Vajza e njeriut më të fuqishëm të botës, Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, nuk erdhi kot më datat 22-23 janar 2026 në Vlorë. Nuk takoi për formë studjo arkitekturore atje. I takoi për t’u konsultuar për projektin në Sazan me vlerë 1.4 miliardë dollarë dhe ndoshta edhe për një projekt të mundshëm në Zvërnec.
Pse Kushner e ka për zemër projektin në Vlorë?
Bashkëshorti i saj Jared Kushner, sipërmarrës me vlerë pasurie 1 miliardë dollarë amerikanë dhe ish-këshilltar politik i Presidentit Trump në vitet 2016-2020, i renditur nga Revista amerikane “Forbes” si ndër 15 personalitetet më me influencë sot në botë, për shkak të rolit të tij në Marrëveshjet Abrahams, që synonin nisjen e marrëdhënive të bashkëpunimit mes Arabisë Saudite dhe Izralit, si dhe rolit në arritjen e paqes në Gaza dhe në planin për rindërtimin e saj, që e paraqiti në Davos dy ditë më parë, e ka shumë për zemër projektin e Sazanit.
Rreth shtatë muaj më parë, më 26 qershor 2025, qeveria shqiptare rregjistroi në Qendrën Kombëtare të Biznesit(QKB) në Shqipëri një shoqëri aksionere(sh.a), me emrin “Albanian State Development & Real Estate” (në shqip, “Zhvillim Shtetëror dhe i Pasurive të Patundshme të Shqipërisë”), pak ditë pasi Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij Ivanka Trump vizituan Vlorën po në qershor 2025.
Kapitali i shoqërisë është 50 milionë lekë, të zotëruara 100 përqind nga Korporata e Investimeve Shqiptare, një strukturë shtetërore e varur nga kryeministri, e cila ka rreth dy vjet që po punon me projekte investimi me partnerë privatë vendas dhe të huaj.
Dhëndri i Donald Trump mori statusin e Investitorit Strategjik, me një vendim të 30 dhjetorit të vitit 2024 të Komitetit të Investimeve Strategjike të drejtuar nga kryeministri për Atlantic Incubation Partners LLC, shoqëri e të drejtës amerikane, e krijuar dhe e drejtuar nga Jared Kushner. Vendimi u dha për shkak të vlerës së lartë të investimit në projektin e paraqitur prej Kushner. Statusi iu dha kompanisë amerikane për një periudhë 10-vjeçare, gjatë të cilës ajo do të realizojë projektin e saj të investimit, të ndarë në tre faza.
Investimi në ishullin e Sazanit kap vlerën e 1.4 miliardë dollarëve dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8 përqind të ishullit, në një sipërfaqe prej 45 hektarësh. Nga projekti pritet të punësohen mbi një mijë persona.
Ky investim propozohet si një projekt i integruar me marinë turistike, si dhe struktura akomoduese elitare, rezidenca me standard të lartë, zona gastronomike, zona rekreacionale (të krijimtarisë sportive, kulturore dhe artistike), me shërbime në funksion të tyre.
Më 17 maj 2025, në një mesazh video në samitin e investimeve të huaja për Evropën në Tiranë, me pjesëmarrjen e Presidentit francez Makron, me titull “Përparësia: Evropa”, Kushner njoftoi se kishte angazhuar një nga inxhinierët më të mirë të projekteve miqësore me mjedisin në Evropë, për projektin e Sazanit. Ai foli dhe për simbiozën e projektit në Sazan me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Ivanka Trump dhe rritja e profilit ndërkombëtar të Shqipërisë
Vizita dyditore e Ivanka Trump në Vlorë, më 22–23 janar 2026, përbën një ngjarje me rëndësi të veçantë politike, ekonomike dhe simbolike për Shqipërinë. Përtej protokollit dhe vëmendjes mediatike, kjo vizitë prodhon disa përfitime konkrete dhe afatgjata për vendin tonë.
Ivanka Trump është një figurë globale, me ndikim të drejtpërdrejtë në qarqet politike, financiare dhe të biznesit amerikan. Prania e saj në Vlorë e vendos Shqipërinë në fokusin e mediave ndërkombëtare dhe rrit perceptimin e vendit si një destinacion serioz, i sigurt dhe në zhvillim. Kjo vëmendje ka vlerë të shtuar, në një kohë kur vendet e vogla konkurrojnë fort për investime dhe aleanca strategjike.
Zgjedhja e Vlorës nuk është rastësore. Ajo forcon imazhin e qytetit si një qendër elitare turizmi, jo vetëm sezonal, por edhe për investime afatgjata në turizëm luksoz, rezidenca elitare, marina dhe porte jahtesh, si dhe shërbime të integruara turistike. Vizita e një figure të tillë si Ivanka Trump shërben si “vulë besimi” për investitorë të tjerë potencialë.
Në klimën aktuale gjeopolitike, çdo afrim me SHBA-të ka peshë të veçantë. Vizita e Ivanka Trump sinjalizon hapje të reja për investime amerikane direkte, bashkëpunime publiko-private, fonde zhvillimore dhe projekte infrastrukturore.
Kjo vizitë i dërgon tregut botëror të turizmit një mesazh të qartë: Shqipëria është në hartën e interesave amerikane. Përtej aspektit ekonomik, vizita ka një dimension të fortë diplomatik. Ajo përforcon partneritetin strategjik me SHBA-të dhe konfirmon pozicionimin e Shqipërisë si aleat i besueshëm në rajon, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Ky dimension është i rëndësishëm edhe për rolin e Shqipërisë në stabilitetin rajonal dhe në proceset euroatlantike.
Planet e Kushner dhe Ivanka Trump për Shqipërinë
Investimi në Szan dhe një projekt i mundshëm investimi dhe në Zvërnec vijnë në një moment kur turizmi në Shqipëri është kthyer në industrinë numër një të vendit, duke ia kaluar sektorit të ndërtimit dhe eksportit të mallrave. Sipas Bankës së Shqipërisë, turizmi ka kontribuar në prodhimin kombëtar në vitin 2025 me mbi 4 miliardë euro.
Investimi i Kushner dhe Ivanka Trump është i rëndësishëm edhe për një arsye të dytë. Krahas kapitaleve me vlerë 1.4 miliardë dollarë, Kushner ka deklaruar se do të sjellë në Shqipëri një markë elitare të shërbimeve turistike, aktive sidomos në vendet aziatike, por edhe në ishullin Shën Stefan në Malin e Zi, marka “Aman”. Kjo markë parashikohet që ta rrisë edhe më tej imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik, në një zhvillim të ndjeshëm dhe në nivele të larta.
Me 8 përqind(45 hektarë) të ishullit të Sazanit të zhvilluar nga projekti i Kushner, ne mund të shohim gradualisht në Sazan një mini-Singapor, në kuptimin që mund të kemi një masterplan investimesh serioze dhe të koordinuara me njëri-tjetrin, duke e kthyer ishullin e vetëm që kemi në një zonë me potencial të lartë ekonomik.
Jo vetëm në Sazan, por edhe në pjesë të tjera me potencial të lartë të vendit, mund të krijohen zona ekonomike dhe mundësi për rritjen e turizmit, i cili ka marrë një peshë të madhe në nivel ndërkombëtar, veçanërisht në rajonin e Mesdheut. Sazani ka qenë një aset i fjetur i Shqipërisë prej tre dekadash e gjysmë tashmë, duke qëndruar në një gjendje letargjike. Me Kushner ai e ka mundësinë të shndërrohet në një qendër zhvillimi.
Me Ivanka Trump që diskutoi me studjot arkitekturore në Vlorë, me siguri edhe për një projekt në Zvërnec, të dyja projektet kanë aftësinë të sjellin mundësi të reja, punësim të ri dhe të kontribuojë në forcimin e ekonomisë sonë kombëtare.
Komente












E di ti pasurine e Edit qe te duket shume e kushnerit 1 ml dollar. E di ti cfare fiton shqiperia me cdo pordhe qe ben edi rama. E mbas kaq shume pordheve prape pensionet tona jane me te uletat ne rajon, rrogat po ashtu, ushqimet me te toksifikuara, ajri me i ndotur, uji i pa pijshem. Pyetja e drejte do ishte cilen nga keto qe permenda une nuk do kishim po te mos kishim Edin?
PërgjigjuOre popull i poshter a nuk dini si ta zhvilloni saznin vet per turizem por beheni te mvarur nga keta dy por me tregoni si dota mbroni vendin nga ndonji krize lufte ,kur nuk dini te ndertoni vende turistike turp qe jua shisni parajsen e Shqiperis te huajve sidomos ketyre dyve qe financojne vrasjen e femijve ne Gaza per ti mbush xhepat e vet ju jeni Zagaret e Evropes.
Përgjigju