Reshjet e shiut gjatë ditëve të fundit kanë nxjerrë edhe më shumë në pah problematikat e Urës së Bardhajve, një prej akseve të rëndësishme që lidh tre fshatra me qytetin e Shkodrës.
Gropat e shumta në rrugë, dëmtimi i trotuareve dhe gërryerja e bazamentit nga lumi Kir kanë përkeqësuar gjendjen e kësaj ure, mbi të cilën çdo ditë qarkullojnë mijëra banorë dhe automjete.
Pavarësisht nevojës për ndërhyrje, ura vijon të jetë në gjendje të amortizuar, ndërsa reshjet e fundit kanë shtuar shqetësimin për sigurinë e kalimit mbi të.
Për banorët e zonës, ndërhyrja është kthyer në një domosdoshmëri. Ata shprehen se kalimi mbi urë bëhet gjithnjë e më shqetësues, veçanërisht gjatë ditëve me reshje intensive.
Ura e Bardhajve ka një rëndësi të veçantë për lëvizjen e përditshme drejt Shkodrës. Përveç dëmtimeve të dukshme, problem mbetet edhe gjerësia e saj, pasi ura është vetëm me një kalim dhe drejtuesit e automjeteve detyrohen të presin radhën për të kaluar.
Zgjerimi i urës, forcimi i bazamentit dhe i këmbëve mbështetëse, si dhe rehabilitimi i shtresës rrugore mbeten ndër ndërhyrjet e nevojshme për përmirësimin e sigurisë.
Ndërkohë, banorët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë sa më parë, përpara se dëmtimet e mëtejshme të vështirësojnë edhe më shumë qarkullimin në këtë aks të rëndësishëm.








Komente
Komento