Fatos Çoçoli: Asetila Koestinger, shqiptarja e suksesshme nga Vjena

Fatos Çoçoli: Asetila Koestinger, shqiptarja e suksesshme nga Vjena

Asetila Koestinger

Është e vërtetuar tashmë që vendi nga vjen as nuk të përcakton të ardhmen dhe as të pengon për të krijuar një të ardhme të suksesshme kudo nëpër botë. Ky është edhe rasti i Asetila Koestinger von Sonneland,  mirditore-vjeneze, e cila njihet nga një komunitet i gjerë, organizata, biznese, kompani start up dhe kompani eksporti, për mënyrën inovatore të të këshilluarit në biznes.

Gjithashtu, Asetila ka kontribuar shumë në shoqëri, duke ndihmuar dhjetra e dhjetra të rinj, gra dhe vajza që duan të krijojnë një startup jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë, Afrikë dhe Amerikë Latine.

Ajo sot ka gati 20 vjet që është larguar nga Shqipëria dhe mbetet një vajzë tipike shqiptare, për t’a pirë në kupë, siç themi ne, për një vajzë të sjellshme e të dashur.

Mes profesionistësh, ajo njihet si eksperte ndërkombëtare për inovacion, qëndrueshmëri dhe sipërmarrje. Pas largimit nga Shqipëria, ka jetuar dhe punuar në Moldavi, Ukrainë dhe Turqi dhe më pas është rivendosur sërish në Vjenë, ku drejton bizneset, projektet dhe iniciativat e saja të shumta ndërkombëtare.

Megjithatë sfidat dhe sukseset e të qenit në biznes nuk i kanë krijuar iluzione, as edhe dehje. Në të kundërt, e kanë bërë të krijojë një zhguall mbrojtës. Pra, t’i ketë paratë gjithmonë në mendje, por asnjëherë në zemër.

Sot, Asetila drejton disa kompani inovatore, që krijojnë impakt social dhe mjedisor. Por kjo nuk ishte edhe aq e lehtë, përkundrazi ishte sfiduese, kërkonte shumë përkushtim e vendosmëri, si dhe shumë orë studimi.

Jetova jetën e tre personave njëherësh

Kur Asetila vendosi te zhvendosej për herë të parë në Vjenë, edhe pse e zonja dhe me eksperiencë pune, pa se si të gjitha ato që kishte arritur deri në atë moment në jetë, ishin si të shkruara në breg të detit. Vinte vala dhe i fshinte. As universiteti, as eksperiencat e punës e as gjuhët nuk merreshin në konsideratë nga punëdhënësit.

Kishte dy mundësi. Të ulej në breg te detit e të qante fatin e saj, ose të merrte një telajo të re dhe ta vizatonte jetën e saj nga fillimi, ashtu siç e donte ajo.

Dhe Asetila zgjodhi të dytën. Mësoi gjermanisht, e filloi universitetin nga e para, gjeti punë, filloi të interesohehej dhe te integrohej në kulturën austriake, zuri miq e shokë dhe u përfshi aktivisht në jetën e vendit ku zgjodhi te jetonte.  Kështu, brenda 7 viteve, sa të bukura e emocionuese, po aq edhe të lodhshme dhe me sakrifica,  krijoi një telajo të re, mjaft interesante dhe dinamike për jetën e saj. Aq intersante, sa vetë Asetila kishte përshtypjen se në këto 7 vjet po jetonte jetën e tre personave njëkohësisht.

Suksesi i vërtetë nuk është ç’ke arritur vetë, por çfarë inspiron tek të tjerët

Që prej asaj kohe, ajo vazhdon të përmirësohet, të zhvillohet personalisht dhe profesionalisht. Çdo vit mëson një aftësi të re, jep një provim ose merr një çertifikim të ri. Në këtë mënyrë, arriti të përfshihet drejtpërsëdrejti në disa kompani austriake, si aksionere, si antare e bordit mbikqyrës, por edhe si investitore mbrojtëse (angel investor) në një pjesë të tyre.

Për Asetilën, suksesi i mirëfilltë nuk është ajo që ka arritur vetë, por ajo çfarë Asetila inspiron tek të tjerët, sidomos gratë, vajzat dhe të rinjtë. Ajo mundohet t’a sjellë rregullisht këtë qasje në Shqipëri. Prej disa vitesh, të paktën 5 studentë shqiptarë studiojnë çdo vit në Austri prej rrjetit që ajo ka krijuar dhe informacionit që ajo shpërndan.

“Kur unë jam në podiume duke folur ose duke drejtuar workshope ose konferenca, në audiencë ka gjithmonë të paktën 3-5 vajza që kur më dëgjojnë, vijnë e më takojnë pas aktivitetit dhe më thonë se duan të bëhen si unë. Kjo gjë më lumturon por për mua është edhe një përgjegjësi e madhe. Dhe unë e marr shumë seriozisht këtë përgjegjësi dhe mundohem që gjithmonë t’i inkurajoj ato që të vendosin qëllime të mëdha për jetën e tyre dhe të punojnë shumë e me mençuri për t’i arritur ato. Çdo ekspert (përfshirë edhe mua) ka qenë një herë fillestar”

Perveç kompanisë së saj të inovacionit Köstinger që drejton në Vjenë dhe në Tiranë, e cila ndihmon kompani evropiane të mesme dhe të vogla të bëhen dhe të qëndrojnë inovatore, të qëndrueshme dhe të internacionalizohen, Asetila ka zhvilluar, si kontribut të saj në botën e sipërmarrjes, disa projekte, për të ndihmuar ide e sipërmarrje që krijohen e drejtohen nga të rinj, gra dhe vajza kudo nëpër botë.

“Kopshti” i startup-eve

Një nga këto projekte është edhe GoodStartup School (GSS),  krijuar në vitin 2019, si një model edukimi për sipërmarrësit e rinj. GSS ka disa versione: për nxënës të shkollave të mesme (14-18 vjeç), për studentë universitarë (18-23 vjeç), por edhe për të rritur ( +23 vjeç).

Ky model është shumë i thjeshtë dhe ndihmon të rinjtë me ide biznesi ose startup-esh, për t’i nxjerrë në pah dhe vlerësuar këto ide në mënyrë të shpejtë, ose thënë ndryshe, “a janë ide, të cilat mund të bëhen startup? ”.

Asetila e quan këtë model si “kopshti e startupeve”, sepse çdo ide-startup dhe çdo sipërmarrës i ri, duhet të shkojë një herë në kopsht, pastaj në shkollë, e pastaj në universitet.

E veçanta e këtij programi është se të paktën 50 përqind e pjesëmarrësve janë gra dhe vajza dhe të paktën 50 përqind e trajnerëve, mentorëve dhe ekspertëve janë gra dhe vajza sipërmarrëse.

Në vitin 2022, Asetila e zhvilloi këtë projekt për herë të parë në Shqipëri, në Shkodër, si projekt pilot me mbështetjen e Ministrisë së Sipërmarrjes së Shqipërisë. Ai u përsërit sërisht për herë të dytë në vitet 2023-2024 në bashkëpunim me Univeristetin e Shkodrës, financuar nga programi “Bashkimi Evropian për Inovacion (EU4 Innovation)” dhe GIZ Albania, për të forcuar ekosistemin start-up në qarkun e Shkodrës.

Gjithashtu, në vitin, 2022 në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, Asetila ka ideuar dhe zbatuar projektin  “Inkubatori Bujqësor i Tiranës ( AGRO Incubator Tirana).

Ky është një projekt pilot, i zhvilluar për herë të parë dhe i projektuar për të qenë adresa e parë për studentët dhe stafin akademik të pesë fakulteteve të Universitetit, për zhvillimin e sipërmarrjes dhe inovacionit. Incubatori Agro i Tiranës ka një fokus të veçantë në mbështetjen e inovacioneve, kërkimit dhe praktikave ekonomike që lidhen me Objektivat e Zhvillimit të Qëndueshëm të OKB (SDG Sustainable Development Goals ), sidomos me Objektivin e 14-të dhe 15-të.

Bizneset Shqiptare, “në derë” të Bashkimit Evropian-vallëzimi mes teknologjisë dhe natyrës

Së fundmi, këtë vit, Asetila implementoi në bashkëpunim me EIT Climate KIC ( European Institute of Technology ) the Clim Accelerator Albania - një program innovacioni në formën e një përshpejtuesi biznesi, me fokus biznese Shqiptare që punojnë në këto katër fusha: dekarbonizimi, efiçienca e energjisë, efektiviteti i materialeve dhe ekonomia qarkulluese.

Edhe pse jeta e saj profesionale e dërgon në çdo cep të globit, Asetila inveson shumë kohë dhe burime në Shqipëri sepse është e bindur se bizneset Shqiptare që janë ‘në derë’ të Bashkimit Europian kanë mundësi të shkëqyera për t’u bërë partnerë të fortë të bizneseve europiane.

Gjithashtu, si eksperte inovacioni është e bindur se kompanitë Shqiptare që duan të mbijetojnë, duhet të bëhen inovatore dhe të eksplorojnë sot mënyra të të bërit biznes, për një të ardhme të suksesshme. Ajo guxon të parashikojë se 50 përqind e kompanive Shqiptare që ekzistojnë sot nuk do të ekzistojnë më në vitin 2050.

 “Tranzicioni binjak – dixhitalizim dhe qëndrueshmëri (twin transition - digitalisation +sustanability) është shumë me rëndësi, jo vetëm për kompanitë Evropiane, por edhe për ato Shqiptare që janë në mesin e zinxhirit të vlerës. Nocioni i "tranzicionit binjak"  nënkupton integrimin i pandërprerë të inovacionit digjital, me ndjekjen e panegociushme të qëndrueshmërisë mjedisore. Ky koncept nuk është një fantazi akademike apo një trend kalimtar; është plani për të ardhmen tonë kolektive, një vallëzim delikat midis teknologjisë dhe natyrës, që mund të çojë në prosperitet të pashembullt dhe të sigurojë të ardhmen e fëmijëve tanë ,të fëmijeve të fëmijëve tanë e kështu me rradhë, për shumë breza.”

Kurioziteti, dëshira për të mësuar më shumë, por edhe arritja dhe kënaqësia që merr nga njerëzit që ndihmon dhe u ofron partrneritet, janë motorrët që e bëjnë jetën dhe kontributin e Asetilës shumë të larmishëm, njerëzor dhe me perspektivë të qartë.

Për Asetilën, këtë Shqiptaro -Austrake të sukseshme, që na bën të krenohemi, që është pranë atdheut të saj orë e çast me projekte dhe ndihmën që jep, jeta është 20 përqind fat dhe 90 përqind çfarë ne bëjmë me këtë fat që na troket në derë. Dhe sigurisht që për të, për shumë kolegë të saj, si dhe për dhjetra e dhjetra shqiptare e shqiptarë që i ka ndihmuar, 110 përqind është më shumë e më mirë se 100 përqind!

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • E DREJTA: 27/06/2024 14:15

    BRAVA...NJE SHEMBULL I MIRE PER TU NDJEKUR NGA RINIA E SOTME. ME PUNE DHE VETEM PUNE MUND TE BESH GJERA TE RENDESISHME NE JETE

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori

Papët dhe jubilejtë: hapja e Derës Shenjte në histori