Fatos Çoçoli: Do zgjasë mrekullia e Rinasit?

Fatos Çoçoli: Do zgjasë mrekullia e Rinasit?

Në qershor 2018, Rinasi klasifikohej ndër aeroportet më të shtrenjtë të Evropës. Sot është aeroporti me biletat më të lira në botë

Në janar-prill 2024, Rinasi përfaqësonte aeroportin me rritjen më të shpejtë në Evropë, me mbi 200 përqind të pasagjerëve, krahasuar me vitin 2019

Mendoj se po. Sipas Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve në Evropë dhe platformës së specializuar të të dhënave të trafikut ajror civil ndërkombëtar Cirium, në periudhën janar-prill 2024, Rinasi përfaqësonte aeroportin me rritjen më të shpejtë në Evropë, me mbi 200 përqind të pasagjerëve, krahasuar me vitin 2019.

Prania e dy kompanive me emër të botë, që fluturojnë me çmime të ulura, ka sjellë jo vetëm parkimin e përhershëm të avionëve të tyre në hangarët e Rinasit, jo vetëm rritjen e fortë të vizitorëve të huaj tek ne, por edhe vizitat e shpeshta të qytetarëve tanë jashtë vendit. Për fluturimet në Rinas dhe nga Rinasi, janë në dispozicion këtë vit mbi 14.7 milionë bileta.

Rinasi drejt 10 milionë pasagjerëve në vit

2019                                                      3.8 milionë pasagjerë
2022                                                      5.2 milionë pasagjerë (+22%, aeroporti i vetëm ndërkombëtar në botë me rritje mbi 100 përqind pas pandemisë)
2023                                                       7.2 milionë pasagjerë
2024 (parashikim)                            9.3 milionë pasagjerë

Po ta marrim me llogjikë të thjeshtë ekonomike, rritja e numrit të pasagjerëve sjell ulje të çmimit, pasi kemi më shumë fluks pasagjerësh. Gjithashtu, edhe qeveria ka bërë punën e saj, me uljen e taksave dhe tarifave portuale. Madje disa taksa i ka hequr fare.

Bileta më të lira për të gjithë

E gjitha kjo shkon në interesin e qytetarit, që blen bileta më të lira dhe ka mundësi të udhëtojë edhe më shpesh.

Investimet në Rinas sot janë ato të duhurat, madje të vonuara. Bumi turistik nuk i la kohë koncensionarit dhe aeroportit të bënin investimet e duhura. Investimet erdhën shpejt dhe janë të vonuara disi, por rëndësi ka që afatet të kapen. Dhe kryesorja, që këto investime të bëhen si duhet.

Tabela 1. Metamorfoza e Rinasit

2018- aeroporti me i shtrenjte i Evropes

2024- aeroporti me biletat më të lira në botë

Duhen investime të reja!

Aeroporti i Rinasit po përgatitet për një terminal të ri të dytë pasagjerësh. Ndërkohë, pista e aeroportit ka pasur një degradim gjatë këtyre viteve dhe tani nuk është problem vetëm shtimi i gjatësisë së pistës.

Problem është edhe riasfaltimi i shtresës së sipërme të pistës, rrugëve lidhëse të saj, planifikimi i vendeve të reja për parkim avionësh, pasi po shtohet numri i tyre.

Koncesionari i ri kreu 100 milionë euro investime në vitet e fundit, shtoi hapësirat për pasagjerët. Mirëpo nuk duhet të harrojmë që nuk është vetëm terminali i pasagjerëve. Duhet të kemi investime themelore në apron, në vendqëndrimin e avionëve. Deri pak kohë më parë, vendqëndrimet kanë qenë 17. Tani janë bërë 21 dhe duhet të jenë minimumi 30 vendqëndrime. Aeroporti duhet të bëjë ndarje më të mirë të avionëve, që ata të vijnë, të ulen dhe të lënë radhën për avionin e radhës.

Këto investime janë tejet të domosdoshme. Shifra e 10 milionë pasagjerëve në Rinas është më se e arritshme për vitin e ardhshëm, pavarësisht se fillimisht kjo shifër ishte menduar të arrihej në vitin 2030.

Xing Rinasi dhe Vlora?

E paqartë për Rinasin është se si do të ndahet me Vlorën: sa nga këta turistë që ulen sot në Rinas do të marrë Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës? Kjo, pasi në pranverë të vitit 2025 fillon punën Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës. Ka shumë gjasa që Vlora, që në vitin e parë, të fillojë me rritje të madhe aktiviteti dhe numri pasagjerësh.

Nuk ka pse të kemi shqetësim, se mos të dy aeroportet tanë, Rinasi dhe Vlora, do të rrezikojnë të bëjnë “xing” dhe konkurrencë njeri-tjetrit.

Të dy këta aeroporte kanë karakteristika të ndryshme. Aeroporti i Rinasit është aeroport kryeqyteti. Njerezit preferojnë të zbresin në kryeqytet si, p.sh. biznesmenët, qeveritarët, delegacionet e huaja, turistët, por edhe emigrantët që kanë blerë shtëpi në Tiranë. Tirana numëron sot mbi 1 milion e gjysëm banorë, së bashku me Durrësin, Krujën dhe Elbasanin. Kjo masë pasagjerësh do t’i mbetet Tiranës.

Kurse Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës do të jetë cargo, do të jetë për fluturimet turistike. Do të ketë turistë që duan të shkojnë afër detit dhe të evitojnë rrugën e gjatë me makinë, apo mjete të tjera.

Pra, të dy aeroportet i kemi të ndarë nga njeri-tjetri. Nuk do të na përplasen.

Një tjetër pyetje ngrihet: a do të vazhdojë Rinasi të prese me dhjetëra mijëra qytetarë nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, që zgjedhin të mos fluturojnë nga Prishtina, Shkupi apo Podgorica, por nga Rinasi?

Përgjigjja është Po! Mrekullia e Rinasit edhe në këtë drejtim do të vazhdojë. Udhëtarët nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut do të jenë gjithnjë e më të shumtë, për sa çmimet janë më të lira në Rinas dhe ka një shumëllojshmëri të madhe të destinacioneve që mund të arrihen nga ky aeroport.

Pyetja e tretë që ngrihet është: edhe sa kohë do të vazhdojë mrekullia tjetër e Rinasit, me biletat më të lira në botë? Përgjigjja është e thjeshtë. Për sa kohë Shqipëria vijon të jetë atraksion turistik dhe, nga ana tjetër, nëse qeveria do të vazhdojë me këto masa lehtësuese të ndërmarra deri tani.

M.Q./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!