Një inspektor i forcave zjarrfikëse në Tiranë u arrestua nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme në Ministrinë e Brendshme, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve.

L.H., akuzohet për veprat penale të "Torturës" dhe "Dhunës në familje".

Arrestimi u krye pasi në mënyrë sistematike, ai dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve. 

Familjarët lajmëruan në numrin e Emergjencave 112 për akte dhune dhe më pas Inspektori u shoqërua dhe u arrestua nga SHÇBA.

Për të dëmtuarit janë lëshuar urdhrat e mbrojtjes.

Por cili është dënimi për veprën penale të torturës dhe si specifikohet ajo në ligj

Neni 86 - Tortura

(Ndryshuar me ligjin nr.9686, datë 26.2.2007, neni 10)

Kryerja me dashje e veprave, nëpërmjet të cilave një personi i janë shkaktuar vuajtje të rënda, fizike apo mendore, nga një person, që ushtron funksione publike, ose me nxitjen apo miratimin e tij, të hapur ose të heshtur, me qëllim:
a) për të marrë prej tij ose një tjetri informata ose pohime;
b) për ta ndëshkuar për një veprim të kryer ose që dyshohet të jetë kryer prej/ose një personi tjetër;
c) për ta frikësuar ose bërë presion mbi të ose një person tjetër;
ç) për çdo qëllim tjetër të bazuar në çfarëdolloj forme diskriminimi;
d) çdo akt tjetër çnjerëzor apo poshtërues;

- përbëjnë vepër penale dhe dënohen me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.