Familja fisnike shqiptare e Dukagjinëve
sipas burimeve arkivore në shekullin XIV

Familja fisnike shqiptare e Dukagjinëve<br />sipas burimeve arkivore në shekullin XIV
Edhe pse i shkruar vetëm në pesë rreshta tekst, ky është një ndër dokumentet më të rëndësishëm të shekullit XIV për familjet fisnike feudale shqiptare, origjinali i të cilit ruhet në Dubrovnik. Raportet diplomatike me Raguzën dhe pozitat e qendrueshme ekonomike të Dukagjinëve në shek. XIV janë në qendër të vëmendjes. Dëshmi për zhvillimin e një kancelarie shumë-gjuhëshe pranë kësaj familje, ngjashëm me familjet e tjera shqiptare dhe europiane.

Njëra ndër familjet fisnike shqiptare më të fuqishme dhe më të njohura në mesjetë është familja e Dukagjinëve. Për historinë, gjenealogjinë, origjinën dhe shtrirjen e sundimit, marrëdhëniet diplomatike me famljet e tjera fisnike shqiptare dhe me fisnikët fqinjë jo-shqiptarë, sllavë, grekë, bullgarë, rumunë, etj., si dhe me shtetet (komunat) e kohës, qofshin ato shqiptare, dalmatine, italiane, spanjolle, frënge apo të tjera, gjatë shekujve të mesjetës janë shkruar disa studime, por asnjëherë shteruese.

Befason fakti se shumë studiues kopjojnë njëri-tjetrin (këtu duhen theksuar dy apo tre studiues shqiptarë që kanë provuar të shkruajnë për këtë familje fisnike) pa përmendur se kanë shfrytëzuar veprat e mëparshme të botuara apo burimet arkivore origjinale, si dorëshkrime, literaturë mesjetare apo burime të tjera.

Duke u mbështetur në burimologjinë arkivore, si dorëshkrime, dokumente apo informacione të tjera të sakta, është i pamohueshëm fakti që kjo familje ishte shumë e fuqishme në shekujt XIV e XV duke zotëruar një territor mjaft të gjërë sundimi, në kohën kur familja e Kastriotëve ende nuk kishte dalë në skenën politike, ushtarake dhe shoqërore të kohës.

Natyrisht politika e ndjekur nga Dukagjinasit gjatë epokës skenderbegiane kërkon një studim të specializuar, të thellë, profesional, duke analizuar rrethanat e kohës si dhe duke ballafaquar burimet dokumentare arkivore me literaturën e kohës, duke shmangur tendenciozitetin dhe njëanshmërinë e cila sot shfaqet te amatorët e historisë në forma të ndryshme, deri në skajshmëri ekstreme.

Kësaj radhe nuk kemi për qëllim të debatojmë me të gjithë këta të “ashtuquajtur autorë”, por, po botojmë një diplomë (dokument) origjinale nga Arkivi Historik i Dubrovnikut.
Diploma që po botojmë me këtë rast është e njohur nga studiuesit dhe historianët, por për herë të parë ajo botohet së bashku me faksimile cilësore të cilat specialistët e medievistikës dhe paleografisë së sllavishtes së vjetër mund t'i lexojnë lehtësisht (shih ilustrimet nr. 1 dhe 2).

Përveç kësaj botimi është shoqëruar edhe me aparat kritik, përkthim në gjuhën shqipe e transliterim të dorëshkrimit të diplomës. Logjika e studimit përcjellës, e bazuar në të gjitha këto elemente shkencore mund të ndiqet lehtësisht jo vetëm nga studiuesit, historianët, medievistët, por edhe nga amatorët e interesuar në këtë fushë dhe historidashësit. Ky botim njëherë e mire nxjerr në pah botimet joprofesionale dhe joserioze të bëra nga studiues të ndryshëm, e veçanërisht përkthimet në gjuhën shqipe, të cilat lënë shumë për të dëshiruar, sidomos për pasaktësitë dhe perifrazimet e origjinalit, gjë që e kanë shtrembëruar dhe dëmtuar në masë të madhe vlerën historike të kësaj diplome (dokumenti).

Dokumenti origjinal sot ruhet në Arkivin Historik të Dubronvikut në Dubrovnik me signaturë P. Nr. IV a 67 pra si dokument i veçantë (dhe signaturë të vjetër 792), përderisa më parë (deri në fillim të shek. XX) ruhej në kuadër të fondit: Diversa Cancellarie 1387-1389, P. II, 38, dhe këtu si shtesë nr. 27. Ky dokument tani është i regjistruar me titull: “Lekë Dukagjini fton dubrovnikasit që të bëjnë tregti nëpër tokën e tij“.
 
Përshkrimi fizik i dokumentit
Dokumenti është i shkruar në letër gjysëm karton. Dimensionet e dokumentit janë: 19.6 x. 8.9cm ndërsa dimensioent e tekstit janë: 17.7 x 6cm.
Për herë të parë, kjo diplomë është botuar në vitin 1862. Pas këtij botimi kanë pasuar ribotime të shumta, (shih: Puciq 1862, Mijatoviq 1881, Novakoviq 1912, Sufflay 1918, Shllaku 1940, Burime 1962) po asnjëherë korrekte dhe me gabime e lëshime të ndjeshme..
 
Transkriptimi [tejshkronjëzimi] i diplomës
Transkriptimi [tejshkronjëzimi] i diplomës origjinale me signaturë: Wiena 792, ose P. Nr. IV a 67, është shumë i vështirë jo vetëm për studiuesit, medievistët, historianët e paleografët e qirilikës, e sidomos për ata që nuk janë specialistë të paleografisë sllave, asaj qirilike e glagolike, por edhe për ata që kanë përvojë të gjatë në transkriptime të këtij lloj shkrimi. Shkurtesat e shumta dhe grafia e imët dhe në disa raste, shenjat e veçanta të logofetit ose scribes-it, vështirësojnë edhe më shumë transkriptimin.

Pra, teksti i dokumentit lexohet me vështirësi për shkak të shkurtesave të shumta si dhe gjuhës e drejtshkrimit jo të saktë të përdorur nga logofeti/scribes-i, që ka shkruar këtë dokument. Ky fakt lë të kuptohet se logofeti/scribes-i nuk ka qenë sllav, po shqiptar që ka punuar në kancellarinë e familjes Dukagjini, që ka njohur gjuhën sllave si dhe shkrim-leximin e saj. Kjo diplomë që ka karakterin e një dokumenti publik mban në vetvete të gjitha karakteristikat e dokumenteve të kësaj epoke historike.
 
Teksti i diplomës
Teksti i diplomës është shkruar në pesë rreshta ngjyrë kafe e cila i ka përballuar një kohe të gjatë tashmë prej 627 vjetëve. Në të djathtë poshtë me laps plumbi është shënuar në fund të shek. XIX: h. si D. Cancellar. 1388-1389, (numri 8 te viti 1388 ka të shënuar numrin 7 që lë të kuptohet se logofeti/scribes-i, e ka shkruar gabimisht vitin, gjë që vërehet edhe nga datimi i dokumentit).
 
Vula e diplomës
Në të majtë të diplomës, poshtë tekstit, vërehen gjurmët e vulës prej dylli të kuq, që për fat të keq tani nuk është më! Vula ka qenë e vendosur në anën e pasme (verso) të diplomës. Dimensionet e gjurmës së vulës janë: 1.6 x 1.8 cm. Kurse perimetri është 5.2 cm.

(Këto të dhëna na i ka saktësuar dr. Niksha Selmani nga Arkivi i Dubrovnikut, të cilin e falenderojmë publikisht). Siç mund të vërehet në diplomën origjinale, vula ka qenë e tipit të shtypur në letër, sipër së cilës ka qenë një letër e bardhë e hollë e ngjitur nëpërmjet shpimit të letrës bazë (shih ilustrimin 1 dhe 2), ngjashëm me vulat e fisnikëve të tjerë shqiptarë: Balshajve, Topiasve, Spanëve, Muzakëve... etj.
 
Diploma në verso
verso, pjesën e pasme të dokumentit ka të shënuar në dy rreshta një tekst me këtë përmbajtje: “/1/ Vlaste lome čestenoga /2/ grad Dubrovenika” ndërsa në mes të fjalëve grad () Dubrovnika vërehet se ka qenë e vendosur vula prej dylli të kuq. Në mes të faqes verso është vula e Arkivit Historik të Dubrovnikut nga fundshekulli XIX.

Dokumenti ka qenë i palosur katër herë: një herë horizontalisht dhe tre herë vertikalisht, gjë që vërehet në ilsutrimin nr. 2. Në pjesën e tretë të thyerjes së palosjes vërehet gjurma e vulës, e cila lë të kuptohet se kjo letër ka qenë e mbyllur me vulë. Dokumenti është në gjendje të mirë dhe nuk ka pasur nevojë të restaurohet.
 
Filigranes
Duke analizuar me kujdes letrën e dokumentit, poshtë në të djathtë mund të vërehet një pjesë e filigranes (shenjës së ujit), që është e pamjatueshme për të kuptuar të gjithë shenjën (figurën) përkatëse të filigranit.

Në vijim po sjellim tanskriptimin e dokumentit. Me numrat në kllapa të drejta kemi shënuar fillimin e rreshtit sipas origjinalit të tekstit në dokument. Kurse në përkthim, në kllapa të vogla, me shkronja të pjerrëta, kemi shënuar fjalët e origjinalit të tekstit sllavisht, por që i humbin kuptimin fjalisë po të përkthehen fjalë për fjalë. Pra kemi shënuar të dy variantet e mundshme, atë të përkthimit fjalë për fjalë sipas origjinait dhe përkthimin sipas kuptimit.
 
Tranksriptimi i origjinalit në sllavisht:
/1/ Ode Leke Dukagin i Pavla brat mu vlasteome čestioga grad Dubrovni -
/2/ ka pišu vera vi moja i moga brat gerdet slobodno po moei zemli ne boite se niša
/3/ a ere e za carinu davaite si zakonenu carinu šo ste i prege davli ineme       vlastelome
/4/ koi su prege nastojeki na teme meste bil a inedoga strah se ne boite ere se     umirihe
/5/ s tureci i boga vi vesli
 
Ne verso:
 /1/ Vlaste lome čestenoga
/2/grad Dubrovenika
            Die penultimo Dec. 1387
 
Përkthimi në gjuhën shqipe:
 
Nga Lekë Dukagjini e Pali vëllai i tij.
Fisnikërisë së nderuar të qytetit të Dubrovnikut.
Ju shkruaj në besën time dhe të vëllait tim të kaloni lirisht nëpër tokën time pa iu frikësuar asgjëje dhe për doganë duhet të jepni (paguani, m.a.) sipas ligjit doganën (taksën doganore, m.a.) që ua keni dhënë edhe më parë atyre fisnikëve që më parë kanë banuar (sunduar, m.a.) në këtë vend dhe pa asnjë frikë dhe pa asnjë dyshim, sepse jam pajtuar me turqit dhe në Zotin ju gëzuar (Zoti ju gëzoftë, m.a.).
 
Në verso:
Fisnikërisë së lartësuar (nderuar, m.a.)
të qytetit të Dubrovnikut
30 dhjetor 1387
 
Paraqitja paleografiko-diplomatike e diplomës
Duke qenë se editimi ynë bëhet sipas kritereve bashkëkohore shkencore, ne po sjellim një studim paleografiko-diplomatik të kësaj diplome mesjetare, përkatësisht të fundit të shek. XIV.
Në fillim të diplomës është i shënuar invokacioni simbolik, që në këtë rast na paraqitet në formë të një kryqi të tejzgjatur deri në rreshtin e dytë të tekstit, që është tregues i nënshtrimit të pushtetit real të Dukagjinasve ndaj atij kishtar, duke treguar besnikërinë absolute ndaj kishës.

Invokacioni verbal, që përdoret në këtë dokument, është karakteristikë e shpeshtë e përdorimit në dokumente të tilla të lëshuara nga kancelari sllave. Me këtë, i rritej vlera dokumentit duke dëshiruar që të arrihej qëllimi për destinimin e tij. Në këtë rast, është i shprehur në formën: “në besën time dhe të vëllait tim të kaloni lirisht nëpër tokën time”.

Menjëherë në vijim është intitulacioni që është i shkurtër fare: “Nga Lekë Dukagjini e Pali, vëllai i tij”. Kjo është një shprehje e zakonshme e kohës për fisnikët shqiptarë, të cilët, kur u drejtohen fisnikëve të tjerë apo shteteve (komunave) të kohës, shkruajnë emrin personal të tyre dhe pothuajse çdo herë të shoqëruar edhe nga një person i dytë i familjes, vëllai, xhaxhai, kurshëriri i parë, e në raste të rralla, gruaja ose motra.

Në këtë rast, te kjo diplomë, Lekë Dukagjini, që mendohet të jetë i pari me këtë emër, përkrah emrit të tj shënon edhe emrin e të vëllait Palit. Më këtë rast duhet të theksojmë se nuk është fjala për Lekë Dukagjinin e kohës së Skenderbeut, por për të atin e tij, ose ndoshta gjyshin e tij.

Në vijim, Lekë Dukagjini i siguron dubrovnikasit në formën e njohur të së drejtës zakonore shqiptare, se ai është garant për kalimin e tyre nëpër territorin ku ai sundon, me kusht që ata të respektojnë obligimet e tyre, pra të paguajnë doganën. Ky pohim në dukje të parë nuk duket shumë i rëndësishëm, por nëse e studiojmë me kujdes do të vërejmë se është një dëshmi e pakundërshtueshme se familja fisnike feudale e Dukagjinasve ka rrënjë të lashta fisnikërie shqiptare dhe se ata ishin krenarë për këtë gjë.

Kurse dispozicioni, si pjesa më e rëndësishme e aktit diplomatik, e cila në vete ngërthen objektin moral dhe atë material, që i dedikohet pranuesit, na paraqitet në formën ku Leka në mënyrë bindëse i siguron dubrovnikasit se ata mund të vijnë në territoret që ai sundon: “pa asnjë frikë dhe pa asnjë dyshim, sepse jam pajtuar me turqit”, shprehet ai.

     Në ekspozicion (narracion) janë sqaruar rrethanat aktuale për vendimin e shkrimit të një akti të tillë diplomatik ku Leka pohon: “kaloni lirisht nëpër tokën time pa iu frikësuar asgjëje dhe për doganë duhet të jepni sipas ligjit doganën që ua keni dhënë edhe më parë atyre fisnikëve që më parë kanë sunduar (...) sepse jam pajtuar me turqit”. Me sundues të mëparshëm, Lekë Dukagjini nënkupton sunduesit serbë, përkatësisht carin Dushan, gjatë kohës që kishte pushtuar Shqipërinë mesjetare.

Kjo diplomë, nuk ka të shënuar datën e lëshimit të saj. Rreth datimit kemi një përshtjellim, që përfundimisht u zgjidh duke shfrytëzuar fondin e dokumeteve origjinale ku ruhej kjo diplomë më herët. Edhe më parë është shënuar data 30 dhjetor 1387, por pa u saktësuar dhe sqaruar se nga është nxjerrë kjo datë. Duke mos pasur datën e lëshimit, të gjithë që janë marrë me këtë diplomë kanë shënuar si datë të lëshimit, datën e pranimit, përkatësisht të regjistrimit si diplomë e pranuar pranë kancelarisë Raguzane, që është data 30 dhjetor 1387. Kjo nuk  është data e lëshimit të këtij dokumenti nga Lekë Dukagjini, përkatësisht data e shkrimit të diplomës nga logofeti/scribes-i i Lekës.

Duke mos qenë në gjendje të saktësojmë datën e lëshimit, edhe ne kemi pranuar si datë të kësaj diplome datën e lartcekur, edhe pse të vetëdijshëm se ky dokument është shkruar të paktën 15-30 ditë më herët. Në fondin Diversa Cancellariae (1387-1389), vëll. 27, f. 69v të Arkivit Historik të Dubrovnikut është shënimi i pranimit të letrës së Lekë e Pal Dukagjinit në kancelarinë zyrtare të Raguzës.

Shënimi është i treti me radhë, pra kryerreshti i tretë, në fund të faqes dhe ka gjithsej 3 rradhë tekst (shih ilustrimin nr. 3) me këtë përmbajtje (transkriptimi në latinisht): “Ista littera sclavica fuit hic posita, de mandato domini rectoris et consilii que continet quod merchatores Ragusini possint ire securi per terrenum dominorum Leche et Pauli Ducadini ut patet in littera”.

Përkthimi në shqip i këtij teksti është: “Kjo letër sklavike (sic! lexo: qirilike) u depozitua me urdhër të z. rektor dhe me këshillën që përmban që tregtarët e Raguzës mund të lëvizin me siguri në territoret e zotërinjve Lekë e Pal Dukadini (sic! lexo: Dukagjini, në origjinal është: Dukadini), siç shënohet në letër”. Nga dokumenti që po botojmë, pohohet se: “me rekomandim të rektorit po rregjistrojmë letrën e depozituar”. Ne kemi konsultuar edhe dokumente të tjera në sllavisht të familjes Dukagjini që ruhen në Arkivin Historik të Dubrovnikut, po nuk kemi arritur të nxjerrim informacione të sakta në lidhje me këtë çështje.

     E pazbardhur mbetet edhe çështja e autorit të shkrimit të diplomës – logofetit/scribes-it i cili nuk shënon në fund emrin e tij, sikurse nuk ka shënuar as datën e vendin e lëshimit. Pra, ne nuk kemi njohuri se në cilin qytet apo pjesë të sundimit të Lekë Dukagjinit është lëshuar kjo diplomë.

     Kësaj diplome i mungon edhe elementi i përforcimit, që është i zakonshëm pothuajse në të gjitha diplomat tjera të ksëaj peridhue në gjuhën sllave që njohim deri me sot.
Përveç elementeve të përmendura, këtij akti diplomatik, i mungojnë edhe disa pjesë standarde apo klishe, të cilat i ndeshim në diploma të ngjashme nga e njëjta periudhë. Këto mungesa nuk e zvogëlojnë rëndësinë dhe autenticitetin e kësaj diplome.
 
Në boks:
Sipas burimeve arkivore që ruhen në Arkivin Historik të Dubrovnikut, familja Dukagjini përmendet për herë të parë në histori në shek. IX. Natyrisht që ky burim duhet studiuar, verifikuar dhe ballafaquar edhe me burime e literaturë tjetër për të vërtetuar saktësinë e tij. Kjo familje, si të gjitha familjet fisnike feudale shqiptare kishte ngritjet e rëniet e saj. Poashtu kjo familje gjithnjë sipas burimeve të shkruara arkivore është me rrënjë të mirëfillta shqiptare.

Ajo ka luftuar kundër armiqve e pushtuesve të huaj bizantinë, sllavë e osmanë, por ka bërë edhe luftëra lokale kundër feudalëve shqiptarë, për zgjerim territoresh, për rritje ndikimi apo edhe për të “ruajtur nderin” siç ishte rasti me Lekë Zaharinë. Ajo ka pasur marrëdhënie diplomatike me shumë komuna e njësi të tjera politike të kohës në Europë, Dalmaci e me fisnikë shqiptar si dhe me fqinjë të tjerë jo-shqiptarë.

Ajo ka njohur në më shumë se një rast vasalitetin e sundimtarëve të huaj, si të Republikës së Venedikut, Perandorisë Osmane, mbretit Alfonsi V etj., ngjashëm me fisnikët e tjerë shqiptarë. Dukagjinasit ishin besimtarë të devotshëm, por kemi rastin kur kërcënohen me çkishërim nga papa me rastin e konfliktit me Gj. K. Skënderbeun. Ata patën më shumë se një pinjoll që pranoi fenë islame, dhe që u ngritën në hierakinë sunduese të Perandorisë Osmane, ashtu si shumë fisnikë të tjerë shqiptarë, si p.sh. Gjergj Kastrioti Skenderbeu, nipi i tij Hamzai ose Ballaban Pasha, ose Topiasit, Spanët, Muzakajt etj.

Ata lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare, sidomos me “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, i cili bashkë me kanunet e tjera si p.sh. “Kanunin e Skenderbeut”, përbëjnë një kontribut të paçmueshëm për të drejtën zakonore, por edhe të drejtën në përgjithësi në trojet shqiptare.

dokument


































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 21 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zjarr në fshatin Kurqele të Klosit, flakët rrezikuan banesat

Zjarr në fshatin Kurqele të Klosit, flakët rrezikuan banesat