Drafti parashikon se pavarësisht kushteve ekonomike, identitetit, vendbanimit dhe etnisë, çdo fëmije duhet t’i garantohet mirërritja, siguria, ruajtja e identitetit, zhvillimi fizik dhe mendor, privatësia, mirëqenia, arsimimi, ushqyerja, strehimi, argëtimi, shërbimi shëndetësor, arsimimi, dëgjimi i mendimit, e drejta e informimit etj.
Por çfarë do të ndodhë me qindra prindër, të cilët nuk kanë mundësi t’u sigurojnë fëmijëve as nevojat minimale, duke nisur që nga ushqimi?
Për herë të parë sanksionohet në ligj që, në rast se prindërit ose personat që kujdesen për fëmijën nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, për shkaqe që nuk varen prej vullnetit të tyre, nevojat minimale të fëmijës për strehim, ushqim, veshmbathje dhe edukim ofrohen nga shteti.
Po ashtu, prindërit kanë të drejtë t’u kërkojnë autoriteteve ndihmë financiare ose forma të tjera të asistencës për mirërritjen e fëmijës. Nga ana tjetër, çdo institucion publik ose jopublik, që ushtron aktivitet në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, ka detyrimin t’u japë prindërve të gjithë informacionin e nevojshëm për përfitimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, sipas ligjit.
Marrja e masave
Ligji parashikon që në rast se prindi, pavarësisht vullnetit, nuk arrin përmbushjen e detyrimeve ndaj fëmijës, njësia e mbrojtjes së fëmijës merr masa për të ndihmuar prindin në realizimin e detyrimeve ndaj fëmijës.
Në rast se edhe pas ndihmës së dhënë rezulton se qëndrimi i mëtejshëm i fëmijës me prindin nuk është në interesin më të lartë të fëmijës, njësia e mbrojtjes së fëmijës merr masa për largimin e përkohshëm të fëmijës nga prindi dhe e vendos fëmijën në kujdes të përkohshëm alternativ, sipas ligjit.
Prindërit e fëmijës, pavarësisht faktit se cili prej tyre ushtron përgjegjësinë prindërore, kanë të drejtë të marrin informacion dhe asistencën e nevojshme për mirërritjen, kujdesin dhe edukimin e fëmijës, të marrin informacion për fëmijën nga shkolla, njësitë e shërbimit shëndetësor ose çdo institucion tjetër në kontakt me fëmijën.
Në rast të mosmarrëveshjes ndërmjet prindërve lidhur me ushtrimin e të drejtave prindërore dhe realizimin e detyrimeve të tyre ndaj fëmijës, cilido tyre mund të kërkojë zgjidhjen e mosmarrëveshjes nga gjykata kompetente. Pasi të jenë dëgjuar të dy prindërit si dhe të jetë marrë mendimi i fëmijës, gjykata vendos në përputhje me interesin më të lartë të fëmijës.
Përkujdesja alternative
Ligji parashikon që ndaj fëmijës së privuar në mënyrë të përkohshme a të përhershme nga mjedisi i tij familjar, për shkak se prindërit kanë vdekur ose për shkaqe të tjera merret masa e mbrojtjes së përkujdesjes alternative.
Përkujdesja alternative mund të jetë vendosja e fëmijës në familjen e ndonjërit nga të afërmit e tij, nëse kjo është e mundur dhe nuk bie ndesh me interesin më të lartë të fëmijës; vendosja e fëmijës në një familje kujdestare, si masë e përkohshme mbrojtjeje, në rast se prindërit biologjikë ose ndonjë i afërm tjetër nuk mund të kujdesen për fëmijën ose vendosja e fëmijës në një institucion të përkujdesit për fëmijët, për një periudhë sa më të shkurtër kohe.
Parashikimi
Në rast se prindërit ose personat që kujdesen për fëmijën nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, për shkaqe që nuk varen prej vullnetit të tyre, nevojat minimale të fëmijës për strehim, ushqim, veshmbathje dhe edukim ofrohen nga shteti.
Ndihma për prindërit
Ligji parashikon që në rast se prindi, pavarësisht vullnetit, nuk arrin përmbushjen e detyrimeve ndaj fëmijës, njësia e mbrojtjes së fëmijës merr masa për të ndihmuar prindin në realizimin e detyrimeve ndaj fëmijës.
1. Detyrat e Këshillit Kombëtar në lidhje me të drejtat e fëmijës
Vlerëson gjendjen konkrete të respektimit të të drejtave të fëmijës në Shqipëri, duke marrë në konsideratë angazhimet shtetërore në kuadër të Konventës së të Drejtave të Fëmijëve dhe traktateve të tjera në fushën e të drejtave të njeriut;
Jep rekomandime të posaçme për Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës dhe autoritetet e tjera shtetërore, përgjegjëse në fushat përkatëse;
Bën propozime dhe jep rekomandime për Këshillin e Ministrave, për përmirësimin e legjislacionit në fushat përkatëse të zbatimit të të drejtave të fëmijëve.
Vlerëson dhe analizon zbatimin e politikave shtetërore dhe të programeve kombëtare e rajonale për mbrojtjen e fëmijës;
I propozon ministrit përgjegjës për bashkërendimin e çështjeve të të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijës programet kryesore shtetërore për mbrojtjen e fëmijës dhe drejtimin e politikave shtetërore për përmirësimin e gjendjes së trajtimit të tyre;
Rekomandon shërbime dhe programe të orientuara për fëmijët dhe familjet e tyre;
Rekomandon shërbime dhe programe parandaluese ndërsektoriale për mbrojtjen e fëmijëve;
Bën propozime dhe jep rekomandime për përmirësimin e legjislacionit në fushën e mbrojtjes së fëmijës.
Bashkitë zbatojnë procedurat për mbrojtjen e fëmijëve në nevojë
Ligji për mbrojtjen e fëmijëve parashikon që bashkitë janë përgjegjëse për ngritjen në nivel bashkie dhe në nivel njësie administrative në varësi të tyre të strukturave përkatëse për mbrojtjen e fëmijëve, në zbatim të standardeve dhe, nëpërmjet tyre, të një sistemi të integruar të mbrojtjes së fëmijës.
Bashkitë janë të detyruara për të bërë pasqyrimin dhe respektimin e të drejtave të fëmijëve në planet e zhvillimit vendor, në programet dhe projektet, në përputhje me politikat kombëtare.
Po ashtu, ligji i ngarkon për parashikimin, në buxhetet e tyre, të fondeve për realizimin progresiv të të drejtave të fëmijëve dhe zhvillimin e programeve dhe projekteve për të garantuar të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve, për parandalimin dhe reduktimin e faktorëve që vënë në rrezik jetën dhe integritetin moral, fizik, psikologjik e emocional të fëmijëve.
Po sipas ligjit, njësitë vendore ngarkohen të realizojnë mbledhjen, analizimin dhe raportimin e të dhënave, në bashkëpunim me institucionet e tjera vendore, për situatën e të drejtave të fëmijëve dhe familjeve, me qëllim hartimin e programeve që krijojnë e një ambient mbështetës për zhvillimin optimal të fëmijëve. “Zbatimin e politikave kombëtare të mbrojtjes së fëmijëve dhe masave të mbrojtjes, siç parashikohen në këtë ligj.
Ngritjen e strukturave të mbrojtjes së fëmijëve, sipas këtij ligji, duke krijuar kushtet për funksionimin e tyre, në përmbushje të funksioneve të përcaktuara në këtë ligj, përfshirë edhe shpërndarjen e fondeve përkatëse, në mënyrë që strukturat për mbrojtjen e fëmijëve në nivel vendor të funksionojnë në mënyrë efikase.
Zbatimin e procedurës për menaxhimin e rasteve të fëmijëve në nevojë për mbrojtje si dhe për ngritjen e koordinimin e sistemit të referimit, raportimit, të marrjes në mbrojtje dhe të ndjekjes së rasteve të fëmijëve në nevojë për mbrojtje nëpërmjet strukturave të saj.
Organizimin dhe ofrimin e shërbimeve për fëmijët në nevojë për mbrojtje, shërbimeve me bazë komunitare për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e fëmijës si dhe shërbimeve mbështetëse për familjet e shërbime të përkujdesjes alternative për fëmijët”, thuhet në ligj.
Detyra për bashkitë
Ligji për mbrojtjen e fëmijëve parashikon që bashkitë janë përgjegjëse për ngritjen në nivel bashkie dhe në nivel njësie administrative në varësi të tyre të strukturave përkatëse për mbrojtjen e fëmijëve.
dy.b/shqiptarja.com