Fatos Çoçoli: Kompani që padisin Shtetin dhe bëjnë kontrabandë? Si po pastrohet Porti i Durrësit

Fatos Çoçoli: Kompani që padisin Shtetin dhe bëjnë kontrabandë? Si po pastrohet Porti i Durrësit

Pamjet e thasëve në terminal të publikuara nga Google Erath në nëntor 2023

Në një kohë kur dyshimi mbi transportin e paautorizuar të mbetjeve të rrezikshme, të dala nga furrnaltat e shkrirjes së hekurit të kompanise Kurum International në Elbasan, pastaj të eksportuara nga Porti i Durrësit për në Talandë, sa vjen e po përforcohet dukshëm, strukturat private përgjegjëse po kërkojnë të largohen nga Shqipëria, si minjtë nga vapori që po mbytet.

Këtë gjë ka bërë kompania e huaj “EMS Shipping and Trading GMBH”, e cila, e rregjistruar në Shqipëri me emrin “EMS Albanian Port Operator Shpk.”, ka menaxhuar portin lindor të kalatave në Portin e Durrësit prej 11 vjetësh, pas koncesionit të dhënë nga qeveria Berisha në maj të vitit 2013. Më 26 gusht 2024, në kulmin e dyshimit mbi transportin e mbetjeve të rrezikshme nga Porti i Durrësit për në Tajlandë, “EMS Shipping and Trading GMBH”e ka shitur koncesionin e marrë tek një kompani kroate, për 13 milionë euro.

Ishte po në gusht 2024, që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e bëri përgjegjëse kompaninë “EMS Shipping and Trading GMBH”, për lejimin e ngarkesës së dyshuar me mbetje te rrezikshme, me destinacion Tajlandën.

Kontrabandë drejt Turqisë?

Sipas një shkrimi të strukturës së njohur të gazetarisë investigative BIRN të dy javëve më parë, kompania private turke Kurum International ka një histori me eksportin e mbetjeve të furrnaltës së saj në Uzinën e Çelikut në ish-Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, në vitin 2018, për në Turqi.

Sipas BIRN, një agjent detar në Portin e Durrësit, në kushtet e anonimatit, u tha gazetarëve të BIRN se mbetje të zinkut, të dala nga kompania Kurum International, ishin eksportuar nga Durrësi për riciklim drejt Turqisë, në periudhën para pandemisë së Covid 19.

Agjenti pohoi se këto mbetje depozitoheshin në terminalin e mineraleve në kalatën lindore të Portit të Durrësit dhe, pasi ngarkoheshin në thasë të mëdhenj të bardhë, nga një kompani ngarkim-shkarkimi, eksportoheshin drejt Turqisë.

Agjenti detar ndau me BIRN foto të ngarkesave me këta thasë të mëdhenj të bardhë, që nga terminali i mineraleve në Portin e Durrësit, po ngarkoheshin për t'u transportuar drejt anijeve të mallrave, në vitin 2018. 

Eksporti i mbetjeve të rrezikshme, si ato të pluhurit të furrnaltës së uzinës së Kurum International në Elbasan pas vitit 2010, kërkon kushte të veçanta transporti dhe ka kosto të lartë, duke i shtyrë kompanitë të provojnë të deklarojnë mallin si mbetje jo të rrezikshme.

Me sa duket, kjo sprovë ka dalë me sukses në eksportin e thasëve të bardhë të mëdhenj drejt Turqisë. Ndoshta kjo qasje është përdorur edhe për të dërguar 816 tonë mbetjet nga Porti i Durrësit në Tajlandë, në korrik 2024.

Si operacion mund të kishte përfunduar me sukses, po të mos kishte sinjalizuar OJF-ja ndërkombëtare me seli në Uashington, “Rrjeti i Veprimit të Bazelit” dhe të dyja anijet me këto mbetje të rrezikshme të mos ishin tani drejt rrugës së tyre të kthimit për në Portin e Durrësit, pasi u refuzuan dhe u kthyen mbrapsht në portin tranzit në Singapor.  

Sipas BIRN, pamjet satelitore të publikuara në aplikacionin “Google Earth” në nëntor 2023 në terminalin e mineraleve të Portit të Durrësit, tregojnë sasi minerali të ngjashme me fotot e thasëve të mëdhenj të bardhë të vitit 2018, me mbetjet që dyshohet të kenë qenë të hirit të furrnaltës së uzinës së Kurum International në Elbasan. Dhe në vitin 2018, ishte po kompania “EMS Shipping and Trading GMBH”, ajo e cila e menaxhonte kalatën lindore të Portit të Durrësit.

EMS dhe Kurum International padisin Shtetin shqiptar për një total prej 140 milionë euro

Më 7 prill të vitit 2023, kompania “EMS Shipping & Trading” e paditi vendin tonë në Arbitrazh Ndërkombëtar, duke kërkuar 40 milionë USD dëmshpërblim nga shteti ynë, për projektin e ri të zhvendosjes së portit të mallrave në Porto Romano.

Më 13 gusht 2024, Gjykata Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) pranë Bankës Botërore në Uashington, njoftoi zyrtarisht se kjo çështje është zgjidhur mes kompanisë dhe qeverisë sonë, ndërsa procedura e arbitrazhit(gjyqi) u pezullua. Me fjalë të tjera, pasi nuk mori dot 40 milionë eurot nga Buxheti ynë i Shtetit përmes gjyqit, kompania e huaj private e pa me vend të largohej nga sytë këmbët nga Porti i Durrësit.

Në gjyq ndërkombëtar u hodhem si Shtet edhe nga kompania private turke “Kurum International”.  Në vitin 2011, një filial i saj në Shqipëri, kompania “Durrës Kurum Shipping Shpk.”  fitoi kontratën koncesionare për menaxhimin e terminalit të konteinerëve në Portin e Durrësit.

Për shkak të mospërmbushjes së kushteve kontraktuale nga kjo kompani, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e anulloi kontratën në vitin 2017, duke hapur çështje gjyqësore pranë Gjykatës Administrative dhe asaj të Apelit të vendit tonë. Më vonë, si Gjykata Administrative dhe ajo e Apelit konfirmuan me vendimet e tyre, të drejtën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për zgjidhjen e kontratës.

Në këtë kohë, ndërsa kompania mëmë Kurum International shikonte të “sistemonte” mbetjet e rrezikshme nga prodhimi i çelikut, ose duke i mbledhur kapicë në breg të Shkumbinit, dhe më vonë, ngaqë nuk u tolerua më, duke provuar t’i eksportojë kontrabandë përmes Portit të Durrësit, kompania bijë “Durrës Kurum Shipping Shpk.” hedh në gjyq Shtetin shqiptar në arbitrazh ndërkombëtar dhe kërkon një dëmshpërblim në vlerën e 100 milionë dollarëve amerikanë, për mbylljen e parakohshme të koncesionit.

Me një vendim të datës 26 korrik 2024, trupa gjykuese ICSID, pjesë e grupit të Bankës Botërore vendosi të rrëzojë pretendimet e palës paditëse, kompanisë “Durrës Kurum Shipping Shpk.”, ndaj shtetit shqiptar.

Ndërkohë, kompania private turke “Kurum International”, e cila prodhon shufra hekuri dhe çelik në ish-Kombinatin Metalurgjik në Elbasan që prej vitit 1998 dhe është furnizuese e rëndësishme rajonale e tyre, si materiale ndërtimi, ka ndërprerë punën në gusht 2024 në uzinat e prodhimit të çelikut dhe të petëzimit, duke u përpjekur të largojë nga puna 250 punëtorë, pasi t’u japë tre muaj paga dhe premtimin se në një kohë të pacaktuar më vonë, mund t’i rimarrë në punë

Kompania Kurum International, lider rajonal në prodhimin dhe eksportin e hekurit dhe çelikut
- Për një dekadë e gjysmë, është renditur kompania e tretë në Shqipëri, për nga niveli i lartë i fitimit
- Për mbi dy dekada, ka plotësuar 85 përqind të kërkesave të tregut tonë të brendshëm me hekur për ndërtim
- 60 përqind e produkteve të uzinave në Elbasan eksportohet në Kosovë, Mal të Zi, Serbi, Bullgari, Itali dhe Turqi
- 40 përqind e produkteve shkon për tregun vendas

Çështje ulje kostosh, po përse përmes kontrabandës?

Në maj të vitit 2015, Kurum International u detyrua të ndalonte punën në ish-Kombinatin Metalurgjik në Elbasan, për shkak të mospërputhjes me standardet mjedisore.

Kompania u akuzua nga qeveria jonë atëhere për hedhjen e paligjshme të mbetjeve te rrezikshme nga pluhuri i filtrave të Uzinës së Çelikut dhe Uzines se Petezimit, pranë lumit Shkumbin, çfarë kishte krijuar një mal me skorje dhe mbeturina rreth 200 metra të gjerë dhe 20 metra të lartë.

Mbetjet teknologjike të rrezikshme nga uzinat në Elbasan
-  Pas vitit 2010, me vendosjen e filtrave të ajrit, prodhohen rreth 2500 tonë mbetje të rrezikshme në vit, nëse ka vëllim të plotë pune
- Mbetjet e rrezikshme në bregun e lumit Shkumbin në vitin 2015: mal 200 m i gjerë dhe 20 m i lartë

Kompania private turke, e cila punëson me qindra punëtorë dhe është punëdhënësi më i rëndësishëm për qytetin e Elbasanit, për të vazhduar punën dhe aktivitetin shitës në tregun e brendshëm të etur të Shqipërisë për hekur si material ndërtimi, por edhe eksportet e rëndësishme në Ballkan, Itali dhe Turqi, e ka të domosdoshme të çojë diku malin me mbetje të rrezikshme, nga filtrat e pastrimit të gazrave të furrnaltës së saj.

Këto mbetje janë në përmasa me qindra e mijëra tonë në vit. Si vend shpëtimi pa shumë kosto, duket se është gjetur terminali i mineraleve në kalatën lindore të portit të Durrësit, i menaxhuar si koncesion, nga maji 2013 e deri më 26 gusht 2024, nga kompania private e huaj “EMS Shipping and Trading GMBH”, e cila, me sa duket, mbyllte një sy ose të dyja, duke lejuar largimin e ngarkesave me lëndë të rrezikshme, të deklaruara si mbetje të thjeshta, në dokumentat e eksportit dhe të transportit nga Porti i Durrësit për jashtë Shqipërisë.

Një çështje ulje kostosh, por e zgjidhur në mënyrë jo ligjore, përmes kontrabandës së mbetjeve të rrezikshme. Për këto veprime, me sa duket, nëse mostrat nga anijet që po i afrohen ndërkohë sërisht Durrësit, do të dëshmojnë se konteinerët janë të mbushur me thasë me mbetje të rrezikshme, kompania Kurum  International do të mbajë përgjegjësitë e saj.

Ndërkohë, kjo kompani po largon një pjesë të punonjësve të saj gradualisht nga puna, me idenë dhe planin e fshehur se s’ka ç’të bëjë me në Shqipëri fitime të konsiderueshme, pasi mbetjet e rrezikshme janë shumë të kushtueshme për t’u larguar në mënyrë ligjore.

Ato nuk mund të hidhen me kapicë në bregun e lumit të Shkumbinit, si bëri në vitin 2015, as edhe të dërgohen kontrabandë jashtë Shqipërisë, si bëri në vitet 2018-2024. Porti i Durrësit po pastrohet dalë-ngadalë nga struktura private që pillnin orë e çast kontrabandë.

Është mirë që qeveria jonë reagoi menjëherë dhe fort, me shkëmbim intensiv të informacionit me partnerët ndërkombëtarë  dhe duke hapur një hetim të përbashkët me Zyrën e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimit (OLAF).

Foto: Pamjet e thasëve të mëdhenj të bardhë në terminalin e mineraleve të publikuara nga Google Erath në nëntor 2023.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • redi: 06/09/2024 19:25

    Privatizimi i proceseve portuale ne Durres po tregojne korrupsionin dhe kontrabanden dhe nuk dihet nese politika i ka futur duart thelle ne pisllek. Kjo qe po ndodh ne portin e Durredit po sherben si filter ekonomik dhe duhet te predim hetimet se ku do na cojne. Ekonomia e 34 vjeteve demokraci ka dhene me teper grute poxitive pir dhe korrupsion dhe hajdutllek

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë