GJENEVE - Herve Falciani, franko-italiani që shkaktoi skandalin që përfshiu gjigantin bankar zvicerian HSBC, ka paralajmëruar se ka ende dhe shumë sekrete për të dalë nga investigimi i "SwissLeaks".

Në një deklaratë të fundit Falciani thekson se pas mijëra llogarive fshihen “bankierë dhe klientë të afërt të politikanëve”, duke i quajtur ata “klientët e artë”. 

“Dhe pse HSBC kishte mijëra depozita, banka e merrte fitimin e vërtetë nga rreth 60 klientë kryesorë- kompani, sipërmarrës, fonde investuese, njerëz që kishin fuqi tepër të madhe: në shkëmbim të parave që linin në depozita mund të përfitonin gjithçka dëshironin”.

Si më të veçantë Falciani përmend rastin e nënës se kryeministrit Grek Jorgo Papandreu, e cila kishte një llogari bankare prej 500 miliard eurosh në HSBC, dhe kjo u përdor sipas tij si shantazh nga ish-presidenti francez i asaj kohe Sarkozy, për të detyruar Papandreun të pranonte masat shtrënguese të pagesës së borxhit ndaj Trojkës. Këto deklarata vinë pikërisht një ditë para mbledhjes së Eurogrupit ditën e nesërme kur do të vendoset fati i vendit tashmë nën drejtimin e Aleksi Tsipras.

Sipas tij Sarkozi e kishte atë listë dhe njihte emrat e klientëve sekretë të bankës, e duke qenë se në 2011 i ishin besuar atij negociatat me trojkën për shpëtimin e Greqisë, ai mund t’i ketë bërë presion Papandreut.

Falciani sqaron se shumë shtete zotëronin listën me mbi 100 mijë llogaritë sekrete që i shmangeshin tatimeve fiskale, mes tyre dhe Franca. Ai ritheksoi se investigimi i këtyre llogarive nga gazetarët hetues (icij) përveç superskandalit global të evazionit fiskal, shfaqi dhe përdorimin e bankës për pastrimin e parave të trafikut të armëve e drogës, e për financimin e terrorizmit (duke nisur nga Al Qaeda e Osama Bin Laden).

Falciani ka shkruar dhe një libër, “Kasaforta e evazorëve” të cilin do ta publikojë javë tjetër, ku rrëfen sesi e zbuloi këtë rast dhe rolin e shteteve të ndryshme mbi këtë zbulim ta pa hasur më parë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)