Fatos Çoçoli: Janar-tetor 2022: Sistem bankar plot para dhe i shëndoshë

Fatos Çoçoli: Janar-tetor 2022: Sistem bankar plot para dhe i shëndoshë

Foto ilustruese

Ndërsa në vitin e kaluar 2021, sektori bankar u tregua i aftë të tejkalonte pa shumë dhembje efektet e pandemisë, edhe gjate periudhës janar-shtator 2022, të 11 bankat tona tregtare  paraqiten të mirëkapitalizuara dhe plot para e vëllim të lartë huadhëniesh.

Fitimi bankar ishte i shtrirë pothuajse në të gjitha bankat dhe ndodhet në nivele të larta, ndërkohë që kreditë bankare dhe depozitat shënuan rritje ndër më të domethënëset në dekadën e fundit. Mbështetur në raportimet paraprake, sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, kreditë me probleme, ndryshe nga parashikimet shqetësuese për vështirësitë nga inflacioni i lartë(sidomos pas shpërthimit të luftës në Ukrainë më 24 shkurt 2022), kapën nivelin më të ulët në 15 vjet, me vetëm 5.06% të totalit të huave, nga 6 përqind që ishin në vitin 2021.

Asetet e sektorit bankar tejkalojnë prodhimin kombëtar

Aktivet bankare (vlera e ndërtesave në pronësi të bankave, vlera e kredive që duhet të kthehen, etj.) shënuan shtim tjetër të konsiderueshëm të kapitalit të bankave tona tregtare me 7.8 përqind për nëndëmujorin janar-shtator 2022. Me kreditë e shtuara në nivelin 13.3 përqind dhe depozitat e rritura me 8.8 përqind gjatë të njëjtës periudhe, sistemi ynë bankar po kalon edhe këtë vit një ndër vitet më të mira të dekadës së fundit, pavarësisht shtrenjtimit të ndjeshëm të  kostos së parasë dhe inflacionit më të lartë të periudhës 2002-2022. 

Besimi qytetar dhe i sipërmarrësve në sistemin tonë bankar në tërësi dhe në bankat tona tregtare në veçanti, është në nivelet më të larta të 30 viteve të fundit, në mos më të lartin.

Totali i aktiveve të sektorit bankar, në fund të shtatorit 2022, në nivele vjetore(tetor 2021-shtator 2022),  ishte në vlerën e 1.84 triliardë lekëve, ose pothuajse 15.8 miliardë eurove. Duke e kaluar me rreth 8 përqind prodhimin e përgjithshëm kombëtar!

Gjatë nëndëmujorit janar-shtator 2022, vëllimi i punëve i sektorit bankar(kreditë e dhëna të shtuara me 13.3 përqind, depozitat e reja të marra me 8.8 përqind, tregtimi i letrave qeveritare me vlerë, tranfertat bankare, etj.) u rrit ndjeshëm. Kjo është arësyeja pse fitimi bankar për këtë periudhë(mbi baza vjetore) është 20.4 përqind, ndër më të lartët e 30 viteve të fundit.

Treguesi më befasues në treguesit bankarë të nëndëmujorit të këtij viti, është shtimi i depozitave me 8.8 përqind, ose rreth 923 milionë euro. Nga shumë studjues gjykohej se inflacioni i lartë do t’i ulte mundësitë e familjeve për të kursyer, duke dhënë ndikim negativ në ecurinë e depozitave bankare. Mirëpo, nga veprimet energjike të bankës sonë qendrore, Bankës së Shqipërisë me rritjet e saj të normës bazë të interesit në periudhën mars-tetor 2022, efekti pozitiv i rritjes së normave të interesit në shtimin e depozitave nuk kërkoi më shumë kohë(një gjysëm viti ose një vit), por u shfaq menjëherë në ekonominë tonë, pa pritur momentin kur inflacioni të arrinte një lloj stabilizimi.

Konsolidimi i sektorit bankar dhe ulja e numrit të bankave tregtare (kemi 11 të tilla, nga 12 që kishim një vit më parë) duket se po jep efektet e para pozitive, me më shumë oreks për rrezik mes vetë bankave, si dhe me më shumë ambicie për t’u rritur,.

Mbi 1 miliardë euro sherbime dixhitale nga bankat tona tregtare

Bankat po zgjerojnë më tej infrastrukturën e shërbimeve dixhitale, madje edhe numri i degëve te tyre i është kthyer rritjes, duke filluar nga viti 2021.

Përdorimi i pagesave bankare në distancë u rrit për të shtatëmbëdhjetin vit radhazi gjatë këtij viti. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar, numri total i veprimeve bankare online(të dixhitaliazuara) arriti në 5.13 milionë. Krahasuar me një vit më parë, shqiptarët e zgjeruan numrin e veprimeve bankare në distancë me 24.5%, ose me mbi 1 milionë veprime më shumë.

Veprimet bankare në distancë ose veprime të home banking, në pjesën dërrmuese, janë veprimet bankare që kryhen nëpërmjet internetit apo aplikacioneve në telefonat celularë. Rritja e përdorimit të shërbimeve home banking është e ndjeshme edhe në vlerë. Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2021, volumi total i transaksioneve arriti në më shumë se 1.2 trilionë lekë, ose mbi 1 miliarde euro në rritje me 15.5% krahasuar me një vit më parë.

Me rritjen e rëndësisë së teknologjisë në shoqëri, bankat po fokusohen, gjithnjë e më shumë, në promovimin e këtyre shërbimeve si kanal kryesor alternativ për marrëdhëniet me klientët. Në fund të vitit 2021, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në afërsisht 709 mijë, në rritje vjetore me 21%. 89% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin i takojnë individëve. Vitin e kaluar, individët shënuan edhe shkallën më të lartë të rritjes së numrit të llogarive të lidhura me internetin, me 22% më shumë.

Përdorimi i pagesave nga kanalet alternative është nxitur fort nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet masave rregullatore. Që prej mesit të vitit 2020, të gjitha transfertat ndërbankare deri në vlerën e 20 mijë lekëve që kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike, duhet të ofrohen nga bankat tregtare pa asnjë komision.

Për shumat më të mëdha, transfertat elektronike kanë komisione të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen nga sportelet e bankave. E njëjta politikë u ndoq edhe në rregulloren për transfertat kombëtare në euro, ku komisionet për transfertat elektronike duhet të jetë maksimalisht sa 50% e komisioneve të pagesave që kryhen në degët e bankave.

Ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”, i cili po zbatohet këtë vit, ka krijuar hapësira të mëdha për rritjen e mëtejshme të pagesave dixhitale, dukeu krijuar mundësi edhe institucioneve financiare të pagesave. Ai mundëson që klientët të realizojnë shërbime pagesash nga llogaria e tyre bankare, edhe nëpërmjet institucioneve të tjera financiare, dhe jo domosdoshmërisht nëpërmjet bankës ku kanë llogarinë. Kjo i ka sjellë një kursim prej dhjetra milionë euro ekonomisë sonë kombëtare, vetëm gjatë nëndëmujorit janar-shtator 2022.

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë