Fatos Çoçoli: Sa do shtohen pensionet nga viti 2025?

Fatos Çoçoli: Sa do shtohen pensionet nga viti 2025?

Edi Rama takim me pensionistët

Fakti që kryeministri nxori dje përpara një grupi pensionistësh një pjesë të mirë të qeverisë për të shpjeguar reformën e pensioneve, dëshmon seriozitetin me të cilin qeveria ka marrë rritjen reale të pensioneve shumë shpejt. Reforma në pensione do të shpallet në ditët e fundit të këtij viti. Pensioni minimal nga 100 mijë lekë të vjetra në muaj do të kalojë në 150 mijë lekë të vjetra në muaj. Kuptohet, nuk do të rritet që në janar 2025, por kjo do të ndodhë shpejt.

Ministri i ri i Financave e ka deklaruar si sfidën e tij kryesore reformën në pensione dhe ka bërë shumë mirë. Vetë kryeministri ka bërë të ditur se me rishikimin e skemës, nuk do të ketë më pensione poshtë 150 mijë lekëve të vjetra në muaj.

Reforma e vitit 2014, e tejkaluar

Reforma e vitit 2014 që nisi të zbatohej nga janari 2015, pati në themel rritjen e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vite, deri në vitin 2032, si dhe rritjen graduale të moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032.

Prurja tjetër e reformës ishte shtimi i normës së kontributit për zonat rurale, duke barazuar kontributet ndaj fermerëve(pensionin social), me ato të zonave urbane deri në vitin 2017.

Ndërkohë, kjo reformë tashmë është e tejkaluar në kohë dhe qasja duhet ndryshuar rrënjësisht.

Ndërsa vitet e punës për pension u rritën me reformën e vitit 2014, shumica e pensionistëve jo vetëm që nuk arriti të plotësojë kriteret për pension të plotë, por vit pas viti, ata që dalin në pension kanë më pak vite pune me kontribute dhe marrin pagesa më të ulta se sa pensioni mesatar.

Në vitin 2014, kishim mbi 460 mijë pensione pleqërie dhe 28 përqind e tyre ishin me pagesa të pjesshme, ndërsa në vitin 2023,  kishim 590 mijë pensione pleqërie dhe gati gjysma e këtyre pensioneve ishin të pjesshme! Si të thuash, katandisej kokoshi një thelë!

Rritja shqetësuese e pensioneve të pjesshme
 Pensionet e pjesshme 2014-2023:
- Pensione të pjesshme pleqërie v. 2014, 129.000 (28% e totalit)
- Pensione te pjesshme pleqerie v. 2023, 294.000 (49% e totalit)

Reforma e re e vitit 2025

Reforma e re do të sjellë ndryshime në llogaritjen e pensionit minimal dhe pensionit social, të cilët tani janë në nivele të njëjta.

Pensioni minimal do të rritet me 50 përqind, duke u bërë 15,000 lekë të reja në muaj dhe do të shkëputet nga pensioni social, i cili jepet në fshat për të mos lënë jashtë skemës së pensioneve asnjë qytetar të vendit.

Pensionet tejet të ulëta dhe skema e re
Pensioni social:
- Sociali 2024, 10.000 Lek/muaj
- Sociali 2025, 12.000  Lek/muaj(parashikim)
Pensioni minimal:
- Minimali 2024, 10.000  Lek/muaj
- Minimali 2025, 5.000  Lek/muaj

Do të ndryshohet me ulje edhe numri i viteve të punës për pensionin minimal dhe pensionin maksimal. Aktualisht duhen 15 vite pune me sigurime, për të përfituar pension minimal. Në vitin 2023, nevojiteshin 38 vite punë me sigurime të paguara, për të arritur pension të plotë.

Skema e sotme do të ndryshojë dhe do të ulen vitet e kontributit, për të siguruar pension të plotë.

Ulja e viteve të kontributeve
Vitet për pension të pjesshëm:
2024 - 15 vite
2025 - 12 vite(parashikim)
Vitet për pension të plotë:
2024 - 38 vite
2025 - 33 vite(parashikim)

Në vende si Shqipëria, ku një pjesë e madhe e punonjësve janë informalë, një periudhë e gjatë kontributesh i shkurajon punonjësit që të kontribuojnë, veçanërisht emigrantët, që janë jashtë tregut vendas të punës.

Mosplotësimi i kriterit të viteve të punës me sigurime ul në mënyrë të jashtëzakonshme përfitimet nga pensioni.Me ritmet aktuale, pensionistët shqiptarë nuk do të plotësojnë as gjysmën e viteve me kontribute, duke bërë që pagesat e tyre në të ardhmen të jenë shumë të ulëta, gati sa pensioni minimal!

Rritja me shpejtësi e përfituesve me pension të pjesshëm tregon se mosha e tretë rrezikon varfërinë dhe kjo qasje e reformës së vitit 2014 duhet të marrë fund sa më shpejt. Realisht, ajo do të përfundojë në dhjetor 2024.

Cilat pensione do rriten bindshëm me reformën e re?

Reforma e re do ta ndryshojë këtë qasje. Sot, është absurde që pensionistët e rinj të kenë gjithnjë e më pak vite me kontribute dhe, nga ana tjetër, vit pas viti, bashkë me moshën e daljes në pension, u rritet edhe periudha e viteve me kontribute, që ata të fitojnë pension të plotë.

Reforma e re do të ngrejë menjëherë pensionin minimal tek ne, duke e shkëputur atë nga pensioni social, i cili do të ngelet 100 mijë lekë të vjetra në muaj, ose mund te rritet deri ne 120 mijë lekë të vjetra në muaj. Por të mos harrojmë se pensionistë me pensione shumë të ulta 100-200 mijë lekë të vjetra në muaj kemi mbi 260 mijë sot! Këto pensione do të jenë të parat që do të shtohen bindshëm, duke nisur nga viti i ardhshëm 2025.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Defrim: 15/11/2024 19:00

    E vlerësoj shumë ndryshimin për daljen në pension në 15 në 12 vjet pune është shumë e rëndësishme sepse nuk kam mundësi të plotsoj më shu vite pune si i pa punë në këtë moshë .dhe ndryshimin e lekëve

    Përgjigju
  • pershow: 22/10/2024 18:21

    Cfare SHOW e turpshme me kete grupmoshe. Jam shume i lumtur qe nuk kam punuar asnje dite ne shqiperi se ika sapo nbarova universitetin e nuk kam ndonje peng pensioni e tek shoh kete shtrese te mjere (prinderit tane gjithsesi) tek marin 150-200 euro ne muaj, nje shume qe e mer per nje pune te kualifikuar ne 1 ore (po po, thanks NYC) dhe kupton cfare humnere egziston. Dhe keto brockulla qe keput ky vertet te sjellin stomakun ne goja. Reforma?! po shih hajdutet mos vjedhin se nuk ka rendesi sa e mbush buxhetin, ty ta zbrazin ata qe ke rotull e qe dalin nje here ne dy muaj si fekale korrupsioni, kesjtu qe kij guximin e mos genje kot keta qe e ndertuan publiken qe ju e shqyet epervetsuat padrejtesisht, dhe sot ju vjen keq per ta.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Përgjegjësit e këtij akti kriminal të paguajnë për veprimet e tyre

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Përgjegjësit e këtij akti kriminal të paguajnë për veprimet e tyre