Fatmir Mura, ose gjeniu i rërës

Fatmir Mura, ose gjeniu i rërës<br>

Të gjithë kanë një frymëzim apo një ëndërr që ka nisur nga diçka e rastësishme apo krejt periferike. Dikush një ëndërr fëmijërie; një pasazh i lexuar nëpër libra, apo i parë në filma; një trashëgimi e familjes; apo diçka tjeter. Por personazhi ynë e ka zbuluar muzën që do i zgjonte një dhunti të fjetur pas një publiciteti rastësor në televizion. Quhet Fatmir Mura dhe vjen nga Vlora. Më poshtë po e sjellim në një rrëfim të sinqertë të gjeniut të rërës, për veten, familjen dhe padyshim për dhuntinë e tij në artin e rrallë, çka e ka bërë të famshëm jo vetëm në vendlindje apo Itali, athdheun e dytë, por edhe me gjerë...

Cili është Fatmir Mura? Individi, emigranti, artisti?
Një person normal, i luaje dhe dëfreheshe me fëmijët e tjerë. Kështu që loja ishte pjesë kryesore e jetës tonë dhe ushqim për të forcuar kurajon dhe vendosmërinë për të përballuar çdo situatë. Në moshën 16 vjeç emigrova për në Greqi duke e kaluar kufirin në këmbë rreth 6 herë radhazi.Çdo udhëtim ishte shumë i vështirë dhe zgjaste 6 ditë, rreth 360 km në këmbë. Sa herë që mbërrinim tek stacioni i parë i trenit, më i afërti në qytetin Kallabakë policia lokale na kapte dhe na kthente mbrapsht bashkë me emigrantët e tjerë sepse nuk ishim të pajisur me dokumenta të rregullta për të qëndruar, kështu që prisnim 2-3 ditë, derisa mbushej autobusi dhe na dërgonin në Kakavijë. Kështu që më duhej të prisja dy-tre muaj apo edhe më shumë që të plotësoja përsëri lekët e duhura për tu nisur sërish në këmbë me shpresën se gjithçka do shkonte mirë. E kështu me radhë vazhdova të udhëtoj deri sa herën e gjashtë më shkoi mbarë dhe arrita më në fund në Athinë ku qëndrova për një përiudhë të gjatë, 6 vjeçare pa shkëputje. Ditën punoja në ndërtim dhe në darkë vazhdoja kurse private në shkolla të ndryshme, si kërcime latine, teatër, pantomime, etj. Këto kurse ishin dëshirat e mia qëkur isha i vogël dhe sigurisht ishin hapat e para drejt botës së artit dhe spektaklit. Mbas këtyre 6 vjetëve vendosa të emigroj për në Itali dhe kështu veprova. Udhëtimin e bëra me skaf nga Vlora deri në Brindizi pastaj mora trenin drejt Firences ku tashmë kam krijuar familjen time dhe jetoj këtu.

Çdo artist ka muzë. Cila është muza juaj?
Muza ime ka qenë dhe është gjithmonë muzika, ëndërroj dhe frymezohem gjithnjë nëpërmjet saj. Ka qenë gjithmonë kështu qëkur isha i vogël.Sa herë që doja të ëndërroja, mbyllja sytë dhe me shoqërinë e muzikës kapërceja çdo kufi të imagjinatës time. Ndihesha i mbështjellë nga një rrënqethje të lëkurës, e cila më bënte të ndihesha i lumtur. Edhe pse e dija se pas imagjinatës më priste “realiteti” të cilën duhej ta përballoja. Ëndërrimi për mua ka qenë faktori kryesor i krijimtarisë time. Ndihesha i lumtur, për këtë arsye kam ndjekur ëndërrat e mia.

Si keni mbërritur deri këtu?
Unë kam mbërritur deri këtu ku jam falë sakrificës dhe vuajteve nga e kaluara, përvoja dhe eksperienca e jetës më ka ndihmuar që të jem i vendosur dhe me këmbët në tokë.

Si ka qenë jeta juaj? Veçoni momentin më të bukur e atë më të vështirë.
Momenti më i vështirë ka qenë periudha nga adoleshenca deri sa arrita të stabilizohem dhe të pajisem me dokumenta qëndrimi të rregullta. Kjo për mua ishte shumë e rëndësishme dhe njëkohësisht e domosdoshme për të arritur qëllimet e mia në lidhje me jeten edhe me profesionin. Momentet më të bukura kanë qenë kur u bëra baba, më 2006, si dhe kur fitova emisionin “Ti Vlen” në Top Channel 2009.

Kur e zbuluat artin e rërës?
Artin e rërës e zbulova krejt rastësisht, nga një publicitet në TV. Gjatë asaj kohe isha në kërkim të shprehjeve të reja artistike dhe në momentin që po shihja publicitetin me rërë po flisja me veten time: Fantazia nuk ka kufij kështu që rëra më jep mundësinë të shpreh çdo dëshirë apo emocion që unë provoj. Dhe nuk është e përsëritshme si një sekuencë vallëzimi apo një performancë tradicionale.

Sa i shpërblyer ndiheni me artin tuaj?
Sigurisht që ndihem shumë i shpërblyer përsa i përket artit të rërës dhe nuk mund ta përcaktoj në numra apo ndonjë masë tjetër. Di të them se aktualisht arti i rërës më plotëson dhe më kompleton si artist, më jep mundësinë të udhëtoj nëpër botë dhe njëkohësisht më plotëson nevojat ekonomike për të jetuar.

Çfarë pëlqeni tek vetja dhe çfarë do korrigjonit?
Ato që pëlqej tek vetja janë: krijimtaria, vendosmëria dhe të qënit i thjeshtë. Unë jam paksa permaloz dhe nuk harroj shpejt nëse lëndohem ose ofendohem nga dikush, edhe sikur të jetë një prej personave të afërt. E kam të vështirë të hapem përsëri ndaj më duhet kohë dhe ndihmë që ta kaloj. Jam njeri i rezervuar dhe nuk hapem lehtë me personat që nuk kam konfidencë, kurse në lojë dhe argëtim jam krejt i kundërt, përkundrazi i çiltër i qeshur dhe lider i grupit.

Çfarë i ofron Italia një artisti shqiptar? Po vendlindja?
Territori i Italisë është shumë i madh dhe më jep shumë mundësira për punë. Unë punoj vazhdimisht si në Itali ashtu edhe jashtë saj. Kurse në Shqipëri ka raste të punoj një herë në vit ose një herë në dy vjet. Varet nga kërkesat e programeve televizive. Kërkesat private akoma nuk kanë filluar.

Çdo të thotë të shkëlqesh njëherësh në disa fusha të artit?
Të shkëlqesh njëherësh nuk është e zakonshme, mua më ndodhi sepse i kisha kultivuar në “komodinë” ëndërrat dhe kur mora guximin të hyja në botën e artit isha i gatshëm të veproja dhe kisha bagazhin e duhur për të ecur, ndaj më ndodhi kështu. Megjithatë kur e sheh që në disa fusha je i prirur dhe shkëlqen, është e pamundur të mos ndihesh i lumtur.

A ka arti moshë? Po limite?
Arti patjetër që nuk ka moshë dhe limite. Unë besoj se secili nga ne e ka venën artistike breda vetvetes, varet se kur dhe kush përpiqet ta nxjerrë dhe ta zhvillojë. Shumica e personave këtu në Itali e ndjekin artin kur dalin në pension. Sepse, ndosha, kanë më tepër kohë. Ky aspekt nuk më pëlqen sepse në rradhë të parë personat nuk i ndjekin ëndërrat e tyre duke u përshatur rrethanave të jetës dhe duke menduar se do i ndjekin ëndërrat kur të kenë kohë, pa dhënë rëndësi moshës e cila është shumë kryesore përsa i përket krijimtarisë. Ndryshe ëndërron kur je fëmijë dhe ndryshe kur je i moshuar.

Cili moment i ditës është më produktiv për juve?
Momenti me produktiv për mua është nata. Gjallëria dhe zhurmat e ditës nuk më ndihmojnë të përqendrohem plotësisht në krijimtari. Nata, hëna dhe yjet kanë qenë gjithnjë frymëzim për poetët, filozofët, artistët etj.

Familja juaj cilën pjesë të artit zë?
Familja ime është gjithmonë prezente me artin tim dhe në të shumten e rasteve komunikoj dhe vendos bashkë me ta për krijimet e reja.

Do të ndaje me lexuesit tanë ndonjë sekret qoftë edhe të vogël profesional?
Unë nuk kam kushedi se cfarë sekretesh ne lidhje me profesionin. Gjithësesi sekreti më i madh në lidhje me krijimtarinë është të lozurit dhe argëtimi, njësoj si një fëmije. Pa kushte, pa kufizime dhe pa kondicione. Kur dikush argetohet është komplet i lirë, kështu ndodh kur krijoj apo luaj me rërën pa objektiv, thjesht bëj lëvizje me rërën për të cliruar dorën dhe mendjen. Frymëzimi dhe fantazia vjen lirshëm dhe natyrisht po u sforcove veten bllokohesh dhe nuk prodhon!

Çfarë pengu keni nga jeta?
Nga jeta ime pengu më i madh është mungesa dhe mbështeja e familjes.

Nëse nuk do ishit ky që jeni, ku do e shihni veten?
Nëse nuk do isha ky që jam do e shihja veten si një numër. Pjesë e ingranazhit të një sistemi, i cili pret prej meje që të prodhojë dhe konsumojë. Nuk do të isha pronar i kohës time por do e blija kohën e lirë. Artistët të paktën e kanë këtë privilegj, ata shtojnë kohë në kohën e tyre dhe u tepron…

Fatmir Mura
Fatmir Mura
Fatmir Mura
Fatmir Mura

d.b/shqiptarja.com

/xy/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sot në 13:30 Man. City - Everton, Armando Broja e nis nga stoli

Sot në 13:30 Man. City - Everton, Armando Broja e nis nga stoli