Rrahja barbare deri në gjakosje, dhunimi dje i një njeriu publik, gazetarit dhe analistit Ilir Demaliaj, pavarësisht se motivi në plan të parë nuk ka lidhje me protestën rinore 32 ditore, është, për fat të keq, produkt i radikalizimit dhe gjuhës më të ashpër në rrjetet tona sociale, të nxitura nga kjo protestë.

Protestat janë pjesë e pandashme e një shoqërie demokratike. Ato kanë vlerë, kur shërbejnë si instrument për të artikuluar pakënaqësi, për të kërkuar llogaridhënie dhe për të ushtruar presion publik në mënyrë paqësore.

Megjithatë, historia politike në shumë vende, edhe shumë më demokratike dhe të zhvilluara se ne, tregon se kur një protestë radikalizohet, ekziston rreziku që një pjesë e pjesëmarrësve ose individë të lidhur me klimën e krijuar rreth saj, të kalojnë nga debati, tek intimidimi dhe nga kundërshtimi, tek dhuna.

Kufiri i dobët mes gjuhës së ashpër dhe dhunës fizike

Një klimë e fortë polarizimi mund të krijojë kushte që e bëjnë më të mundshëm kalimin nga gjuha e ashpër te veprimet e dhunshme. Kjo mund të ndodhë për disa arsye.

Së pari, demonizimi i kundërshtarit. Kur figura publike, gazetarë apo analistë etiketohen vazhdimisht si "armiq", "tradhtarë" ose "pengesë për Shqipërinë ndryshe", krijohet një klimë ku individë të veçantë mund të ndihen të justifikuar për të ushtruar presion apo edhe dhunë ndaj “këtyre tradhtarëve”. Retorika e tillë nuk provon lidhje të drejtpërdrejtë me akte të dhunshme, por mund të kontribuojë në rritjen e tensionit.

Së dyti, dobësimi i kufirit midis debatit dhe konfrontimit fizik. Demokracia funksionon mbi parimin që idetë kundërshtohen me argumente dhe jo me forcë. Kur ky kufi relativizohet, rrezikohet vetë kultura demokratike.

Së treti, efekti i turmës. Në protesta masive mund të marrin pjesë individë me motive të ndryshme. Edhe nëse shumica e protestuesve mbetet paqësore, një numër i vogël personash të radikalizuar, mund të kryejë akte të paligjshme, që dëmtojnë jo vetëm viktimat, por edhe legjitimitetin e protestës.

Së katërti, normalizimi i gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale. Eshtë e frikshme të lexosh disa mesazhe në rrjetet sociale, që do ta donin analistin Ilir Demaliaj edhe të vdekur, pse “ti e meriton klysh k…!”. Fushatat e sulmeve verbale, kërcënimeve apo dehumanizimit ndaj personave publikë mund të krijojnë një atmosferë ku dhuna fizike perceptohet nga disa individë si vazhdimësi e konfliktit verbal. Kjo është vazhdimësia e “revolucionit të flamengove”, që ne duam?

Kjo nuk do të thotë se gjuha e ashpër shkakton domosdoshmërisht dhunë, por se ajo mund të jetë një faktor që kontribuon në klimën e përgjithshme të intolerancës në mjediset brenda protestës. Organizatorët e protestës rinore kanë përgjegjësi morale dhe politike, për të dënuar publikisht çdo akt dhune dhe për të distancuar qartë protestën nga individët që përdorin forcën. Heshtja përballë dhunës, ka rrezik të interpretohet si mungesë e një mesazhi të qartë në mbrojtje të protestës paqësore.

Askush nuk fiton, kur rrihet një figurë publike

Është paradoksale që një lëvizje që pretendon të kërkojë më shumë liri, transparencë dhe drejtësi, të tolerojë, qoftë edhe me heshtje, akte intimidimi apo dhune, ndaj njerëzve publikë. Heshtja përballë dhunës nuk është neutralitet. Ajo rrezikon të perceptohet si mungesë e një qëndrimi të qartë kundër saj.

Edhe më shqetësues është fenomeni i gjuhës së urrejtjes. Kur për javë të tëra figura publike në protestë dhe jashtë saj, nga organizatorët e saj, etiketohen si "armiq", "tradhtarë", "mercenarë" apo me etiketime të tjera denigruese, krijohet një klimë ku një individ i radikalizuar mund të mendojë se po kryen një "mision". Fjalët nuk janë automatikisht shkak i dhunës, por ato mund të ndikojnë në krijimin e një ambienti ku dhuna perceptohet si e justifikueshme nga disa.

Demokracia nuk matet vetëm nga e drejta për të protestuar, por edhe nga aftësia për të mbrojtur, dhe jo dhunuar, mendimin ndryshe. Analistët, gazetarët, aktivistët dhe politikanët duhet të ndihen të sigurt për të shprehur pikëpamjet e tyre pa frikën e sulmeve fizike. Çdo akt dhune ndaj tyre cenon jo vetëm të drejtat individuale, por edhe cilësinë dhe të ardhmen e demokracisë sonë të brishtë.

Askush nuk fiton kur rrihet një figurë publike, një gazetar dhe analist. Humb demokracia. Humb liria e fjalës. Humb e drejta e çdo qytetari për të folur pa frikë. Dhe kur një shoqëri fillon të pranojë heshturazi se kundërshtari politik mund të intimidohet fizikisht, atëherë nuk është më në krizë vetëm protesta. Është në provë e ardhmja demokratike e vendit.