TIRANË - Fation Hoxha, drejtori i aeroportit “Nënë Tereza”, është implikuar në një rrjet falsifikatorësh, ku përmes dokumentave fiktive anëtarët e grupit arrinin të dërgonin drejt vendeve të Bashkimit Europian shtetas të ndryshëm. Gjatë marrjes në pyetje, Hoxha ka përjashtuar veten e tij si të përfshirë në këtë trafik, duke mos pranuar as të firmosë aktet hetimore dhe të njihet me to. Pavarësisht këtyre kundërshtimeve, prokuroria e Tiranës shprehet e bindur se drejtori i areoportit “Nënë Tereza” bën pjesë mes 10 personave të cilët në vende dhe kohë të ndryshme, kryenin falsifikimin e vizave kundrejt shumave që varionin nga 600 deri në 800 euro. Burime pranë prokurorisë thanë se drejtori Fation Hoxha, është implikuar në 4 raste falsifikim ku për këto raste organi i akuzës ka arritur të administrojë në dosje prova si përgjime ambientale dhe materiale shkresore. Aktualisht çështja në ngarkim të tij dhe 10 bashkëpuntorëve të tjerë është dërguar në gjykatën e Tiranës ku mbi drejtorin e aeroportit rëndon akuza e falsifikimit. Para dërgimit të dosjes në gjykatë, prokuroria ka thirrur disa herë të pandehurin Hoxha për tu njohur me akuzën, por ai ka refuzuar. Për pasojë prokurori Sotir Kllapi, duke ju referuar dispozitave të Kodit të Procedurës Penale ka vendosur që materialet hetimore t’ia dërgojë me postë drejtorit Hoxha. Ky i fundit do gjykohet në gjëndje të lirë, ndërkohë që nuk dihet nëse prokuroria do kërkojë ose jo pezullimin e tij nga funksioni i drejtorit të aeroportit “Nënë Tereza”.

SPANJOLLËT ZBULUAN HOXHËN
Sipas prokurorisë së Tiranës Hoxha në bashkëpunim me disa persona të tjerë, të arrestuar gjatë një operacioni të bujshëm nga krimi ekonomik-financiar, duke përfituar nga pozicioni i tij si drejtor i aeroportit, në bashkëpunim me shoferin e tij Ismail Gërbi, edhe ky i pandehur, ka lëshuar dokumente sikur disa persona ishin të punësuar në aeroport, ndërkohë që, kur këta shtetas kanë kaluar kufirin në vijim të hetimeve, autoritetet spanjolle kanë konfirmuar implikimin e Hoxhës. Kanë mjaftuar disa informacione nga kjo prokurori, që Task-Forca e Tiranës të kthejë sytë nga drejtori i aeroportit Fation Hoxha. Ndërkohë që të pandehurit e tjerë të kësaj çështje janë shtetasit Keldi Beshi, Myslym Hysko, Artur Demi, Ismail Gërbi, Manol Papadhimitro, Fraklin Frekollari, Ylli Brahimi dhe Adrian Haxhia.

(aq/shqiptarja.com)