Udhërrëfyesi i Komisionit Evropian për Shqipërinë, një dokument dyfaqësh i publikuar dje, përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në procesin e integrimit tonë evropian.

Për herë të parë, perspektiva e anëtarësimit po shoqërohet me një kalendar konkret dhe ambicioz, që synon mbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave deri në dhjetor 2027 dhe nisjen e përgatitjes së Traktatit të Anëtarësimit.

Sipas planit të paraqitur, Komisioni Evropian i rekomandon Këshillit të Bashkimit Evropian të nisë punën për hartimin e këtij traktati. Paralelisht, parashikohet një paketë e posaçme financiare dhe një proces i integrimit gradual të Shqipërisë në politikat, programet, agjencitë dhe strukturat e punës së Bashkimit Evropian, përpara anëtarësimit të plotë.

Por pyetja kryesore nuk është vetëm se kur Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE-së. Pyetja që i intereson drejtpërdrejt qytetarëve dhe sipërmarrjes është: Çfarë fitojmë konkretisht nga ky udhërrëfyes dhe si mund të ndihet ndryshimi në jetën tonë të përditshme?

Çfarë parashikon konkretisht Udhërrëfyesi?

Përfitimet mund të fillojnë përpara anëtarësimit të plotë. Nëse angazhimet politike dhe reformat përmbushen, Shqipëria mund të përfitojë më herët nga hapja graduale e tregjeve, investimet, financimet evropiane, bashkëpunimi energjetik, transporti, digjitalizimi dhe programet e përbashkëta të BE-së.

Plani i Komisionit Evropian përcakton tri faza për mbylljen e kapitujve të mbetur të negociatave.

Tabela 1. Kalendari i Udhërrëfyesit të BE-së

Periudha
Kapitujt që parashikohet të mbyllen
Deri në fund të vitit 2026
6 kapituj
Gjashtëmujori i parë i vitit 2027
10 kapituj
Deri në dhjetor 2027
15 kapitujt e fundit
Gjithsej
31 kapituj

Sipas këtij kalendari, synohet mbyllja e 31 kapitujve të mbetur, ndërsa Komisioni Evropian lë të hapur mundësinë që procesi të përfundojë edhe më herët, nëse ritmi i reformave dhe përmbushja e kritereve e lejojnë.

Mbyllja e negociatave nuk është e njëjtë me anëtarësimin e plotë në BE. Pas përfundimit të negociatave, Traktati i Anëtarësimit duhet të negociohet e të miratohet nga Këshilli i Evropës, sipas procedurave përkatëse, si dhe të nënshkruhet dhe të ratifikohet nga Parlamentet e të 27 Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe, kuptohet, edhe nga Kuvendi ynë.

Udhërrëfyesi është një kalendar politik dhe institucional me objektiva të qarta. Po cilat janë përfitimet që marrim prej tij?

Përfitimi i parë: qasje më e madhe në tregun e BE-së

Ky është ndoshta përfitimi ekonomik më i rëndësishëm i integrimit tonë gradual. Tregu i Përbashkët Evropian u jep mundësi bizneseve tona të operojnë në një hapësirë shumë më të madhe ekonomike, me rregulla të përbashkëta dhe me më pak pengesa për tregtinë.

Për Shqipërinë, zgjerimi gradual i aksesit në pjesë të këtij tregu sjell më shumë mundësi eksporti për prodhuesit tanë, ulje të kostove dhe procedurave administrative për bizneset, mundësi më të mëdha për kompanitë shqiptare që të marrin pjesë në zinxhirët evropianë të prodhimit, si dhe më shumë investime nga kompanitë evropiane që kërkojnë partnerë dhe kapacitete prodhuese në rajon.

Përfitimi nuk do të jetë automatik për çdo biznes. Ai do të varet nga kushtet e marrëveshjeve konkrete, nga përafrimi i standardeve dhe nga aftësia e sipërmarrjeve tona për të konkurruar.

Për shembull, industria ushqimore, përpunimi i produkteve bujqësore, industria tekstile dhe e këpucëve, prodhimi i materialeve të ndërtimit dhe shërbimet digjitale mund të kenë mundësi të reja për të hyrë në tregje më të mëdha të BE-së.

Për sipërmarrësin tonë, integrimi gradual i parashikuar nga Udhërrëfyesi ënkupton më shumë klientë, më shumë kontrata dhe më shumë mundësi për të rritur prodhimin.

Përfitimi i dytë: Më shumë investime dhe vende pune më cilësore

Integrimi evropian nuk është vetëm një proces ligjor. Ai është edhe një proces ekonomik që mund të ndryshojë strukturën e investimeve në Shqipëri.

Përmirësimi i sigurisë juridike, përafrimi i legjislacionit me standardet evropiane, forcimi i institucioneve dhe transparenca më e madhe e bëjnë vendin tonë më tërheqës për investitorët e huaj, sidomos ata nga BE, por jo vetëm.

Përfitimet konkrete do të jenë investime të reja në industri dhe përpunim, zgjerim të sektorit në teknologji dhe shërbimeve, krijimi i vendeve të reja të punës me produktivitet dhe paga më të larta, si dhe shtim i investimeve në formimin profesional dhe në aftësimin e punonjësve.

Kjo na ndihmon, pasi rritja jonë ekonomike nuk do të mbështetet vetëm tek turizmi, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme. Ajo do nisë të mbështetet gjithnjë e më shumë tek prodhimi, eksportet, teknologjia dhe industria me vlerë të shtuar, me nisjen e integrimit konkret gradual në BE.

Integrimi evropian po shërben kështu si një instrument për të ndryshuar modelin tonë të zhvillimit ekonomik.

Përfitimi i tretë: paketa financiare dhe më shumë fonde për zhvillimin

Një tjetër element i rëndësishëm i Udhërrëfyesit është parashikimi i një pakete të posaçme financiare. Ai nuk e thotë sa fonde do të jenë, por me siguri ato do të jenë në nivele qindra milionë euro.  

Kjo do të na krijojë mundësi për financime shtesë në fusha të rëndësishme për zhvillimin e vendit.

Tabela 2. Investimet e reja nga BE

Fusha
Përfitimi i mundshëm
Infrastrukturë
Investime në rrugë, hekurudha, porte dhe lidhje rajonale
Bujqësi
Modernizim i fermave, teknologji dhe standarde evropiane
Industri
Mbështetje për prodhimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë
Energji
Investime në burime të rinovueshme dhe rrjete elektrike
Mjedis
Trajtim i ujërave të ndotura, mbetjeve dhe mbrojtje e natyrës
Arsim
Modernizim i shkollave dhe formimit profesional
Digjitalizim
Zhvillim i shërbimeve publike dhe infrastrukturës digjitale
Bashkitë
Projekte për shërbimet publike dhe zhvillimin lokal

Për ne si qytetarë, rëndësia e këtyre fondeve nuk matet vetëm me shumën e parave që vijnë nga Brukseli. Ajo matet me shkollat që modernizohen, ujësjellës që përmirësohen, rrugë dhe hekurudha që ndërtohen, ferma që bëhen më konkurruese dhe biznese që krijojnë vende të reja pune.

Përfitimi i katërt dhe kryesori për këto ditë: Më shumë mundësi për të rinjtë, studentët dhe profesionistët

Integrimi gradual në programet dhe strukturat evropiane mund të zgjerojë mundësitë për studentët, pedagogët, studiuesit dhe profesionistët shqiptarë.

Këto mundësi përfshijnë pjesëmarrje më të gjerë në programet evropiane të arsimit dhe kërkimit shkencor, shkëmbime universitare dhe profesionale, bashkëpunim më të madh mes universiteteve shqiptare dhe atyre evropiane, trajnime dhe certifikime profesionale sipas standardeve të BE-së, si dhe mundësi të shumëfishuara për projekte të përbashkëta.

Këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm: integrimi gradual në programe dhe struktura të BE-së nuk do të thotë automatikisht se qytetarët shqiptarë fitojnë të gjitha të drejtat e lëvizjes, punësimit dhe qëndrimit që kanë qytetarët e vendeve anëtare.

Këto të drejta lidhen me statusin e anëtarësimit dhe me rregullat përkatëse. Por afrimi gradual mund të krijojë më shumë mundësi përpara anëtarësimit të plotë.

Përveç këtyre, çfarë mund të fitojë konkretisht një familje shqiptare?

Përfitimet e integrimit nuk duhet dhe nuk kanë pse të mbeten vetëm në dokumente politike apo në statistika makroekonomike. Ato do të përkthehen në ndryshime të prekshme në buxhetin familjar dhe në cilësinë tonë të jetës.

Tabela 3. Përfitimet e familjes shqiptare

Fusha
Ndikimi për familjet
Punësimi
Më shumë vende pune dhe mundësi për paga më të mira
Ushqimet
Siguri dhe kontroll më i mirë i produkteve ushqimore
Arsimi
Më shumë mundësi shkëmbimi dhe programe evropiane
Shëndetësia
Standarde më të larta dhe bashkëpunim më i gjerë
Energjia
Furnizim më i sigurt dhe investime në rrjet
Transporti
Lidhje më të mira me tregjet dhe vendet evropiane
Konsumatori
Mbrojtje më e fortë e të drejtave si konsumatorë
Shërbimet publike
Administratë më transparente dhe më efikase

Sigurisht, këto përfitime nuk do të vijnë menjëhere. Por rruga tashmë, për t’i siguruar ato në vetëm dy-tre vitet e ardhshme është e hapur.