Falsifikonin detergjentë, një nga të arrestuarit ish polici i Bashkisë
Tre persona të dyshuar si të përfshirë në një aktivitet të falsifikimit dhe të prodhimit të palicencuar të produkteve higjenosanitare u arrestuan nga policia e kryeqytetit këtë të premte gjatë operacionit të koduar “Clean 2016”. Ndër të arrestuarit është edhe një ish- punonjës i policisë bashkiake në Tiranë. Të arrestuarit për një periudhë disa mujore kishin mundur të falsifikonin produkte të markave të njohura, si të shampove, detergjentëve, kremrave e produkte të tjera të higjenës dhe kozmetikës. VIDEO
Tre persona të dyshuar si të përfshirë në një aktivitet të falsifikimit dhe të prodhimit të palicencuar të produkteve higjenosanitare u arrestuan nga policia e kryeqytetit këtë të premte gjatë operacionit të koduar “Clean 2016”. Ndër të arrestuarit është edhe një ish- punonjës i policisë bashkiake në Tiranë. Të arrestuarit për një periudhë disa mujore kishin mundur të falsifikonin produkte të markave të njohura, si të shampove, detergjentëve, kremrave e produkte të tjera të higjenës dhe kozmetikës.
Sipas njoftimit të policisë së kryeqytetit, të arrestuarit janë Altin Hoxha, 41 vjeç, Lirie Këlliçi, 47 vjeçe, si dhe Arben Dragani 47 vjeç, ish- punonjës i policisë Bashkiake të Tiranës. Sipas hetimit të policisë, të tre personat banues në kryeqytet kishin marrë me qera një banesë në zonën e “Misto- Mames” në kryeqytet. Aty personat kishin instaluar disa makineri të përpunimit dhe të mbushjes së produkteve higjeno-sanitare e kozmetike. Më pas personat i hidhnin në treg produktet me gjysmën e vlerës së tyre reale.
Gjatë ndërhyrjes së policisë në banesën ku edhe prodhoheshin produktet e falsifikuara, u gjetën dhe u sekuestruan edhe një sasi e konsiderueshme produktesh dhe materialesh që ishin gati për t’u faslifikuar dhe më pas për t’u hedhur në treg nga të arrestuarit. Ata tashmë akuzohen për "falsifikim të vulave e stampave", "prodhimi i kundërligjshëm i mallrave industrialë e ushqimorë", "fshehja e të ardhurave", si dhe "shkelja e të drejtave të pronësisë industriale".
Mallra të sekuestruar • Detergjentë të markave të ndryshëm, 70 copë • Paketim detergjentësh bosh 90 copë • Shampo të markave të ndryshëm 270 copë • Stampa të markave të ndryshme 5 topa • Dy fuçi me lëndë të dyshuar detergjenti