën, atëherë fëmija merr 50%, pra gjysmën e pensionit të babait.

Për sa kohë vazhdon pensioni familjar?

Pensioni familjar do të vazhdojë të merret nga bashkëshortja e të ndjerit, deri sa ajo të plotësojë moshën e saj për të dalë në pension pleqërie. Në qoftë se ajo fillon punë gjatë kohës kur merr pension familjar, pra mbi moshën 55 vjeçe, por pa plotësuar moshën e saj për pension pleqërie, i ndërpritet pensioni familjar sepse do të marrë rrogë mujore nga qendra e punës. Në qoftë se kur të plotësojë moshën e saj për pension pleqërie, ajo është duke marrë pension familjar, pra nuk ka filluar ndonjë punë, atëherë asaj, ditën që i lind e drejta për të marrë pensionin e saj të pleqërisë, i lind dhe e drejta që të zgjedhë midis pensionit familjar që merr nga bashkëshorti i ndjerë dhe pensionit të saj të pleqërisë. Pra, ka të drejtë që të zgjedhën pensionin me shumën më të lartë të lekëve.

Kur ndërpritet pensioni familjar?

Pensioni familjar ndërpritet kur gruaja plotëson moshën e saj për dalje në pension pleqërie; ndërpritet kur gruaja punësohet gjatë kohës që merr pensionin familjar nga bashkëshorti që ka ndërruar jetë; ndërpritet kur gruaja ndërron jetë gjatë kohës që përfiton pension familjar; ndërpritet kur gruaja martohet përsëri dhe nënshkruan aktin ligjor të martesës, ndërsa kur bashkëjeton me një burrë tjetër por pa nënshkruar akt ligjor martese, ajo vazhdon ta marrë pensionin familjar. Sa herë që rriten pensionet në vendin tonë, me të njëjtën përqindje rriten edhe pensionet familjare. Thamë gjithashtu që gjysmën e pensionit të burrit kur ai ndërron jetë e merr gruaja, kur ajo i plotëson kushtet për të përfituar pensionin familjar dhe gjysma tjetër ndahet sipas numrit të fëmijëve që ai ka lënë, por që duhet të jenë të mitur ose duke vazhduar shkollën. Pra, kur ka lënë një fëmijë, fëmija merr 50% të pensionit; kur janë dy marrin të dy nga 25% e kështu me radhë, kur janë tre, gjysma e pensionit ndahet në tri pjesë të barabarta, e kështu me radhë. Pensionin familjar nga babai që ka vdekur, fëmijët e përfitojnë deri në moshën 18 vjeç, edhe kur nuk shkojnë në shkollë, por kur janë të papunë. E marrin deri në moshën 25 vjeç kur vazhdojnë shkollën e lartë me bursë ose pa bursë, brenda apo jashtë vendit.

Po kur vdes gruaja, a përfitojnë pension prej saj pjesëtarët e tjerë të familjes?

Siç e thashë dhe më lart, ky raport është në favor të grave, pra kemi më shumë burra që vdesin më përpara se gratë e tyre. Atëherë, kur vdes gruaja dhe ka lënë burrin e saj të papunë, pa tokë dhe të pavetëpunësuar, burri merr pension familjar nga gruaja e tij në moshën 60 vjeç, gjithnjë gjysmën e shumës së pensionit. Kushtet e tjera që duhen plotësuar nga burri për të përfituar pensionin familjar nga gruaja e tij janë të njëjta me ato që duhet të plotësojë gruaja për të marrë pensionin familjar nga burri i saj. Ky pension burrave u jepet deri në nmoshën 65 vjeç, kur ata plotësojnë moshën e plotë për pensionin e tyre të pleqërisë. Kemi dhe raste tragjike, kur të dy bashkëshortët humbin jetën. Atëherë, në rast se të dy prindërit lënë pas një fëmijë dhe kanë punuar që të dy të siguruar, fëmija deri në moshën 25 vjeç do të marrë gjysmën e pensionit të nënës dhe gjysmën e pensionit të babait. Pensionin e tërheq personi që caktohet nga gjykata si kujdestar i ligjshëm i këtij fëmije, gjithnjë në rastet kur fëmija është i mitur. Ky pension i vazhdon fëmijës deri në moshën 25 vjeç nëse ai vazhdon shkollën e lartë me shkëputje nga puna.

Cilat janë dokumentet që duhen plotësuar nga personi i interesuar, për të përfituar pensionin familjar?

Dokumentet që duhen plotësuar dhe dorëzuar janë: në qoftë se burri ka qenë pensionist në ditën kur ka ndërruar jetë, duhet libreza e tij e pensionit, certifikata e gjendjes familjare ku shënohen personat e familjes që janë në ngarkim të tij.

Na shkruan një mesazh zonja Valentina Kamberaj: “Jam 57 vjeçe. Dua të di se kur do të dal në pension. Jam siguruar për 15 vite”.

Zonja Valentina do të dalë në pension rreth moshës 62 vjeçe, por më saktësisht duhet që me kartën e saj të identitetit dhe me librezën e punës të shkojë në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore ku do t’i bëhen llogaritë e sakta. Sipas saj, ajo ka 15 vite të siguruara, kështu që ajo e ka plotësuar minimumin e duhur të viteve të siguruara të punës që duhen për të marrë pension në vendin tonë. Ajo do të përfitojë pensionin social, i cili aktualisht është i ulët. Nëse ajo mundet le të sigurohet vullnetarisht edhe për vite të tjera, që të marrë një shifër më të lartë pensioni. Nëse ajo e plotëson moshën për të dalë në pension, atëherë nuk ka më të drejtë që të bëjë sigurime shoqërore vullnetare. Dua ta sqaroj zonjën që vite pune quhen kur ke punur që nga mosha 16 vjeçe dhe jo para kësaj moshe.

Gruaja ime ka dalë në pension pra dy viteve. Tani ka edhe një dyqan, biznes të vogël. A duhet të paguajë sigurime shoqërore?

Uroj që të punojë sa më gjatë. Sipas zotërisë, gruaja e tij ka dalë në pension në vitin 2017. Dhe për pension të plotë i janë kërkuar 36 vite punë. Vitet e punës që ajo ka punuar dhe që i janë njohur si të vlefshme, i janë shënuar në librezën e saj të pensionit. Meqenëse ajo vazhdon të punojë, është e detyruar që të paguajë kontributin e sigurimeve shoqërore sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 77, të datës 28 janar 2015. Por juve ju lind pyetja, nëse zonjës i shtohet pensioni që merr apo jo? Aktualisht zonja përfiton vlerën monetare të pensionit që i ka filluar në vitin 2017, shtesat e pensionit që i janë bërë në vitin 2018 me 2,8%, shtesa që do të bëhet në vitin 2019 me 3%, ka marrë shpërblimin prej 5.000 lekësh të rinj që përfituan pensionistët për festën e Vitit të Ri. Do të vazhdojë të paguajë kontributet e sigurimeve shoqërore. Por, ajo nuk do të marrë as edhe një lek shtesë mbi pensionin e saj të pleqërisë, nga kontributet e sigurimeve shoqërore që paguan si e punësuar në sektorin privat, megjithëse puna e saj është e licensuar sipas të gjitha rregullave e ligjeve të shtetit. Pritet që të dalë një vendim i ri i Këshillit të Ministrave, i cili është duke u diskutuar e duke u përpunuar nga anëtarët e qeverisë. Pritet të dalë brenda 3-mujorit të parë të këtij viti. Ky vendim thotë: “Të gjithë ata që kanë dalë në pension dhe që vazhdojnë të punojnë në sektorë privatë të licensuar dhe që paguajnë kontributet e sigurimeve shoqërore, për çdo vit që punojnë pasi të hyjë në fuqi vendimi i qeverisë, do të marrin një shtesë prej 2,4% mbi pensionin e tyre të pleqërisë”. Pra, sqaroj edhe njëherë, për çdo vit që ata do të punojnë që nga dita kur do të hyjë në fuqi ky vendim i ardhshëm i qeverisë, e në vijim.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • fije shehu: 08/09/2019 22:39

    mua me eshte vrar burri ne minjer ne vitin 2011 vet jam e pa afte per pun kam ber koronaren ne zemer nuk kam aftesi me punue jam 55 vjece po kam tok kam vajzen ne shkolle te larte simjet po pse nuk me tAkon mue qe ta ndihmoj vajzen

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen