Prezantimi sot nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e një modeli të ri për operimin e transportit hekurudhor të udhëtarëve, me fokus fillestar tek korridori Tiranë–Durrës–Aeroporti i Rinasit, përfaqëson një zhvillim me rëndësi jo vetëm për transportin tonë publik, por edhe për ekonominë në tërësi.

Modeli i ri synon të krijojë një mënyrë më të qartë, më të matshme dhe më konkurruese të organizimit të shërbimit hekurudhor. Kontrata e Shërbimit Publik pritet të përcaktojë detyrimet e shërbimit publik, standardet që duhet të përmbushë operatori privat, përgjegjësitë e tij dhe mekanizmin e kompensimit.

Kjo qasje ka potencialin ta ndryshojë mënyrën se si shteti ynë e koncepton transportin hekurudhor: është Shteti ai që përcakton nevojën dhe standardin e shërbimit, përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa tregu me operatorët privatë konkurron për mënyrën më të leverdisshme të ofrimit të shërbimit.

Pse është i rëndësishëm ky model për ekonominë?

Transporti është një nga faktorët bazë të konkurrueshmërisë së një ekonomie. Një sistem transporti i shpejtë, i parashikueshëm dhe me kosto të arsyeshme ul kostot e lëvizjes së njerëzve dhe rrit produktivitetin.

Në rastin e linjës Tiranë–Durrës–Rinas, kemi të bëjmë me lidhjen e tri qendrave me rëndësi të jashtëzakonshme ekonomike: kryeqyteti – porti dhe qendra ekonomike e Durrësit –aeroporti ndërkombëtar Nënë Tereza, më i madhi për vëllim pasagjerësh në Ballkanin Perëndimor.

Kjo e bën linjën shumë më tepër sesa një shërbim transporti për pasagjerë. Ajo mund të shërbejë si një bosht ekonomik i Shqipërisë qendrore, pasi do t’u shërbejë dhe do të ulë kostot e lëvizjes për mbi 1.2 milionë qytetarë.

Nga ana tjetër, lidhja hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas krijon një korridor ekonomik. Tirana përqendron pjesën më të madhe të aktiviteteve administrative, financiare, të biznesit dhe shërbimeve. Durrësi është një qendër portuale, turistike, industriale dhe tregtare, ndërsa Rinasi është porta kryesore ajrore e vendit dhe një nyjë gjithnjë e më e rëndësishme për turizmin, biznesin dhe lëvizjen ndërkombëtare.

Një lidhje hekurudhore e integruar ndërmjet tyre krijon një korridor, ku njerëzit dhe aktiviteti ekonomik lëvizin më shpejt dhe me kosto më të ulët.

Kontrata e Shërbimit Publik sjell një filozofi të re të menaxhimit

Kontrata e Shërbimit Publik është e rëndësishme, sepse qartëson marrëdhënien ndërmjet shtetit dhe operatorit privat. Shteti nuk duhet domosdoshmërisht të jetë vetë operatori i shërbimit. Ai përcakton çfarë shërbimi kërkohet, sa shpesh duhet të ofrohet (oraret e linjës), cilat janë standardet, cilat janë cilësia dhe siguria, frekuenca e trenave, informacioni për pasagjerët, standardet e mirëmbajtjes dhe mekanizmi i kompensimit.

Operatori privat, nga ana e tij, duhet të ofrojë shërbimin, duke i përmbushur këto standarde. Ky është një ndryshim i rëndësishëm, në krahasim me modelin e derisotë, ku shteti përqendrohej kryesisht tek zotërimi, apo administrimi i aktivitetit.

Një nga elementet më pozitive të modelit të ri është përdorimi i një procedure konkurruese.

Parimi është i qartë: Shteti përcakton nevojën dhe standardin; operatorët privatë konkurrojnë për mënyrën më të mirë të ofrimit të shërbimit.

Konkurrenca do të nxisë operatorët privatë të ofrojnë zgjidhje më të leverdisshme, për sa i përket kostos, frekuencës, teknologjisë, mirëmbajtjes dhe cilësisë së shërbimit në trenat.

Kompensimi publik duhet të lidhet pazgjidhmërisht me performancën e operatorit privat. Një pikë thelbësore e Kontratës së Shërbimit Publik, të prezantuar sot, është mekanizmi i kompensimit.

Nëse shteti kompenson operatorin për ofrimin e një shërbimi publik, duhet të jetë e qartë se për çfarë paguan. Kompensimi do të lidhet me detyrimet konkrete të operatorit dhe, sa më shumë që të jetë e mundur, me performancën.

Për shembull, do duhet të maten respektimi i orareve, numri i udhëtimeve, rregullshmëria e shërbimit, pastërtia në tren, siguria, funksionimi i sistemeve të informacionit, trajtimi i ankesave dhe aksesueshmëria për personat me aftësi të kufizuara.

Një nga përfitimet kryesore të konkurrencës përmes Kontratës së Shërbimit Publik, është mundësia për të krahasuar oferta. Në vend që shteti të përcaktojë vetë të gjitha kostot dhe mënyrën e operimit, operatorët private do të konkurrojnë duke propozuar modele të ndryshme.

Kjo i jep shtetit mundësi të zgjedhë ofertën më të mirë në raportin: çmim – cilësi – frekuencë – siguri – performancë.

Nëse kontrata hartohet mirë, kjo kufizon kostot e panevojshme dhe shton vlerën e marrë nga fondet publike.

Lidhja hekurudhore me Rinasin ka rëndësi të veçantë për turizmin

Një aeroport modern kërkon një sistem modern lidhjesh me qytetin. Për një turist që mbërrin në Shqipëri, mundësia për të kaluar nga avioni në tren dhe për të mbërritur shpejt në Tiranë ose Durrës është një avantazh i rëndësishëm.

Një lidhje e drejtpërdrejtë dhe e besueshme hekurudhore e bën Shqipërinë më konkurruese si destinacion turistik. Më shumë se 80 përqind e turistëve të huaj që mbërritën këtë vit tek ne kërkuan informacion të hollësishëm për ofertat e transportit publik.

Hekurudha do të përmirësojë edhe përvojën e turistit dhe do të shpërndajë më mirë flukset turistike ndërmjet Tiranës, Durrësit dhe zonave të tjera të afërta.

Hekurudha rrit produktivitetin e ekonomisë

Transporti i mirë nuk është vetëm komoditet. Nëse një punonjës mund të udhëtojë shpejt dhe në mënyrë të parashikueshme nga Durrësi në Tiranë, rritet mundësia për të punuar në një qytet dhe për të jetuar në një tjetër. Kjo zgjeron tregun e punës.

Një kompani në Tiranë mund të ketë akses tek punonjës që jetojnë në Durrës dhe anasjelltas. Në këtë mënyrë, hekurudha kontribuon në një treg pune më të integruar dhe në një shpërndarje më efikase të burimeve njerëzore.

Standardet e shërbimit janë po aq të rëndësishme sa infrastruktura

Investimi në hekurudhë nuk garanton automatikisht sukses. Një pasagjer nuk zgjedh trenin vetëm sepse ekziston një linjë hekurudhore. Ai e zgjedh, nëse shërbimi është i shpejtë, i rregullt, i pastër, i sigurt, i përballueshëm dhe i parashikueshëm.

Prandaj, standardet e përcaktuara në Kontratën e Shërbimit Publik do të jenë vendimtare. Kjo, sepse ndërsa infrastruktura hekurudhore krijon mundësinë, cilësia e operimit krijon kërkesën.

Modeli i ri duhet ta shfrytëzojë fort teknologjinë e avancuar, për ta bërë transportin hekurudhor më të thjeshtë për përdoruesin. Rezervimi dhe pagesa elektronike, informacioni në kohë reale, aplikacionet online për oraret, njoftimet për vonesat dhe integrimi me sistemet e tjera të transportit do ta bëjnë shërbimin hekurudhor më konkurrues.

Një sistem modern duhet të synojë që pasagjeri të mos mendojë më për transportin si disa sisteme të veçanta, por si një shërbim të integruar të lëvizjesi.