Tek ne, fuqia e protestave politike është matur gjithnjë me numrin e protestuesve. Protestat paqësore në Tiranë më datat 31 maj–07 qershor 2026 po e humbasin fuqinë e fillimit, për shkak të një kombinimi faktorësh.

Arsyeja kryesore qëndron në faktin që janë protesta pa kokë. Kanë artikuluar kërkesë të qartë për dorëheqje të kryeministrit të sotëm dhe qeverisë së tij, por kjo kërkesë nuk kuptohet nga kush vjen. Nga qytetarët e inatosur që mbajnë pankarta me kërkesën për largim, nga një grup nismëtar i protestës me objektivin e qartë për të shkaktuar dorëheqjen e kryeministrit, apo nga një parti politike e re që fshihet pas organizatorëve anonimë të protestave?

Asnjë nga organizuesit nuk është paraqitur në mediat televizive apo nuk është identifikuar në rrjetet sociale, për të thënë: jam filan fisteku, bëj pjesë në një grupim që kemi x dhe y qëllime për të mirën e vendit, kemi këtë program dhe duam të realizojmë këto objektiva me organizimin e këtyre protestave. Qytetarët kanë pritur për dalje të tilla të sinqerta dhe kurajoze, që të vendosin nëse ia vlen t’i bashkohen protestave. Kjo pritje deri tani është konsumuar për tetë ditë me kot.

Së dyti, mesazhi i protestave paraqitet i paqartë, ose i fragmentuar. Të tetë protestat në kryeqytet kanë sjellë deri tani ose kërkesa të shumta, ose të paformuluara qartë. Tekstet e mesazheve të këtyre tetë ditëve, të përmbajtura në pankartat dhe në fjalimet e folësve, nuk kanë rezonuar lehtë me shqetësimet e sotme konkrete të qytetarëve. Algoritmet e rrjeteve sociale shpërndajnë përmbajtje që provokon, më shumë sesa informon dhe kjo mund të çojë në bllokim ose injorim të mesazhit real të protestës.

Së treti, kur organizatorët anonimë fokusohen te çështje teknike, te ligje dhe procedura, qytetari i thjeshtë mund të mos e kuptojë impaktin e drejtpërdrejtë të tyre në jetën e tij të përditshme. Nga ana tjetër, nëse organizatorët nuk përfaqësojnë figura të njohura dhe të besueshme në opinionin tonë publik, qytetarët ngarkohen me mosbesim ndaj qëllimeve të protestës.

Së katërti, qytetarët kanë pritur këto tetë ditë sinjale se protesta po prodhon efekt, si takime me zyrtarë, premtime institucionale, apo pezullim të vendimeve. Organizatorët bënë gabim që nuk e pranuan ofertën e kryeministrit për ta takuar me një përfaqësi me 20 veta. Pa këto sinjale, besimi qytetar në dobinë e protestave dobësohet.

Së pesti, konkurrenca mes grupeve aktiviste të protestave ka çuar në fragmentim të përpjekjeve dhe në planifikim të dobët të komunikimit publik. Përdorimi i kanaleve të gabuara dhe adresimi nga shumë folës në protestë me fyerje personale e fjalor të rëndë nuk kanë arritur të ngjallin interesimin e grupeve të ndryshme demografike. Kështu, në protesta nuk kemi parë të moshuar, punëtorë sezonalë, sipërmarrës ose përfaqësues të shoqatave të biznesit.

Së gjashti, protestave u ka munguar një platformë konkrete veprimi. Protestat kanë sjellë një lumë ankesash, por jo një plan të drejtpërdrejtë veprimi. Hapa ligjorë dhe peticione me numra, apo ankesa në institucione të caktuara ndërkombëtare. Për shembull, meqë kryekërkesa është largimi i kryeministrit, të paktën organizatorët të kishin përgatitur një peticion dhe të kishin mbledhur firma, për t’ia paraqitur Kuvendit apo Këshillit të Evropës. Pa objektiva të qarta veprimi dhe pa një rrugë të qartë pas protestave, qytetarët dyshojnë në ndryshimin real.

Së shtati, protestat kanë pak ose aspak materiale dhe veprime informimi paraprak: fletushka, takime informuese, debate publike, që të shpjegohen arsyet e këtij aksioni të rëndësishëm politik. Pa këto materiale, ngelen vetëm çirrjet e disa folësve në megafon dhe mesazhet e paqarta të shumë të tjerëve që folën në mënyrë civile. Organizatorët bënë mirë që në dy protestat e fundit reaguan ndaj sharjeve me libër shtëpie të disa folësve në protesta. Por kjo nuk mjafton.