FRANCE - Nëna dhe motrat e terroristit të vrarë Amedy Coulibaly kanë bërë një deklaratë ku shprehin ngushëllimet e sinqerta familjarëve të viktimave, duke dënuar aktin e njeriut të tyre. Në deklaratën dërguar një ditë më parë në AFP shkruhet: “Ne dënojmë akte të tilla. Në mënyrë absolute nuk kemi këto ide ekstreme. Shpresojmë të mos ketë asnjë konfuzion mes këtyre akteve të urryera dhe fesë muslimane”, thuhet në deklaratë. Amedy Coulibaly u vra dy ditë më parë nga policia, pasi ai vrau një police në Montrouge dhe katër persona që i kishte mbajtur peng.

Ja katër pengjet që u vranë në supermarketin hebre në Francë
Djali i një rabini, një mësues, një pensionist dhe një shitës që përmes punës po mblidhte kursime për martesën e tij, janë katër pengjet që u vranë të premten në supermarketin hebre në qendër të Parisit, ndërsa pengmarrësi Amedy Coulibaly mbeti i vrarë nga ndërhyrja e policisë.
 
22-vjeçari Yohan Cohen kishte punuar përreth një vit në supermarket për të siguruar paratë për ceremoninë martesore me të dashurën e tij Sharon Seb. Dhimbjen për humbjen e të dashurit të saj Sharon e ka shprehur edhe përmes një statusi në profilin e saj në Facebook, të cilin e shoqëron me një foto të sajën me Yohan.
 
 ‘Je suis Yohan’, (Unë jam Yohan), nis statusi i të resë, duke shtuar: Çfarë jam unë pa ty? Si mund të jetoj pa ty? “Jeta ime është shkatërruar. Unë kurrë nuk do të arrij asgjë. Ne kishim kaq shumë plane bashkë.
 
viktima supermarketi paris


21-vjeçari Yoav Hattab, djali i një predikuesi hebre është një tjetër viktimë e mbetur nga pengmarrja në supermarket. Personat që i mbijetuan këtij sulmi rrëfejnë se i riu për një moment u përpoq t’i merrte armën pengmarrësit Amedy Coulibaly, por reagimi i tij ishte i menjëhershëm duke e lënë të vrarë.
 
viktima supermarketi paris


Philippe Braham ishte mësues. Ai jetonte me gruan dhe tre fëmijët e tyre në L'Hay-les-Roses, rreth tetë kilometra në jug të Parisit. Fqinjët e përshkruajnë si një njeri të mirë, të qeshur dhe që përshëndeste gjithmonë.  Braham ka edhe një fëmijë më të madh nga një marrëdhënie e mëparshme.

viktima supermarketi paris

Viktimë e katërt e pengmarrjes që tronditi Parisin, pas sulmit në të përjavshmen satirike “Charlie Hebdo”, është François-Michel Saada rreth 60 vjeç, i përshkruar nga të mbijetuar si një person mjaft i qetë. 

Të premten e 9 janarit, Amedy Coulibaly mori peng një supermarket me pronar hebre në qendër të Parisit ndërsa përreth 4 orë mbajti peng personat që ndodheshin në të. Pengmarrësi shfaqi hapur njohjen me dy vëllezërit terroristë Said dhe Cherif Kouachi të cilët shkaktuar masakrën në të përjavshmen satirike “Charlie Hebdo”. Coulibaly kërcënoi se do të vriste të gjithë pengjet nëse policia nuk linte të lirë vëllezërit franko-algjerianë, të cilët u vranë nga policia ndërsa ishin fshehur në një shtypshkronjë. Nga pengmarrja në supermarket humbën jetën 4 persona, ndërsa Colibaly u qëllua për vdekje nga policia franceze. Sakaq, në kërkim mbetet bashkëshortja e tij e cila dyshohet se ka bashkëpunuar me 32-vjeçarin jo vetëm për pengmarrjen, por edhe për sulmin e 8 janarit, kur Coulibaly qëlloi për vdekje një efektive policie dhe plagosi një punonjës tjetër të policisë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)