Në mesin e pak të ftuarve perëndimorë në Forumin Ekonomik të Shën Petersburgut, aktiviteti i organizuar javën e kaluar nga regjimi rus, ishin edhe vëllezërit Andrew dhe Tristan Tate.
Ish-boksierët me shtetësi amerikane dhe britanike njihen si figura të “manosferës”, një rrjet faqesh dhe kanalesh në rrjetet sociale që promovojnë ide mizogjene dhe pretendimin se burrat janë natyrshëm superiorë ndaj grave.
Andrew Tate, i cili e ka cilësuar veten publikisht si mizogjen, ka fituar miliona dollarë dhe miliona ndjekës në internet duke promovuar atë që e paraqet si një stil jetese “hiper-mashkullor”, por që kritikët e konsiderojnë të dhunshëm dhe degradues ndaj grave.
Vëllezërit Tate janë nën hetim në Rumani që prej vitit 2022 për akuza të ndryshme, mes tyre trafikim qeniesh njerëzore, trafikim të të miturve, marrëdhënie seksuale me të mitur, pastrim parash, si dhe nxitje të urrejtjes dhe diskriminimit ndaj grave.
Andrew Tate përballet gjithashtu me 10 akuza në Britaninë e Madhe, përfshirë përdhunim, plagosje, trafikim qeniesh njerëzore dhe shfrytëzim të prostitucionit për përfitime financiare.
Dy vëllezërit i kanë mohuar vazhdimisht të gjitha akuzat, duke u paraqitur si viktima të sistemit dhe mbrojtës të lirisë së fjalës. Ata kanë fituar mbështetje të konsiderueshme brenda lëvizjes MAGA në SHBA, ku janë intervistuar dhe mbrojtur nga figura të njohura të së djathtës amerikane, si Tucker Carlson dhe Candace Owens. Edhe podkasteri Joe Rogan u ka kushtuar disa episode në emisionin e tij.
Mes mbështetësve të tyre publikë janë përmendur edhe Donald Trump Jr. dhe Charlie Kirk.
Pas nisjes së hetimeve ndaj tyre në Rumani, vëllezërit Tate u arrestuan, më pas u vendosën në arrest shtëpie dhe në fund iu nënshtruan vetëm detyrimit për t’u paraqitur periodikisht pranë autoriteteve. Autoritetet rumune u kishin ndaluar të largoheshin nga vendi, por pas rizgjedhjes së Donald Trump masat ndaj tyre u zbutën gradualisht. Në prill, një gjykatë rumune hoqi të gjitha masat paraprake të kontrollit gjyqësor ndaj tyre. Vetë vëllezërit Tate kanë pretenduar se kjo ndodhi falë presionit të administratës Trump. Sipas artikullit, ky pretendim nuk është aq i pabesueshëm sa mund të duket.
Andrew Tate është mburrur disa herë publikisht me miqësinë e tij me familjen Trump, veçanërisht me Barron Trump dhe Donald Trump Jr.. Ndërkohë, një prej ish-avokatëve të tij është bërë zyrtar i administratës Trump, përgjegjës për marrëdhëniet me Departamentin e Drejtësisë.
Për vëllezërit Tate, dhe veçanërisht për Andrew Tate, prej vitesh flitet shumw. Ata pwrshkruhen si figura të njohura të “manosferës”, të akuzuar se kanë trafikuar dhe shfrytëzuar gra duke i detyruar të punonin në industrinë e pornografisë online.
Por një investigim i gjerë i revistës The New Yorker, i firmosur nga gazetarja britanike Heidi Blake, i bazuar në dëshmitë e dhjetëra grave dhe dokumente hetimore, paraqet një tablo edhe më të rëndë. Sipas investigimit, Andrew dhe Tristan Tate fillimisht do të kenë shfrytëzuar gra duke i manipuluar dhe, në disa raste, duke përdorur dhunë për t’i futur në industrinë e pornografisë online, ndërsa më pas u shndërruan në influencerë duke promovuar publikisht pikërisht këtë model sjelljeje.
Sipas artikullit, vetë vëllezërit Tate e kanë përshkruar veten si “pimp”, pra tutorë që kontrollojnë dhe përfitojnë nga puna e grave në industrinë e seksit.
“Puna me kamera në internet, ndryshe nga prostitucioni, është përgjithësisht e ligjshme. Megjithatë, pothuajse kudo në botë është e paligjshme të rekrutohen punonjëse seksi përmes forcës, mashtrimit ose detyrimit, përfshirë manipulimin psikologjik”, shkruan Heidi Blake në investigimin e saj.
Sipas investigimit të Heidi Blake, Andrew dhe Tristan Tate ndiqnin një skemë të qëllimshme dhe të organizuar për të siguruar nënshtrimin psikologjik, fizik dhe ekonomik të viktimave të tyre. Gazetarja paralajmëron se shumë nga episodet e dokumentuara në artikull përmbajnë detaje tronditëse dhe një nivel të lartë dhune.
Metoda “Loverboy”
Sipas rrëfimit të Heidi Blake, Andrew Tate kontaktonte gra në internet dhe synonte veçanërisht vajza të reja e të pambrojtura, duke u shtirur sikur ishte i dashuruar me to. Ai u premtonte martesë ose një të ardhme së bashku, për t’i bindur më pas të shpërnguleshin dhe të punonin për të.
Sipas investigimit, Tate e kishte marrë këtë metodë nga Ken Ivy, një tutor i njohur nga Çikago, i cili e përshkruan atë në librat e tij Pimpology (Tutorllëku) dhe The Art of Human Chess (“Arti i shahut njerëzor”).
Në këto libra, Ivy e krahason joshjen me një lojë shahu, ku qëllimi është krijimi i varësisë së plotë të viktimës ndaj personit që e kontrollon. Sipas investigimit, këto ide përbëjnë bazën e metodës së njohur si “Loverboy”, e cila është përmendur shpesh edhe në hetimet ndaj vëllezërve Tate.
“Duhet të shkosh në shtrat me to dhe ato duhet të të duan. Kjo është thelbësore për biznesin” dhe “Duhet të jesh i pamëshirshëm në zanatin tënd si tutor”, thoshte Andrew Tate në një video të publikuar në War Room, platformën e tij me pagesë, e cila sipas artikullit kushtonte rreth 8 mijë euro në vit.
Platforma premtonte të “çlironte burrin modern nga robëria e imponuar nga shoqëria”, ndërsa përfshinte mësime për rekrutimin e grave për atë që përshkruhej si “skllavëri seksuale” dhe promovonte një program të quajtur “Pimping Hoes Degree” (“Diplomë për shfrytëzimin e prostitutave”).
Punë e detyruar në internet
Sipas investigimit të The New Yorker, pasi izoloheshin, gratë detyroheshin të prodhonin përmbajtje pornografike dhe të merrnin pjesë në shfaqje përmes kamerave online.
Artikulli pretendon se pas ankesave të para të bëra në Britaninë e Madhe, vëllezërit Tate u zhvendosën në Rumani, ku ngritën një kompleks të quajtur “American Village” në periferi të Bukureshtit. Sipas dëshmive të përfshira në investigim, vajzat mbaheshin aty nën mbikëqyrje, nuk mund të largoheshin lirisht dhe nuk lejoheshin të komunikonin me persona të tjerë pa miratimin e vëllezërve Tate. Investigimi pretendon gjithashtu se ata vazhdonin të kishin marrëdhënie seksuale me gratë që jetonin në kompleks, përfshirë edhe në grup.
Sipas investigimit të The New Yorker, para se të shtyheshin drejt prodhimit të përmbajtjeve pornografike online, disa prej grave detyroheshin të konsumonin sasi të mëdha alkooli. Njëra prej tyre ka treguar se pinte disa shishe verë gjatë çdo seance për t’u ndier më të shfrenuara.
Gazetarja Heidi Blake shkruan se pjesa më e madhe e fitimeve mbahej nga vëllezërit Tate, ndërsa shumica e grave merrnin vetëm shuma të vogla parash. Sipas dëshmive të përfshira në investigim, atyre u hiqej autonomia financiare dhe personale, monitoroheshin vazhdimisht dhe në disa raste u merreshin pasaportat ose mbaheshin nën mbikëqyrje.
Artikulli pretendon gjithashtu se Tate dhe bashkëpunëtorët e tij i kërcënonin gratë me pasoja financiare ose me dhunë nëse përpiqeshin të largoheshin apo të kundërshtonin. Sipas investigimit, pagesa të konsiderueshme merrnin vetëm gratë që kishin rol në menaxhimin dhe kontrollin e vajzave të tjera.
Akuza për dhunë seksuale dhe dhunë fizike
Investigimi i The New Yorker përfshin dëshmi të shumta për marrëdhënie seksuale pa pëlqim dhe episode të rënda dhune fizike që i atribuohen Andrew Tate.
Sipas disa grave të intervistuara nga gazetarja Heidi Blake, Tate i sulmonte në momente të papritura dhe përdorte forcë fizike ndaj tyre. Dëshmitë pretendojnë se në disa raste gratë detyroheshin të kryenin marrëdhënie seksuale kundër vullnetit të tyre. Sipas investigimit, disa nga episodet e raportuara kanë ndodhur edhe pas marrëdhënieve seksuale që fillimisht kishin qenë konsensuale.
Artikulli thekson se disa prej grave vazhduan të qëndronin ose të punonin me vëllezërit Tate edhe kur kishin mundësi të largoheshin, pasi ndiheshin të bllokuara, pa alternativa ose vinin nga kushte të vështira ekonomike dhe sociale.
Akuza të ngjashme, sipas investigimit, janë ngritur edhe ndaj Tristan Tate. Artikulli shton se dy vëllezërit kanë fëmijë me disa nga gratë me të cilat kanë pasur marrëdhënie dhe se ata kanë shprehur publikisht bindjen se duhet të kenë sa më shumë pasardhës.
Një grup i organizuar kriminal
Investigimi i The New Yorker përshkruan kompanitë dhe rrjetet private të vëllezërve Tate, përfshirë platformën “The War Room”, si struktura të organizuara për rekrutimin e bashkëpunëtorëve, kontrollin e viktimave dhe maksimizimin e fitimeve.
Sipas artikullit, të ardhurat e mëdha të gjeneruara nga platformat me kamera online dhe kurset në internet dyshohet se pastroheshin përmes investimeve në kriptomonedha.
Gjatë kontrolleve të kryera nga autoritetet rumune në kompleksin e vëllezërve Tate, policia gjeti para cash, armë, orë luksoze dhe një koleksion makinash superluksoze, përveç pronave që ata zotëronin në Rumani dhe Britaninë e Madhe.
Kush ishin viktimat
Sipas investigimit, shumë nga gratë që punonin për vëllezërit Tate vinin nga familje të varfra, kishin kaluar vështirësi ekonomike ose kishin qenë viktima abuzimesh më parë.
Artikulli përmend rastin e Bibiana Hruskovës, një vajzë nga Sllovakia, të cilën Andrew Tate e kishte njohur në vitin 2012, kur ai ishte 26 vjeç dhe ajo 15 vjeçe. Sipas rindërtimit të The New Yorker, ajo nisi të punonte për të në Britaninë e Madhe në vitin 2014, kur ishte 17 vjeçe.
Gazetarja Heidi Blake shkruan se Hruskova shfaqej në përmbajtje online me pseudonimin “KissofaCobra” dhe se Tate e kishte bindur të bënte një tatuazh kobre në trup, si edhe mbishkrimin “Tate Property”.
Sipas investigimit, Hruskova më vonë ndihmonte Tate në bindjen e grave të tjera që ai kishte rekrutuar për të punuar për të. Një prej grave të intervistuara e përshkroi atë si plotësisht të nënshtruar ndaj Tate dhe të paaftë për të marrë vendime në mënyrë të pavarur.
Një video i shpërndarë online në vitin 2016, kur Tate supozohej të merrte pjesë në Big Brother-in në Mbretërinë e Bashkuar, është veçanërisht shqetësues. Blake e përshkruan kështu:
“Tate është i shtrirë në një shtrat dhe urdhëron Hruskovën t’i tregojë kamerës tatuazhin e saj.
‘Pse shkruan Tate?’ e pyet ai.
‘Sepse jam k*rva e tij’, përgjigjet ajo.
‘Pse ke një mavijosje në të pasme?’
‘Sepse babai im më rreh.’
Tate merr një rrip dhe fillon ta godasë Hruskovën ndërsa ajo qëndron e shtrirë në pozicion fetal, duke qarë me ngashërim.
‘K*rvë, shiko kamerën’, i thotë ai, duke ia tërhequr kokën mbrapa nga flokët.
‘Kjo është ajo që ndodh kur nuk më dëgjon, dreqi ta hajë.’”
Tate, shpjegon Blake, ka thënë se videoja ishte realizuar në vitin 2012, kur vajza ishte 15 vjeç. Hruskova, të paktën publikisht, e ka mbrojtur gjithmonë Tate-in, megjithëse kohët e fundit duket se është distancuar prej tij, tregon Blake.
Pjesëmarrja e Tate-it në Big Brother u anulua jo për shkak të videos, por sepse policia e Hertfordshire-it e paralajmëroi produksionin se ndaj tij ekzistonin tre kallëzime.
Sipas investigimit të Heidi Blake, rasti që në vitin 2022 çoi në bastisjen e kompleksit të vëllezërve Tate në Rumani dhe në goditjen e aktiviteteve të tyre online nisi nga denoncimi i një muzikanteje të re nga Miami.
Sipas artikullit, Tristan Tate e kishte bindur të udhëtonte drejt Rumanisë me premtimin se do ta ndihmonte të ndërtonte një karrierë në muzikë. Kur ajo refuzoi të prodhonte përmbajtje pornografike online, njoftoi familjen dhe një mik të saj, ish-ushtarak i marinës amerikane, i cili më pas informoi autoritetet amerikane.
Blake shkruan se në vitet që pasuan, vëllezërit Tate dhe bashkëpunëtorët e tyre zhvilluan një fushatë për diskreditimin e saj. Sipas investigimit, gruaja jeton sot e fshehur.
Mes grave që kanë ngritur akuza ndaj vëllezërve Tate është edhe Lauren Southern, një aktiviste e njohur e krahut të djathtë në Kanada. Southern u bë e njohur në internet për një video ku shpjegonte pse nuk e konsideronte veten feministe dhe fitoi vëmendje në qarqet MAGA në SHBA.
Sipas dëshmisë së saj për The New Yorker, në vitin 2018 një i njohur e lidhi me Andrew Tate, i cili e ftoi në Rumani për të diskutuar krijimin e një rrjeti mediatik konservator ku ajo do të kishte një rol të rëndësishëm. Southern ka deklaruar për Blake se gjatë qëndrimit në Rumani, pas një darke së bashku, Tate e përdhunoi. Sipas rrëfimit të saj, ai e abuzoi seksualisht ndërsa e mbyste me duar dhe ajo humbiste e rifitonte vetëdijen.
Pas kësaj, ai u ul në buzë të krevatit dhe tha: ‘Mos i thuaj medias se të kam përdhunuar’”, shkruan Blake. Southern kujton se iu përgjigj: “I gjithë imazhi im publik bazohet pikërisht te fakti që flas për gratë që futen në situata të tilla. Nuk ka asgjë që mund të them pa shkatërruar karrierën time. Prandaj, urime”.
Southernit iu deshën vite, por më pas ndryshoi qëndrim. “Kur procesi civil në Britaninë e Madhe të shkojë në gjykatë, një nga dëshmitaret do të jetë Lauren Southern, ish-aktivistja e ekstremit të djathtë, e cila ndërkohë është distancuar nga shumë prej qëndrimeve të saj të mëparshme. Ajo më tha se vendosi të përfshihej pasi pa viktimat e tjera të Tate duke luftuar për të marrë drejtësi”, shkruan Blake.
“Ideja që kisha prova, që zotëroja dokumente mjekësore që mund t’i shtoheshin këtyre çështjeve dhe të mos bëja asgjë... po më gërryente nga brenda”, i ka thënë Southern gazetares.
Në pritje që hetimet penale dhe civile të ndjekin rrugën e tyre, vëllezërit Tate vazhdojnë të udhëtojnë nëpër botë si njerëz të lirë. Dhe vazhdojnë të jenë të preferuarit e lëvizjes MAGA. Ashtu siç vazhdojnë të jenë edhe të ftuar të regjimit rus./CorrieredellaSera
Komente




