Familja e Petraq Milos është dhunuar nga policia malazeze në doganën e Muriqanit. Sipas mediave që kanë publikuar pamjet në rrjete sociale, sqarohet se kjo ndodhi pasi nuk kishin durim të prisnin në makinë dhe u përballën me dhunë nga policia e Malit të Zi. Petraq Milo aktualisht është sekretar për Çështjet Ekonomike dhe Financave në Partinë e Lirisë.

Milo ishte me bashkëshorten dhe djalin kur ra pre e dhunës nga ana e punonjësit të doganës malazeze, i cili i nxori me forcë nga makina dhe i shoqëroi në komisariat.

Në pamje duket se si anëtarët e familjes tërhiqen zvarrë, ndërsa gruaja u dhunua dhe shfaqet e shtrirë në makinë pasi kishte humbur ndjenjat.  Qytetarët e tjerë shqiptarë janë përpjekur që t’i japin ndihmë me sa kishin mundësi.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, i cili i cilësonte të papranueshme pamjet dhe e konsideronte akt skandaloz. Me thirrje ndaj autoriteteve shqiptare dhe të Malit të Zi që të hetojnë rastin, Bardhi tha se duhet dhënë dënimi i merituar për veprime që nuk i shërbejnë raporteve miqësore.            

“Të papranueshme dhe tejet të rënda janë këto pamje që u bënë publike nga media. Dhuna ndaj qytetarëve që lëvizin në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi përmes pikës së kalimit kufitar të Muriqanit, është një akt skandaloz i elementëve që nuk i bëjnë nder asnjë trupe policie në asnjë vend të botës.

I bëj thirrje autoriteteve shqiptare që të kërkojnë me forcë zbardhjen e ngjarjes dhe dënimin e këtyre akteve. Autoritetet e shtetit të Malit të Zi duhet ta hetojnë rastin në fjalë dhe t’i japin dënimin e merituar veprimeve të tilla që nuk i shërbejnë aspak raporteve miqësore mes dy vendeve tona dhe punës se madhe që është bërë deri në funksionimin me një doganë të përbashkët.

Sot mbi gjithçka prevalon ligji dhe aktet e dhunës ndaj qytetarëve janë të papranueshme, aq më tepër nga uniforma e shtetit”, shkroi Spahia.