Fatos Çoçoli: Rizbulimi i Korridorit të VIII-të!

Fatos Çoçoli: Rizbulimi i Korridorit të VIII-të!

Harta e korridorit të tetë

Samiti i Bashkimit Evropian i 6 dhjetorit në Tiranë, i bëri mirë të ardhmes së Korridorit të VIII-të. Praktikisht e rizbuloi atë! Po si?

Ky korridor, një nyje rrugore dhe hekurudhore që nis në Brindisi ne Itali, kalon nëpërmjet Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe përfundon në portet e Bullgarisë, që nga ditët e para të dhjetor 2022, është pjesë e rrjetit strategjik të transportit Europian (TEN-T) dhe jo më zgjatim i tij. Komuniteti i Transportit të Bashkimit Evropian ka dhënë miratimin, në mbledhjen e fundit në dhjetor 2022, për përfshirjen e tij në rrjetin kryesor të transportit të BE-së. Kjo pjesë thelbësore e infrastrukturës rrugore të Ballkanit Perëndimor është tashmë pjesë integrale e korridoreve rrugore dhe hekurrudhore të Bashkimit Evropian. Lobimi ka qenë i gjatë, i bërë nga shumë shtete ku kalon ky korridor, si dhe i vështirë. Ministria jonë e Infrastrukturës ka prodhuar një lobim profesional në vitet e fundit.

Rëndësia e Korridorit të 8-të

Korridori i VIII-të bën pjesë në 10 korridoret e transportit evropian, të përcaktuar nga Konferenca Paneuropiane e Transportit. I përket Korridoreve Pan-Europiane të identifikuara dhe të përcaktuara në Konferencat Panevropiane mbi Transportin, të mbajtura në Pragë (1991), Kretë (1994) dhe Helsinki (1997). Që nga fillimi është konceptuar si një sistem transporti multi-modal që lidh Jugun e Italisë me Detin e Zi. Italia është ngarkuar me rolin e koordinatorit të këtij projekti.

Ai përfshin porte detare dhe lumore, aeroporte, portet multi-modale(me shumë funksione), rrugë dhe hekurudha, me një total prej 1270 km hekurudha dhe 960 km rrugë. Korridori shkon nga portet jugore italiane të Barit dhe Brindizi në portet shqiptare të Durrësit dhe Vlorës, më pas përmes kryeqyteteve të Tiranës, Shkupit, Sofjes, përmes Plovdivit për të përfunduar në portet bullgare të Burgasit dhe Varna në Detin e Zi.

Duke qenë pjesë e rrjetit strategjik të transportit europian, Korridori 8 futet në listën e aseteve të Bashkimit Europian dhe kjo do të ushtrojë presion pozitiv tek të gjitha strukturat financuese të Bashkimit Evropian. Një veçori shtesë e Korridorit VIII janë pikat fundore të tij, që të dyja janë porte detare, duke lejuar lidhje të pandërprerë të BE-së dhe me rrjetin e transportit detar botëror.

Korridori, pikë kyçe e krahut jugor të NATO-s

Sot, Korridori i VIII-të ka rëndësi gjeostrategjike, para së gjithash se kalon mes vendeve të NATO-s. Ai kalon nëpër vendet anëtare të NATO-s(Itali, Shqipër, Maqedoni e Veriut dhe Bullgari),  në të gjithë gjatësinë e tij. Në kontekstin aktual gjeopolitik, kjo specifikë e sigurisë e bën këtë aks mjaft strategjik për krahun jugor të NATO-s.

Është Korridori i vetëm transversal në Europën Juglindore, i cili mbyll unazën e Adriatikut, lidh Puglian me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, si dhe del direkt në Varna dhe Burgas. Korridori paraqitet shumë i rëndësishëm edhe për interesat ekonomike dhe gjeostrategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për depozitimin dhe tregtimin e gazit të lëngshëm amerikan në Evropën Lindore dhe më tej.

Kush do ta fiuncancojë Korridorin?

Klasifikimi i Korridorit 8 në rrjetin kryesor Europian të transportit TEN-T, do të thotë se, deri në 40 përqind të projekteve të përzgjedhura, mund të realizohen me grante(fonde falas) dhe pjesa tjetër nga korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

Portet shqiptare të Durrësit dhe Vlorës parashikohen të luajnë një rol të madh, në kuadër të këtij Korridori të rëndësishëm Pan-Europian. Tashmë e rëndësishme dhe thelbësore është të përgatiten projekte të maturuara mirë, për hekurudhën dhe për portin e ri në Durrës.

Kostoja totale që Korridori VIII të rigjallërohet tërësisht vlerësohet rreth 2.5 miliardë dollarë. Duke patur parasysh se interesat strategjike të të gjithë aktorëve kryesorë perëndimorë (kryesisht të Italisë dhe Bullgarisë) janë të mëdha, kosto e financimit nuk konsiderohet si barrierë e vështirë. Gara për financimin e tij tashmë ka nisur.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë