Në vitin 2006, miliarderi hungaro-kanadezo-izraelit Peter Munk erdhi në Durrës me idenë të ndërtonte atje një port jahtesh. Qeveria jonë e asaj kohe nuk ishte e interesuar. Pas katër vitesh, ne 2010, e ndërtoi portin ne vendin e quajtur Porto Montenegro në Malin e Zi, një perlë që e kanë vizituar shumë nga qytetarët tanë, dikur ish repart ushtarak i kohës së Titos. Munk investoi 1 miliardë euro dhe i shtoi mesatarisht 2-3 % prodhimit kombëtar të Malit të Zi për pesë vite rrjesht.

Në vitin 2016, fshatarët e Nivicës dëbuan eskavatorët e kompanisë elitare turistike në botë “Klubi Mesdhetar”, duke na mohuar një investim me vlerë disa qindra milionë euro.

Sot mrekullisë sonë natyrore që quhet Nartë-Zvërnec i ofrohet një gjasë zhvillimi që mund të vijë një herë në 100 vjet. Duhet ta dëbojmë?

Investimet huaja më të mëdha në turizëm/tregti në Ballkanin JugPerëndimor 2010-2032
-          Porto Montenegro (v. 2010)                                         1 miliardë euro
-          Mall-i i madh i Beogradit (v. 2020)                             1.3 miliardë euro
-          Mega-resorti i Zvërnecit (v. 2032)                              4 miliardë euro

Përfitimet nga investimi në Zvërnec

Investimi i parashikuar në zonën e Zvërnecit prej rreth 4 miliardë eurosh, ose 14 përqind e prodhimit tonë kombëtar, konsiderohet si një nga projektet më ambicioze turistike dhe infrastrukturore në historinë e Shqipërisë. Projekti mund të krijojë efekte të shumanshme në ekonomi. Ai do të ndikojë në shtimin e investimeve të huaja direkte tek ne.

Një nga përfitimet më të prekshme pritet të jetë krijimi i vendeve të reja të punës. Gjatë fazës së ndërtimit do të angazhohen mijëra punonjës në sektorë të ndryshëm, ndërsa pas përfundimit të projektit do të nevojiten punonjës për hoteleri, turizëm, transport, mirëmbajtje, siguri dhe shërbime të tjera. Kjo mund të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për komunitetin e Vlorës dhe zonave përreth, duke rritur të ardhurat familjare dhe aktivitetin ekonomik lokal.

Punësimi me projektin e Zvërnecit
-          Ndërtimi                                         7 mijë vende të reja pune
-          Operimi i mega resortit                  3 mijë e 500 vende pune të përhershme
-          Punësim indirekt                            8 mijë vende të reja pune
Totali: 18.500 vende pune

 

Punësimi indirekt përfshin:
Furnitorë ushqimorë
Transport
Shërbime turistike
Agjenci udhëtimi
Mirëmbajtje
Artizanat dhe tregti lokale

Shqipëria ka shënuar rritje të ndjeshme të numrit të turistëve gjatë viteve të fundit, por ende ka hapësira për zhvillimin e turizmit me vlerë të lartë të shtuar.

Përfitimet e pritshme në turizëm
-          Turistë shtesë në vit                                         300 mijë
-          Vizitorë të kategorisë premium  100 mijë
-          Shpenzim mesatar për turist                        400 euro/ditë
-          Qëndrim mesatar                                             5 ditë
-          Të ardhura turistike vjetore                          1 miliardë euro

Investime të kësaj natyre e pozicionojnë Shqipërinë në tregun e turizmit luksoz ndërkombëtar, duke tërhequr vizitorë me fuqi të lartë shpenzuese dhe duke rritur të ardhurat për ekonominë kombëtare.

 Përfitimet fiskale për Shtetin
-          TVSH                                                     74 mln euro/vit
-          Tatim Fitimi                                        32 mln euro/vit
-          Kontribute shoqërore                    22 mln euro/vit
-          Taksa vendore                                  11 mln euro/vit
Totali: 139 mln euro/vit

Pse ia vlen ky investim?

Përfshirja e investitorëve të njohur ndërkombëtarisht, si kompania ndërtuese UrbanCon Trading and Contracting, e 42-a kompani ndertimi në botë, e investuesit miliarder Moutaz Al Khayyat, me interesimin e Jared Kushner, ka sjellë vëmendje të madhe mediatike globale, si dhe xhelozine e Greqise fqinje. Këta janë investues që tërheqin fort investues të tjerë të huaj, si dhe ndihmojnë në përmirësimin e perceptimit të vendit si destinacion investimesh strategjike dhe në zgjerimin e lidhjeve me tregjet amerikane dhe ndërkombëtare.

Për të siguruar mbështetje të gjerë publike, është e rëndësishme që procedurat qeveritare për miratimin e projektit në Zvërnec të jenë transparente, si dhe të realizohen vlerësime të plota të ndikimit në mjedis. Po ashtu, është thelbësore që komunitetet lokale të konsultohen. Dhuna mbi protestuesit më 30 maj 2026, edhe pse u ndëshkua rreptë nga qeveria, nuk i bën mirë imazhit të projektit.   

Nëse realizohet sipas standardeve më të mira ndërkombëtare, investimi prej 4 miliardë eurosh në zonën e Zvërnecit mund të përfaqësojë një nga projektet më transformuese për ekonominë tonë. Por duhet të sigurohemi se do të kemi vërtet një strukturë turistike që do të funksionojë gjatë gjithë vitit, do të krijojë vende pune dhe do të tërheqë vizitorë të rinj. Nuk duhet më të shohim komplekse rezidenciale luksoze, ku pjesa më e madhe e njësive do të shiten si prona private dhe ndikimi turistik do të mbetet minimal.

Turizmi nuk matet me metra katrorë të ndërtuar, por me netë qëndrimi, me shpenzimet e turistëve në ekonomi, me punësimin lokal dhe me ndikimin afatgjatë në destinacion. Një hotel me qindra dhoma që operon gjatë sezonit dhe jashtë tij, krijon një efekt shumë më të madh ekonomik sesa qindra vila private që përdoren vetëm disa javë në vit nga pronarët e tyre.

Zverneci është një nga zonat më të veçanta natyrore të Shqipërisë. Laguna e Nartës, pylli bregdetar, ishulli dhe manastiri përbëjnë një pasuri që nuk mund të zëvendësohet. Pikërisht për këtë arsye, çdo zhvillim duhet të justifikohet me përfitime të qarta dhe të matshme për turizmin