Një nga dukuritë më shqetësuese të episodeve të dhunshme të protestave të 13-25 tetorit në Tiranë, është mënyra se si një pjesë e pasqyrimit mediatik kontribuon në normalizimin, justifikimin ose glorifikimin e akteve të dhunës kundër institucioneve publike dhe pronës private, ose në rezistencën ndaj efektivëve të policisë.

Pamjet e dyerve të djegura, të kateve të para të disa ministrive dhe të Gjykatës së Lartë të përfshira nga zjarri, të bizneseve të dëmtuara e të plaçkitura dhe të përplasjeve të protestuesve me policinë nuk janë thjesht imazhe spektakolare për t'u transmetuar në ekran. Ato janë dëshmi të një konflikti që ka pasoja për sigurinë publike, funksionimin e shtetit, pronën dhe jetën ekonomike të qytetarëve.

A po e informon media publikun për dhunën, apo po e shndërron dhunën në një model të admirueshëm sjelljeje?

Përballë ngjarjeve të tilla, televizionet kanë një përgjegjësi të veçantë. Ato nuk janë vetëm kamera që regjistrojnë dhe transmetojnë pamje. Ato janë para së gjithash institucione informimi, që ndikojnë në mënyrën se si qytetarët që ngërthehen përpara ekranit i kuptojnë ngjarjet, si i gjykojnë aktorët dhe çfarë sjelljesh pranojnë si të ligjshme, ose të justifikueshme.

Kur një protestues që përleshet me policinë, hedh bomba molotov ose merr pjesë në shkatërrimin e pronës publike dhe private na paraqitet si një hero, si një luftëtar i guximshëm i një kauze të drejtë(kërkesave të mstudentëve), apo një simbol i rezistencës, lind një pyetje thelbësore: A po e informon media publikun për dhunën, apo po e shndërron dhunën në një model të admirueshëm sjelljeje?

Ky dallim është vendimtar për cilësinë e demokracisë. Protesta është e drejtë; dhuna nuk është virtyt. Në një shoqëri demokratike, qytetarët kanë të drejtën të protestojnë, të kundërshtojnë qeverinë, të kritikojnë institucionet dhe të kërkojnë llogaridhënie. Kjo e drejtë duhet mbrojtur, edhe kur protestuesit shprehin kërkesa të ashpra politike, edhe kur kritikat e tyre drejtohen kundër qeverisë në pushtet. Edhe ku në formë demonstrative bllokojnë përkohësisht segmente rrugore si shenjë proteste.

Por mbrojtja e protestës nuk nënkupton pranimin e çdo veprimi të kryer në emër të saj. Djegia e ndërtesave, hedhja e bombave molotov drejt policisë, plaçkitja e dyqaneve, dëmtimi i bankave dhe shkatërrimi i pronës së qytetarëve nuk bëhen akte demokratike, vetëm sepse kryhen gjatë një proteste politike. Legjitimiteti i një kauze nuk e bën automatikisht legjitim çdo mjet të përdorur për ta mbështetur atë.

Ky duhet të jetë një nga parimet themelore të gazetarisë së përgjegjshme. Të cilin, për fat të keq, tek televizionet tona e shohim shumë pak sot.

Një televizion mund dhe duhet të kritikojë ashpër qeverinë, të evidentojë dështimet e institucioneve dhe të denoncojë abuzimet me pushtetin. Por këtë ka mision kombëtar ta bëjë, pa e paraqitur dhunën si mjet të pranueshëm të veprimit politik!

Sa më e rëndësishme të jetë kauza e pretenduar, aq më e domosdoshme bëhet që media të dallojë kërkesat politike nga sjelljet kriminale ose potencialisht të kundërligjshme të individëve që paraqiten thjesht si huliganë, vandalë dhe plaçkitës.

Heroizimi i hedhësve të molotovit

Një prej formave më problematike të mbështetjes mediatike ndaj dhunës shfaqet kur personat që hedhin gurë, përleshen me policinë ose hedhin bomba molotov, përshkruhen me gjuhë romantizuese, si heronj, gavroshë(kur janë adoleshentë, trima apo figura që sfidojnë me guxim pushtetin.

Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me zgjedhjen e një mbiemri apo me një titull sensacional. Gjuha mediatike ndërton një kornizë interpretimi. Ajo përcakton se kush paraqitet si protagonist pozitiv, kush si kundërshtar dhe cilat veprime marrin vlerë morale në sytë e qytetarëve që ndjekin ekranin televiziv.

Kur një person që hedh një bombë molotov paraqitet vetëm si simbol i revoltës, ndërsa rreziku që një veprim i tillë krijon për jetën e policëve, kalimtarëve dhe vetë protestuesve lihet në hije, atëhere qytetari merr një pamje të cunguar të realitetit nga institucioni televiziv që e ka për detyrë ta informojë dhe vetëm informojë.

Kur përplasja me policinë trajtohet si provë trimërie, krijohet qëllimshëm përshtypja se dhuna është një mënyrë jo vetëm për të fituar vëmendje, prestigj dhe status publik, por edhe për të përmbysur një qeverisje.

Kjo është veçanërisht e rrezikshme për të rinjtë, të cilët ndikohen lehtë nga modele të paraqitura si të admirueshme në ekran dhe në rrjetet sociale.

Gazetaria, edhe ajo televizive, nuk mund dhe nuk duhet ta shndërrojë agresivitetin në kapital të saj, për të treguar aty ku merr fondet se i ka shërbyer qëllimit. Ajo ka për detyrë përpara qytetarëve (është rregjistruar si mjet i informimit masiv) dhe duhet të shpjegojë çfarë ndodhi, pse ndodhi, cilat ishin pasojat dhe kush mban përgjegjësi, pa u kthyer në skenë promovimi për dhunën.