Fatos Çoçoli: Kursimi i energjisë si anti-fashë!

Fatos Çoçoli: Kursimi i energjisë si anti-fashë!

Foto ilustruese

Në dhjetor, nëse qeveria detyrohet të vendosë fashën 800 kilovat-orë, do të paguajmë 35-38 milionë euro më shumë energji elektrike si qytetarë. Tetori i thatë dhe plot diell që po përfundon nuk është ogur i mirë. E gjithë shpresa tani është tek kursimi i energjisë elektrike.

Kursejmë dhe s’kemi fashë në dhjetor?

Ka shumë mënyra për ta kursyer energjinë elektrike dhe për të bërë që të kemi nevojë jo më shumë se 14 mijë megavat-orë në ditë(ndoshta kufiri për t’ia dalë pa fashë)  edhe në dhjetor.

Po si? Së pari, të fikim dritat, kompjuterët, televizorin, telefonin, kondicionerin dhe çdo pajisje tjetër, përpara se sa të na zërë gjumi. Vetëm me këtë hap të thjeshtë mund të kursejme shumë. Po sa? Përllogaritjet flasin për rreth 1.3 milionë euro energji e konsumuar kot çdo muaj nga 600 mijë familjet tona.

Së dyti, nëse kemi pajisje që nuk përdoren(edhe karikues celularësh, etj.), por ama i mbajmë në prizë, duhet t’i heqim nga priza. Sa kursejmë po ta bëjmë? 300 mijë euro në muaj për të 650 mijë familjet tona. Nuk është pak. Ia vlen që për këto pajisje të përdorim një prizë zgjatuese me shumë dalje, në mënyrë që të mund t’i fikim të gjitha me një prekje të vetme.

Së treti, duhet të bëjmë kujdes me kondicionerin dhe dushin. Na kurdisin në harxhim të kotë energjie. Gjatë dimrit, duhet ta mbajmë në intervalin nga 18 deri në 20 gradë. Kur lahemi dhe mbushim vaskën, na qëllon jo pak herë ta harrojmë ujin e ngrohtë që po e mbush dhe ta derdhim së koti. Ose ta mbajmë të ndezur dushin, edhe pse nuk kemi synim të lahemi gjatë gjithë ditës së punës. Kondicioneri dhe dushi janë “fajtorë” për harxhim të kotë energjie elektrike në muaj në nivel 5.6 milionë euro për të 650 mijë familjet tona(apo një mijë lekë të reja harxhim i kotë mesatarisht për familje).

Lavatriçja është harxhuesja numër një e energjisë elektrike, pas ngrohjes me korent. Nëse i lajmë rrobat me ujë të ftohtë, do të kursenim ndjeshëm elektricitet. Nëse lavatriçja jonë ka karakteristika të veçanta për kursimin e energjisë, atëherë do të ishim dyfish të fituar. Nga harxhimi kot i energjisë prej lavatriçes(e mbushim kazanin në një të tretën, lajmë në 90 gradë rroba që shumë mirë lahen në 30 gradë apo me ujë të ftohte, etj.), të 650 mijë familjet tona humbin mesatarisht 500 lekë të reja në muaj ose 2.7 milionë euro.

Për çdo familje tonën, në vend të llampave të vjetra inkandeshente, ia vlen të investojmë tek llampat LED, të cilat janë jo vetëm të përballueshme, por edhe kursejnë goxha energji. Të gjitha kursimet, nga çdo burim, edhe për administratën shtetërore, do të na bënin të harxhonim 3-4 mijë megavat-orë energji elektrike më pak në ditë. Sot që flasim, një e gjashta e energjisë që harxhojmë në ditë shpërdorohet. Po si shpërdorohet? Duke harruar ndezur dritat e rrugëve në mëngjes me dritë të ditës(ndodh rëndom edhe tani që qeveria ka vendosur masa kontrolli për harxhimin e energjisë elektrike). Duke harruar drita ndezur në zyrat e shtetit dhe privatit, apo në dhomat tona gjatë mbrëmjes e natës, duke e lënë gjithë ditën e natën ndezur dushin, duke e harruar derën e frigoriferit hapur, qoftë dhe për pak minuta, apo duke larë rroba me kazanin e lavatriçes të mbushur pak. Duken gjëra të rëndomta, por përbëjnë miliona euro shpërdorim brenda një muaji!

Tabela 1. Si e kursejmë energjinë në familje
Mund ta zvogëlojmë faturën e energjisë me 10 përqind në muaj, nëse:
-Fikim dritat e panevojshme
Dy llamba inkandeshente 100 vat të fikura dy orë shtesë në ditë mund të na ​​kursejnë 130 lekë në muaj. Më mirë akoma, të kalojme në LED.
-Përdorim dritën natyrale
Një dritare e vetme me drejtim jugun mund të ndriçojë 20 deri në 100 herë sipërfaqen e saj. Fikja e një llambë 60 vat për katër orë në ditë është një kursim prej 100 lekësh të reja në muaj.
-Përdorim ndriçimin direkt
Fikim dritat e tavanit dhe përdorim llambat e tavolinës, ose të aspiratorit mbi furnelën elektrike, si dhe dritat nën sportel në zonat e punës ose të ndenjes, apo në kuzhina. Kursejmë 120 lekë të reja në muaj.
-Bëjmë dushe më të shkurtër
Uji i nxehtë është i shtrenjtë. Nëse dy persona në shtëpinë tonë shkurtojnë kohën e dushit me një minutë seicili, mund të kursejme 400 lekë të reja në muaj.
-Fikim ujin kur rruhemi, lajmë duart, lani dhëmbët
Ulim përdorimin e ujit të nxehtë me 5%, për të kursyer rreth 150 lekë të reja në muaj.
-Rregullojmë rubinetin që rrjedh ose pikon
Rregullimi i rrjedhjes së ujit të nxehtë në rubinetin tonë mund të na kursejë deri në 100 lekë të reja në muaj në kostot e energjisë.
-Shkëpusim pajisjet elektronike të papërdorura
Energjia e papërdorur (në standby) mund të përbëjë 6% të përdorimit mesatar vjetor të energjisë elektrike nga një familje mesatare. Shkëpusim pajisjet elektronike të papërdorura dhe kursejme 350 lekë të reja në muaj.
-Heqim kompjuterin desktop
Nëse përdorim kompjuterin desktop(të tavolinës), më mirë të kalojmë në kompjuter laptop tuaj. Kursejmë 80 lekë të reja në muaj.
-Jo në shtëpi? Fikim kondicionerin
E harrojmë kondicionerin ndezur edhe për pesë orë në ditë, ndërsa jemi larg shtëpisë? Kursejmë 280 lekë të reja në muaj, nëse nuk e harrojmë më.
-Menaxhojmë temperaturën e kondicionerit
Nëse kemi ngrohje elektrike me kondicioner, ulim temperaturën me dy gradë për të kursyer 5% në faturën tonë të energjisë. Ulja e kondicionerit me pesë gradë(18 gradë celsius në shtëpi janë normale) na sjell kursim 10 përqind, ose 500 lekë të reja në muaj.
-Bëjmë larje me lavatriçe me ngarkesa të plota
Presim dhe lajmë rrobat një herë në javë, edhe nëse tashmë jemi duke përdorur vetëm ujë të ftohtë, dhe kursejmë 400 lekë të reja në muaj.
-Lajmë rrobat në të ftohtë
Duke kaluar nga uji i nxehtë në ujë të ftohtë për një mesatare prej tre ngarkesash(larjesh me lavatriçe) në javë, kursejmë deri në 200 lekë të reja në muaj.
-Evitojmë tharjen “heat-dry” në lavastoviljen(larësen e enëve) të shtëpisë
Ky opsion është i shtrenjtë. Nuk e zgjedhim atë dhe, bazuar në një ngarkesë pjatash në ditë, kursejmë deri në 150 lekë të reja në muaj.  
-Përdorim mikrovalën dhe tenxheren me presion
Një mikrovalë kërkon 15 minuta për të bërë të njëjtën punë si 1 orë në një furrë elektrike. Përdorim një mikrovalë në vend të furrës sonë 4 herë në javë dhe kursejmë 110 lekë të reja në muaj.
TOTALI I KURSIMIT: 3,050 lekë të reja në muaj më pak në faturën tonë të energjisë në muajt e dimrit

Kursim i fortë do të thotë “Jo-fashë!”

Duhet të shikojmë sa përputhen dritaret e dyert tona me dimrin që po afron. Një shtëpi më e izoluar kursen 20 përqind të energjisë për ngrohje. Vetëm në këtë mënyrë, ky kursim do të na mundësonte që çdo ditë t’i kërkojmë në nëndor dhe dhjetor KESH-it dhe OSHEE-se mesatarisht 13-14 mije megavat-ore, dhe jo 16-17 mijë megavat-orë, ç’ka nënkupton tharrjen e shpejtë të liqenit të Fierzës dhe blerjen e energjisë shumë të shtrenjtë nga jashtë në nivel 35-40 përqind të nevojave. Çka nga ana e saj, nënkupton vendosjen e detyruar të fashës 800 kilovat-ore në dhjetor 2022. Kemi mundësi, me kursimet tona në çdo familje dhe institucion shtetëror, që ta shmangim këtë situatë, edhe nëse nuk bie shi as në nëndor, sikurse nuk ra këtë muaj. E kemi vetë në dorë. Na duhet vetëm kujdes, disiplinë dhe përgjegjshmëri, si në familjet tona, dhe në shtet.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille

Champions League/ Liverpool mposht 2-0 Real Madridin, Mbappe dhe Salah humbasin penallti! Juve tre ndeshje pa fitore, tri pikë për Dortmund e Lille