Vendi ynë është në prag të një ndryshimi të madh, i cili mund të përcaktojë mënyrën se si ne do të lëvizim dhe të konsumojmë energji në ditët dhe vitet që vijnë.
Në këtë rrugëtim të ri drejt ndryshimit , projekti “OSHEE Charge”(charge, fjala në anglisht për “kariko”) shënon një nga nismat më domethënëse, jo vetëm si investim teknologjik. Projekti është shenjë e një vizioni të ri kombëtar për zhvillim të gjelbër dhe të qëndrueshëm.
Ta shohim OSHEE-në ndryshe
Operatori Shtetëror i Energjisë Elektrike (OSHEE) është prej vitesh i lidhur në mendjet tona me rrjetet elektrike dhe faturat mujore. Tani këtë ndërmarrje shtetërore duhet të nisim ta shohim edhe ndryshe. Me “OSHEE Charge”, kompania publike hyn në një fazë të re. Nga operator shpërndarjeje energjie në motor të tranzicionit të pastër, duke marrë një rol që hyn në sferën e përgjegjësisë mjedisore dhe inovacionit publik.
Rritja e flotës së automjeteve elektrike në Shqipëri ka qenë shumë e shpejtë: nga më pak se 420 automjete para pesë vitesh, në mbi 4 mijë e pesëqind këtë vit. Problemi kryesor është se kjo rritje ndodhi pavarësisht infrastrukturës së karikimit të baterisë së makinës, jo falë saj.
Në mungesë të një rrjeti të besueshëm karikimi, tregu i makinave elektrike tek ne rrezikon të frenojë. Pikat private janë të pakta, të shpërndara në mënyrë të pakoordinuar dhe pa standarde të unifikuara.
Çfarë është “OSHEE kariko”?
“OSHEE Charge” apo “OSHEE kariko” është projekti më i ri kombëtar i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), i cili synon të krijojë infrastrukturën e parë të centralizuar, publike dhe të standardizuar për karikimin e automjeteve elektrike në Shqipëri. Projekti paraqet një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sektorit energjetik, promovimit të mobilitetit të gjelbër dhe uljes së ndotjes urbane.
“OSHEE kariko” do të krijojë një rrjet kombëtar të pikave të karikimit për automjetet elektrike, të aksesueshme nga çdo përdorues. Projekti ka për qëllim rritjen e përdorimit të makinave elektrike përmes sigurimit të infrastrukturës së duhur, si dhe mbështetjen e strategjisë së tranzicionit energjetik, duke nxitur konsumin energjetik të pastër.
Nga ana tjetër, projekti do të unifikojë standardet e karikimit dhe do të ofrojë një platforme të vetme publike, transparente dhe të kontrolluar.
Pikat e karikimit të projektit do të instalohen në qytetet e mëdha, parkingjet publike, zonat turistike dhe akset kombëtare. Faza e parë synon ngritjen e 100–120 stacioneve, me kapacitete të ndryshme karikimi (AC dhe DC). Pikat e karikimit do të menaxhohen në kohë reale nga OSHEE.
Aplikacioni unik “OSHEE Charge” do të mundësojë gjetjen e pikës më të afërt të karikimit për qytetarin, prenotimin e pikës, karikim të menjëhershëm me skanim të kodit, pagesa të digjitalizuara, monitorim të konsumit të energjisë, si dhe tarifim transparent dhe të standardizuar.
Sistemi synon të shmangë mbingarkesat në rrjet, duke përdorur teknologji smart grid. Në fazën e dytë planifikohet edhe karikimi i menaxhuar në oraret jo-pik (“time-of-use pricing”).
Projekti OSHEE Charge, në këtë kuptim, vjen si ndërhyrja e parë sistematike për ta rregulluar tregun.
Infrastruktura e karikimit të automjeteve elektrike në vitin 2021 ishte shumë e kufizuar, me më pak se 30 pika publike. Në vitin 2022, filluan instalimet e para të rrjetit privat të karikimit nga kompani energjetike dhe qendra tregtare. Në vitin 2023, numri i pikave të karikimit arriti mbi 120 në rang vendi. Kemi tendencë në rritje të familjeve që blejnë automjete elektrike, shumica të përdorura 2–3 vite.
Në një vend ku transporti mbetet burimi kryesor i ndotjes urbane dhe ku makinat me karburant mbizotërojnë ende rrugët tona, krijimi i një rrjeti kombëtar stacionesh karikimi për automjetet elektrike është një akt i guximshëm.
Çfarë fitojmë si qytetarë?
Projekti përfaqëson një deklaratë politike, teknologjike dhe morale, se Shqipëria është gati të ndryshojë drejtim. Rëndësia e këtij projekti nuk qëndron vetëm në faktin që ne si qytetarë do të kenë më në fund mundësi të karikojnë makinat elektrike në qytete apo rrugë nacionale.
Më shumë se kaq, “OSHEE Charge” krijon një lidhje të re midis prodhimit të energjisë së pastër dhe konsumit të saj inteligjent. Në një ekonomi që tashmë po prodhon gjithnjë e më shumë energji nga burime të rinovueshme, veçanërisht nga dielli(tani që flasim 12 përqind të energjisë e prodhojmë nga panelet fotovoltaike) përdorimi i kësaj energjie për transportin elektrik është rruga më logjike dhe më e drejtë për të ardhmen.
Kjo është mënyra se si ne mund të ulim ndjeshëm varësinë nga importet e karburanteve, të reduktojmë ndotjen dhe të përmirësojmë cilësinë e ajrit në qytetet tona. Në thelb, “OSHEE Charge” nuk është thjesht një rrjet kabllosh dhe pajisjesh karikuese. Ai përfaqëson fillimin e një zinxhiri të ri ekonomik, ku energjia e pastër krijon vlerë të shtuar, punësim, teknologji dhe besim tek shteti.
Veprimi dhe suksesi i “OSHEE Charge” do të matet jo me numrin e stacioneve të ndërtuara, por me ndryshimin real të sjelljes konsumatore tek ne. Në planin strategjik, “OSHEE Charge” është një pasaportë drejt Evropës së gjelbër. Në Bashkimin Evropian, pas vitit 2035, nuk do të lejohet më shitja e makinave me motorë me djegie të brendshme. Shqipëria, si vend që aspiron anëtarësimin në BE në pesë vitet e ardhshme, duhet të përgatitet që tani për këtë realitet të ri.
Komente








