Parlamenti miratoi javën e shkuar ngritjen e një grupi parlamentar për marrëdhëniet me arbëreshët. Pse u pa e nevojshme një vendimmarrje e tillë?
Besoj se nuk ka shqiptar, kudo që ndodhet që nuk e di se kush janë arbëreshët e Italisë dhe cila është historia e tyre e pazakontë e ruajtjes dhe transmetimit brez pas brezi të gjuhës dhe identitetit arbëror që nga Mesjeta e hershme deri në ditët tona. Arbëreshët kanë mundur të mbajnë dhe ta përcjellin brez pas brezi, për më shumë se 6 shekuj, identitetin e tyre nëpërmjet përdorimit të gjuhës shqipe, traditave, zakoneve, kulturës e mënyrës së jetesës, besimit e riteve fetare etj. Qëndresa e vetëdijshme dhe krenare e tyre i kanë bërë ata si një nga rastet unikale në botë e në të gjitha kohërat, që një sfond historik i një shoqërie të tërë në periudhën e Mesjetës të sillet e konservuar deri në ditët tona, si një relikt dhe njëkohësisht si një pasuri e rrallë, jo vetëm për historiografinë dhe albanologjinë shqiptare, por edhe për trashëgiminë kulturore botërore. Por në kohën e sotme për shkak të tendencave globalizuese në çdo aspekt të veprimtarisë njerëzore, problemeve ekonomike dhe të zhvillimeve të diferencuara të ekonomisë në Jugun e Italisë, nevojave për punësim drejt veriut të Italisë apo vendeve të tjera, nevojat për shkollim drejt metropolit, por edhe ndikimi i jashtëzakonshëm i mediave dhe mjeteve të tjera të komunikimit publik, ka sjellë si rrezik potencial fenomenin e braktisjes së vendbanimeve historike të arbëreshëve dhe, për rrjedhojë, mospërdorimin e gjuhës, asimilimin e ngadaltë dhe humbjen e identitetit. Ndaj dhe një vendimmarrje e tillë vjen si nevojë që edhe Shqipëria të jetë më afër, më bashkëpunuese dhe më e dobishme për të ndikuar fuqimisht në ruajtjen e forcimin e asaj pasurie që ata vetë mundën ta ruajnë për 6 shekuj, gjuhën, kulturën, besimin dhe gjithë elementet identitetare shqiptare. Nga ana tjetër hapja e vendit tonë me botën dhe aspirata për të aderuar në Evropën e Bashkuar e bën të natyrshme dhe me përparësi intensifikimin e marrëdhënieve në të gjitha fushat në radhë të parë me italo-shqiptarët evropianë të përtejdetit, arbëreshët. Arbëreshët kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin dhe kanë kërkuar mbështetje konkrete nga shteti shqiptar për rrezikun e humbjes së gjuhës dhe kulturës arbëreshe në kushtet globalizimit dhe integrimit në shoqërinë italiane e atë evropiane, papunësinë si fenomen kronik dhe, si pasoje, braktisjen e trojeve arbëreshe drejt metropolit, nevojën për tekste shkollore dhe intensifikimin e shkëmbimeve kulturore – shkencore, prezencë gjithmonë e më të madhe të faktorit shqiptar në komunitetin arbëresh për njohjen më të mirë të njëri – tjetrit. Për këtë u mbajt parasysh edhe porosia e Kryetarit të Kuvendit, z. Meta, pas vizitës së tij dhe delegacionit nga Kuvendi për të studiuar mundësinë e ngritjes dhe funksionimit të një grupi, seksioni apo komisioni parlamentar për marrëdhëniet me arbëreshët e Italisë, i përbërë nga disa deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, i cili do të krijojë, zgjerojë dhe mbajë lidhje të përhershme dhe institucionale me komunat arbëreshe, si dhe institucionet e tjera studimore, kulturore e shoqërore, duke koordinuar edhe kontaktet me institucionet përkatëse në Republikën e Shqipërisë.
Çfarë objektivash keni në drejtimin e këtij grupi?
Grupi sapo është votuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe do të mblidhet së shpejti për të hartuar një program pune dhe vendosjen e kontakteve institucionale me komunat arbëreshe, organizatat e shoqatat joqeveritare që veprojnë në fusha të ndryshme ekonomike, kulturore, të biznesit, turistike etj, katedrat e gjuhës shqipe në disa universitete të Italisë, por edhe individë arbëreshë të shquar e të njohur nga fusha të ndryshme të jetës politike, ekonomike, shoqërore e kulturore. Këto objektiva rrjedhin nga nevoja e ndërtimit, forcimit dhe zgjerimit në kushtet aktuale të hapjes së Shqipërisë të marrëdhënieve mbi bazën institucionale, fusha më interes të përbashkët, siç janë shkëmbimet tregtare, përvoja në bujqësi dhe përpunimin e produkteve bujqësore, investimet e biznesmenëve arbëreshë në Shqipëri, në fushën e turizmit, sidomos atij historik e kulturor.
Do të keni një kalendar veprimtarish në kuadër të këtij grupimi të ri?
Nga ky program punë, i cili do t’i bëhet i njohur kryetarit të Kuvendit, që ishte dhe ideator i kësaj nisme, do të hartohet dhe publikohet një kalendar veprimtarish për grupin, duke filluar me shkëmbimin e vizitave të ndërsjellta e takimet midis palëve për trajtimin e problemeve të ndërsjellta, kërkesat e mundësitë e bashkëpunimit dhe fushat përkatëse me interes të përbashkët, e deri në hartimin e programeve të përbashkëta të veprimtarive, kryesisht në fushën e arsimit, kulturës, turizmit, por edhe në fusha të tjera si biznesi, agrokultura, thithja e investimeve, shkëmbimi i përvojës etj. Kështu, për shembull, është menduar që ta fillojmë me nxënësit e të rinjtë, që në ditët e para të janarit do të ftohen për një vizitë 4 – 5 ditore një grup me 40 nxënës e të rinj të Kolegjit të San Demetrio Corone (Shën Mitri), ku mësohet edhe gjuha shqipe si lëndë, të cilët do të vizitojnë Shqipërinë, si dhe takime me bashkëmoshatarët e tyre në shkollat shqiptare. Në muajt në vazhdim një grup nxënësish të dalluar nga Shqipëria do të vizitojnë komunitetet arbëreshe dhe moshatarët e tyre të Kolegjit. Ndërkohë që ka filluar përgatitja për takime të organizuara në Tiranë të drejtuesve të komunave arbëreshe, të cilët do të marrin kontakte me drejtues e specialistë të institucioneve qendrore e lokale në Shqipëri. Një program i gjerë është ideuar për binjakëzimin e komunave arbëreshe me bashkitë e vendit tonë, etj.
Cila është historia e marrëdhënieve parlamentare të deritanishme mes Shqipërisë dhe komunitetit arbëresh?
Arbëreshët janë parë gjithmonë nga Shqipëria si një relikt i çmuar, me admirim e si një krenari kombëtare, por gjithmonë në mënyrë folklorike. Ka pasur pak shkëmbime ansamblesh apo grupesh artistike, sidomos në festivalet folklorike, pjesëmarrje të studiuesve arbëreshë në konferencat shkencore të organizuara në Shqipëri, por edhe një dhuratë të çmuar nga shteti shqiptar i kohës për të gjitha komunat arbëreshe: bustin e Skënderbeut të derdhur në bronz, vepër e skulptorit të njohur Odhise Paskali, të cilat sot janë vendosur në sheshet kryesore të këtyre komunave arbëreshe. Pas viteve ’90 ka pasur një intensifikim të shkëmbimeve në fushën arsimore e studimore midis Universitetit të Tiranës dhe Katedrave të Gjuhës Shqipe të Universiteteve të Kozencës, Palermos, Romës e Napolit deri në dërgimin e pedagogëve nga Tirana në këto katedra, por pothuaj asnjë marrëdhënie në fusha të tjera. Por janë intensifikuar lidhjet institucionale me arbëreshët nëpërmjet Ambasadës sonë në Romë, kryesisht nëpërmjet kontakteve më të drejtpërdrejta dhe pjesëmarrjes në festat dhe veprimtaritë e ndryshme e organizuara në komunat arbëreshe. Vizita e kryetarit të Kuvendit, z. Meta vitin e kaluar në 5 komuna arbëreshe, të bashkuara në Shoqatën “Arbëria” të provincës së Kozencës në Kalabri, i dha një hov dhe kuptim institucional marrëdhënieve me arbëreshët. Që nga ajo kohë disa delegacione nga Kuvendi i Shqipërisë kanë vizituar komuna të ndryshme arbëreshe, por edhe disa drejtues komunash e personalitete kanë qenë në vendin tonë të ftuar nga Kuvendi.
A është e ndershme përqendrimi vetëm në këtë pjesë të diasporës së hershme, duke përjashtuar kështu të ngjashmit si arvanitasit, apo edhe shqiptarët e tjerë që sot për arsye historike ndodhen jashtë kufijve?
Kjo nismë nuk përjashton interesimin dhe marrëdhënien e Kuvendit me shqiptarët e tjerë që ndodhen jashtë kufijve, por besoj se të gjithë biem dakord se historia 600 – vjeçare e Arbëreshëve dhe mbijetesa e tyre është një histori unikale jo vetëm për botën shqiptare, por për gjithë kulturën botërore; është një pasuri e trashëgimisë kulturore botërore, sot seriozisht e rrezikuar e që duhet të kontribuojmë të gjithë për ta mbrojtur. Nëse marrëdhëniet tona me vëllezërit e përtejdetit do të vazhdojmë ti mbajmë si kortezi e në nivel folklorik, nesër do të jetë vonë e do të kumbisnim një margaritar që do ta bënte më të varfër historinë e shqiptarëve e me më pak kuptim krenarinë tonë kombëtare.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com