Forumi i Investimeve Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor, i mbajtur në Tiranë më 13–14 tetor 2025, përbën një ngjarje të rëndësishme strategjike për gjithë rajonin dhe veçanërisht për Shqipërinë si vend mikpritës.

Në këtë takim të nivelit të lartë morën pjesë përfaqësues të Komisionit Evropian, Bankës Evropiane të Investimeve, institucioneve financiare ndërkombëtare, si dhe qindra përfaqësues të biznesit evropian dhe rajonal. Qëllimi kryesor ishte thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe nxitja e investimeve konkrete në sektorët strategjikë të ekonomive të Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria: urë lidhëse midis BE-së dhe tregjeve të rajonit tonë?

Viti 2025 është viti i tretë i shifrave rekord të investimeve të huaja tek ne, me një parashikim për 1.8 miliardë euro në nivel vjetor, pas 1.5 miliardë eurove të vitit 2024 dhe 1.35 miliardë eurove të vitit 2023.

Konferenca erdhi në një moment kyç, kur procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian po përpiqet të marrë një ritëm të ri përmes qasjes së “zgjerimit ekonomik paralel me integrimin politik”.

Nisma e BE-së për “Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor” parashikon një fond të posaçëm investimesh që synon të mbështesë projekte infrastrukturore, digjitalizimin, energjinë e gjelbër dhe zhvillimin industrial.

Investimet në rajon me paratë e BE-së
A.      Forma e ndihmës:
- Grante           2 miliardë euro
- Hua me interesa shumë të ulta                  4 miliardë euro
B.      Sektorët ku shkojnë investimet:
Energji dhe tranzicion i gjelbër                     1.8 miliardë euro
Infrastrukturë transporti dhe ndërlidhje         1.5 miliardë euro
Zhvillim i sektorit privat dhe inovacion           1 miliardë euro
Transformim digjital                                      0.8 miliardë euro
Arsim dhe punësim                               0.4 miliardë euro

Tirana, në këtë kontekst, u bë skenë e komunikimit të drejtpërdrejtë mes institucioneve evropiane dhe bizneseve rajonale, duke e pozicionuar veten si urë lidhëse midis BE-së dhe tregjeve të rajonit. Forumi i Tiranës i 13-14 tetorit të thotë diçka, pse kryeqyteti ynë fitoi mes Shkupit, Podgoricës, Sarajevës dhe Beogradit.

Shqipëria mund të shtojë të 922 milionë eurot e planifikuara për të

Forumi nuk ishte vetëm një nismë politike, por një hap konkret drejt projekteve të matshme. Në qendër të diskutimeve ishin investimet në energji të pastër, si përshpejtimi i ndërlidhjeve energjetike dhe kalimi drejt burimeve të rinovueshme. Ishin edhe rrjetet e transportit, zgjerimi i korridoreve rajonale hekurudhore dhe rrugore që lidhin Ballkanin me tregun e përbashkët evropian.

Krahas këtyre dy temave, një rol qendror pati edhe tansformimi digjital, nxitja e inovacionit, startup-eve dhe shërbimeve publike elektronike, por edhe zhvillimi i kapitalit njerëzor, investimet në arsim profesional, kërkim shkencor dhe trajnime që përshtaten me nevojat e tregut modern të punës.

Për Shqipërinë, Forumi përfaqëson një mundësi të artë për të rritur profilin e saj si destinacion i sigurt dhe atraktiv për investime. Vendi ynë mund të shtojë me lobim të fortë, pjesën e 922 milionë eurove qe deri tani i takon të marrë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për rajonin tonë.

Fondet për Shqipërinë 2025-2028 nga Plani i Rritjes i BE-së
-  Hekurrudha Tiranë-Rinas-Durrës (2026)                   91.5 mln euro
- Hekurudha Vorë-Hani i Hotit (2028)                            273 mln euro
- Hekurrudha Durrës-Rrogozhinë (2029)                      85 mln euro

Forumi i jep shtysë diplomacisë ekonomike shqiptare dhe përforcon rolin e Tiranës si qendër bashkëpunimi rajonal. Në veçanti, ai hap rrugën për financime të reja në infrastrukturë dhe energji, forcon lidhjet e vendit tonë me kompanitë evropiane që kërkojnë të zgjerojnë prodhimin në rajon, si dhe ndihmon në përshpejtimin e reformave të klimës së biznesit, për t’u përafruar me standardet e tregut të përbashkët evropian.

Forumi i Tiranës dha një sinjal të qartë edhe politik, për stabilitet dhe bashkëpunim në rajon. Këto dy ditë u duk shqeto se Bashkimi Evropian është i angazhuar të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm të Ballkanit Perëndimor, duke e konsideruar atë pjesë të pandashme të hapësirës evropiane, në një periudhë kur rajoni përballet me sfida të sigurisë, energjisë dhe emigracionit. Ky bashkëpunim i thelluar ka vlerë të madhe për ruajtjen e stabilitetit dhe përshpejtimin e proceseve integruese.