Sot mbushen 32 ditë të konfliktit në Iran dhe nafta tek ne është rritur me 40 lekë, nga 178 lekë litri në 2018 lekë litri. Megjithë këtë shtim me 22 përqind(gati një e katërta), sërisht çmimet e ushqimeve tek ne nuk kanë lëvizur. Po pse?
Duhet ta pohojmë se tek ne pasojat e deritanishme nga shtimi me pothuajse një të katërtën të çmimit të naftës kanë qenë më të kufizuara nga sa pritej.
Dobitë nga shtimi i energjisë nga fotovoltaiket
Një nga arsyet kryesore është se gjatë tre viteve të fundit vendi ka rritur ndjeshëm prodhimin e energjisë nga fotovoltaikët dhe burime të tjera të rinovueshme, duke ulur varësinë nga importet e energjisë elektrike.
Kjo nuk do të thotë se ekonomia jonë është e imunizuar nga rritja e çmimit të naftës, por thjesht se sot kemi më shumë mbrojtje se disa vite më parë.
Në tre vitet e fundit Shqipëria ka pasur një zgjerim të shpejtë të investimeve në energjinë diellore. Faktorët kryesorë kanë qenë ndërtimi i parqeve të mëdha fotovoltaike, investimet private në panele diellore për biznese dhe familje, rritja e çmimit të energjisë në Europë pas krizës së viteve 2022–2023 dhe politikat e Ministrise së Energjitikës për të nxitur prodhimin e energjisë së rinovueshme.
Projektet më të rëndësishme kanë përfshirë futjen në punë të parkut fotovoltaik të Karavastasë, zgjerimin e impianteve fotovoltaike në zonën e Fierit, Vlorës dhe Lushnjës, si dhe qindra sisteme diellore të instaluara në biznese, hotele, sera dhe banesa.
Brenda vitit 2025, kapaciteti i instaluar fotovoltaik në Shqipëri është rritur gjashtë herë, krahasuar me vitin 2022. Energjia diellore tashmë përbën një pjesë të dukshme të prodhimit vendas të energjisë elektrike, sidomos gjatë muajve të verës. Rritja e kapacitetit ka sjellë edhe rritje të shpejtë të prodhimit të energjisë elektrike dhe brenda saj, të pjesës nga fotovoltaikët, që sot janë gati një e dhjeta e totalit.
Në verën e vitit 2025, energjia diellore mbulonte në disa ditë mbi 15% të konsumit ditor të energjisë elektrike në Shqipëri.
Pse fotovoltaikët po e ndihmojnë ekonominë tonë
Në vitet e mëparshme, sa herë që kishte thatësirë ose rritje të konsumit, Shqipëria detyrohej të importonte energji me çmime shumë të larta. Me shtimin e prodhimit nga fotovoltaikët, importet janë më të ulëta, shteti dhe OSHEE shpenzojnë më pak valutë dhe bizneset përballen me më pak rrezik nga rritja e çmimeve ndërkombëtare.
Kjo është shumë e rëndësishme, në një periudhë kur lufta në Iran ka rritur pasigurinë në tregjet energjetike.
Me qindra biznese të konsoliduara shqiptare, sidomos fabrika, hotele, qendra tregtare dhe plantacione me sera, kanë instaluar panele diellore në tre vitet e fundit. Si rezultat, ato blejnë më pak energji nga rrjeti, janë më pak të ndikuara nga çmimet e larta të naftës dhe i ruajnë kostot e prodhimit dhe çmimet të përballueshme për konsumatorët. Kjo ka ndihmuar që inflacioni në Shqipëri të mos rritet aq shumë sa në vende të tjera.
Karavastaja mbetet projekti më i madh fotovoltaik në Shqipëri dhe një nga më të mëdhenjtë në Ballkan.
Fotovoltaikët, turizmi dhe mbarë ekonomia
Turizmi është një nga sektorët që konsumon më shumë energji gjatë verës. Hotelet, restorantet dhe resortet përdorin shumë energji për ajër të kondicionuar, ndriçim dhe ujë. Dhe pikërisht, gjatë muajve të verës, kur ka më shumë diell dhe më shumë turistë, prodhimi nga fotovoltaikët arrin kulmin. Kjo ka ndihmuar që kostot e hoteleve të mos rriten shumë, çmimet për turistët të mbeten relativisht të qëndrueshme dhe sektori të mos goditet rëndë nga rritja e çmimeve të energjisë.
Duhet ta theksojmë se në shumë sektorë të ekonomisë shqiptare, sidomos në shërbime dhe industri të lehta, përdorimi i energjisë elektrike është më i rëndësishëm se përdorimi i naftës. Dhe duke qenë se energjia elektrike tek ne prodhohet kryesisht nga hidrocentralet(90 përqind) dhe gjithnjë e më shumë nga fotovoltaikët(10 përqind), vendi është më pak i ekspozuar ndaj rritjes së çmimit të naftës, sesa ekonomitë që varen nga termocentralet me naftë ose gaz.
Gjatë vitit 2025 dhe muajve të parë të vitit 2026, Shqipëria ka pasur rritje të të hyrave(të ardhurave) nga turizmi, duke shkuar në 5.7 miliardë euro vetëm gjatë vitit të kaluar, ose 15 përqind më shumë se viti 2024. Kjo e ka ndihmuar ekonominë tonë të përballojë më mirë kostot më të larta të importeve të naftës dhe energjisë.
Në krahasim me krizën energjetike të viteve 2022–2023, Shqipëria përballet me krizën e naftës 28 shkurt-1 prill 2026 me inflacion më të ulët, kurs më të fortë të lekut dhe bilance më të mira në sektorin e energjisë. Kjo do të thotë se ekonomia ka më shumë hapësirë për të absorbuar goditjen nga çmimet e larta të naftës.
Për ta mbrojtur ekonominë nga një krizë më e thellë energjetike, qeveria duhet të vazhdojë investimet në fotovoltaikë dhe energji të rinovueshme, të nxisë më fort dhe lehtësojë instalimin e paneleve diellore në familje dhe biznese, si dhe të përmirësojë transportin publik dhe përdorimin e automjeteve elektrike.
Komente










