Furnizimi me ujë tek ne vijon të përballet me sfida të shumta, si mungesë të ujit të pijshëm 24 orë në 24, humbje teknike të larta, faturim ende jo i plotë, fragmentarizim institucionesh dhe mungesë investimesh afatgjata.

Faza e parë e reformës së ujit

Edhe pse gjatë fazës së parë të reformës së ujit në vitet 2021–2025 u investuan 250 milionë euro në rrjete ujësjellësish të rinj, të zgjeruar ose përmirësuar, në kanalizime të reja, në impiante të reja filtrimi, në impiante të reja të trajtimit të ujërave të ndotura, etj., sërish qytetarët sot vijojnë me të drejtë të ankohen për mungesën e ujit 24 orë në 24 në shumë qytete të vendit.

Ndryshimet me nisjen e reformës së ujit
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mori 51 përqind të kapitalit dhe të drejtën e vendimarrjes tek ujësjellësat
Numri i operatorëve (ndërmarrjeve të bashkuara të ujësjellësit) u konsolidua nga 58 në 15 ndërmarrje rajonale më të përqëndruara dhe më të fuqishme
Arkëtimi i faturave u rrit nga 62% në 85% (2021-2025)
Humbjet e ujit u reduktuan nga 65% në 45% mesatarisht

 Në këta pesë vjet, janë rehabilituar 1,200 km ujësjellës, gërmuar e shtruar 320 km rrjet kanalizimesh të reja, 20 impiante të reja filtrimi dhe klorimi për përmirësimin e cilësisë së ujit, si dhe 8 impiante të trajtimit të ujërave të ndotura.

Arkëtimi i faturave të ujit u rrit nga 62% në vitin 2021 në 85% këtë vit, ndërsa humbjet e ujit u pakësuan nga 65% në 45%.

Mbulimi me furnizim të rregullt me ujë u rrit nga 78% në 88%. Sot 75% e zonave urbane kanë ujë 24 orë në 24, nga 52% që ishin në vitin 2021, ndërsa 40 përqind e zonave rurale u përfshinë për herë të parë në rrjetin e ujësjellësit. Popullsia e mbuluar me shërbime kanalizimi u rrit nga 55% në 70%.

Fondet e angazhuara 2021-2025
Buxheti i Shtetit                                112 mln euro
Të ardhurat e vetë operatorëve        88 mln euro (35%)
Donatorët (BERZH, BE, KfW)           50 mln euro
Fondi Kombëtar i Ujit                        10 mln euro
Totali: 260 mln euro

A na duhet Operatori i Prodhimit të Ujit?

Për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe me cilësi të garantuar, qeveria propozoi këto ditë krijimin më 1 janar 2026 të një Operatori Kombëtar të Prodhimit të Ujit.

Struktura e re do të fokusohet në prodhimin, trajtimin dhe sigurimin e cilësisë së ujit të pijshëm. Do jetë e ndarë nga funksionet e shpërndarjes dhe faturimit të ujit, që mbeten tek të 15 shoqëritë e ujësjellësve.

Pse ta centralizojmë prodhimin e ujit?
Shqipëria përballet ende me:
a) mungesë furnizimi 24/7
b) humbje te medha te ujit
c) infrastrukturë të amortizuar dhe
d) cilësi të pabarabartë të ujit
• Mungesë investimesh dhe planesh afatgjata
• Shfrytëzim jo i qëndrueshëm i burimeve ujore

Po pse na shërben Operatori Kombëtar i Prodhimit të Ujit? Kjo strukturë do të provojë të shfrytëzojë burimet tona ujore në mënyrë të qëndrueshme, në përputhje me planet kombëtare të menaxhimit të ujërave.  Ajo do të ndërtojë, administrojë dhe mirëmbajë impiantet e prodhimit (depozita, pompime, impiante filtrimi dhe trajtimi). Nga ana tjetër, do të kontrollojë cilësisë së ujit, duke zbatuar standardet e BE-së dhe të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për ujin e pijshëm.  Po ashtu, do të koordinojë me operatorët e shpërndarjes, për të garantuar furnizim të pandërprerë dhe të barabartë për familjet tona.

Dhe kryesorja, do të planifikojë investime afatgjata, duke marrë parasysh zhvendsojen e popullsisë dhe zhvillimin urban dhe rural tonin. Për shembull, zona e Golemit me 30 mijë banorë, në periudhën qershor-shtator u siguron ujë të pijshëm 300 mije banorëve, shumica pushues. Nuk ka nevojë për investime kjo zonë?

Ç’fitojmë me këtë operator?

Së pari, Operatori i Prodhimit të Ujit do të sigurojë mbrojtje më të fortë për vetë burimet ujore, të cilat janë të keqpërdorura deri tani. Do t’i rrethojë fizikisht ato, që askush të mos afrohet pa pasur punë në to. Do të sigurojë sisteme monitorimi me kamera dhe sisteme alarmi.

Së dyti, ai do të shënojë një përshpejtim të modernizimit teknologjik në impiantet e ujit. Ky modernizim nuk ka si të bëhet sot nga 15 ndërmarrjet rajonale. Flasim për sigurinë e një produkti, i cili shpërndahet në çdo shtëpi dhe duhet të jetë i kontrolluar nga burimi deri në rubinet. Dhe kjo të bëhet përmes të gjithë fibrave optike, të cilat do të shoqërojnë të gjitha investimet prej këtej e tutje. Operatori do të ketë edhe një njësi të dedikuar për kërkimin dhe teknologjinë. Kjo njësi do të na japë mundësinë që të kemi zhvillime të herëpashershme teknologjike, bazuar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare, duke përfshirë të gjithë partnerët e huaj, si Banka Botërore, etj.

Së treti, operatori do të fuqizojë kontrollin e cilësisë së ujit, përmes laboratorëve rajonalë dhe një mbikëqyrjeje të pavarur. Përmes tij do të jetë më e lehtë sigurimi i burimeve të financimit nga Buxheti i Shtetit, donatorët ndërkombëtarë dhe partneritetet publike-private për impiante të reja. Operatori do të na japë siguri si qytetarë, për pasjen e një sistemi të unifikuar, jo të copëtuar në 58 bashki, i cili garanton ujë të pijshëm të sigurt për të gjithë, pavarësisht vendbanimit.

Së katërti, operatori na mundëson cilësi dhe standarde të njëjta për ujin nga rubineti i shtëpisë, pasi centralizimi lejon aplikimin e protokolleve të përbashkëta për filtrimin dhe monitorimin e ujit. Investimet e tij të përqendruara ulin koston për njësi të ujit të prodhuar. Nga ana tjetër, rehabilitimi i impianteve të ujit dhe përdorimi i teknologjive moderne redukton ndjeshëm humbjet në rrjet.

Së pesti, Operatori i Prodhimit të Ujit do të jetë në gjendje të hartojë plane 10–15-vjeçare për prodhimin e ujit, bazuar në projeksionet e popullsisë dhe zhvillimit urban. Ai do të jetë në sy të të gjithëve, përmes transparencës dhe raportimit të rregullt mbi cilësinë dhe sasinë e ujit. Kjo forcon besimin e qytetarëve dhe nxit pagesën e faturave.

Së gjashti, do të kemi shëndet publik më të mirë falë ujit të pijshëm të sigurt, si dhe kursime ekonomike për familjet dhe bizneset, që nuk kanë më nevojë të instalojnë pompa apo filtra privatë. Do të mundësojmë, më në fund, përshtatjen me standardet e BE-së për ujin e pijshëm, si pjesë e procesit të integrimit evropian.

Së shtati, operatori do të ndihmojë edhe bashkitë të rrisin të ardhurat, pasi ujësjellësat lokalë do të fokusohen vetëm te shpërndarja dhe shërbimi ndaj klientit.

Një Operator i Prodhimit të Ujit, me katër qendra rajonale, nuk është thjesht një strukturë e re administrative, por një mekanizëm kyç për të garantuar një nga të drejtat themelore të qytetarëve: ujin e pijshëm.
Pa këtë strukturë, Shqipëria rrezikonte të mbetej me një sektor ujësjellësi të fragmentuar dhe joefektiv, që nuk përmbush dot nevojat dhe pritshmëritë e qytetarëve, as edhe kërkesat e integrimit evropian.