FUSHE-KRUJE - Të afërm të Anton Prendit, ish-efektivit të policisë Fushë-Krujë i bëjnë thirrje instancave shtetërore për gjetjen e familjarit të tyre, i cili prej pesë muajsh rezulton i zhdukur.

Nata e ndërrimit të viteve për këtë familje, ndryshe nga atmosfera festive, traditë e kësaj dite, ka kaluar me lot në sy e shpresë për gjetjen e të afërmit të tyre.

Vajza e tij bën apel për gjetjen e të atit, “njeriut më të shtrenjtë” siç e quan ajo, për fatin e të cilit ende nuk ka asnjë të dhënë.

“I lutem instancave shtetërore të bëjnë gjithçka për gjetjen e tim ati, ai është më i shtrenjti për ne dhe na mungon shumë. Tashmë u bënë pesë muaj që ne s’dimë asgjë për fatin e tij, ndaj dhe i bëj thirrje të gjithëve të na ndihmojnë për gjetjen e tij, ai është personi që duam më shumë në këtë botë”, -shprehet vajza e ish-efektivit të policisë.

Familjarët shprehen se thirrja e tyre ka rënë në vesh të shurdhër, pasi strukturat e rendit në këtë qytet, sipas tyre prej muajsh heshtin për këtë ngjarje të rëndë.

Ata theksojnë se i kanë kërkuar prokurorisë të hetojë personin që mund të këtë lidhje me zhdukjen e ish-efektivit të policisë.

“Ne i kemi thënë prokurorisë personin që mund të ketë lidhje me zhdukjen e babait tonë. Ne para 13 vitesh kemi pasur një hasmëri dhe me siguri ajo tashmë lidhet dhe zhdukjen e tij. Prokuroria e Krujës ka punuar shumë pak për gjetjen e tij, ndaj ne i kërkojmë Prokurorisë së Përgjithshme të merret me këtë çështje”, thekson vajza e Prendit.

Anton Prendi u zhduk me pesë gusht të këtij viti, ndërsa për herë të fundit është parë rrugës që të çon tek fabrika e tullave në këtë qytet. E vetmja pistë hetimi për prokurorinë është një telefonatë anonime që dyshohet së është bërë nga hasmi i të zhdukurit.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)