Fatos Tarifa, jeta si diplomat në Washington, mbrëmjet xhaz në Ambasadë dhe takimet me familjen Bush

I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte ish-Ambasadori në Washington Fatos Tarifa, i cili këto ditë ka botuar librin e tij të fundit “Afrimi i Madh” për të cilin siç u shpreh, i  janë dashur 17 vite .

“Shkrimet i kam bërë gjatë qëndrimit tim në detyrë, në 3 kontinente. Ky libër, ka në brendi kujtime dhe foto gjatë karrierës time në dy vendet ku kam shërbyer si diplomat për shtatë vite me rradhë” tha ai.

Ish-diplomati dhe intelektuali i angazhuar foli në studio për jetën, sfidat dhe vështirësitë e një pune të stilit klasik dhe barok në diplomaci. Pritjet e rëndësishme në zyrën shqiptare në Washington si edhe festat e organizuara me zyrtarë të rëndësishëm.

”Përpara se të shërbeja në Washington, kam shërbyer në Mbretërinë e Hollandës po si Ambasador dhe kjo përvojë më mësoi shumë gjëra për diplomacinë me anë të kulturës dhe artit, duke ndërthurur eventet kulturore që ne organizonim, ku na është dhënë mundësia të bënim takime informale dhe miqësore me diplomatët, pra arti dhe kultura në diplomaci janë të rëndësishme. Gjatë qëndrimit 7 vjeçar në detyrën e Ambasadorit në Washington, puna që bëja ka qenë me pasion dhe shumë personalitete diplomacinë time e kanë quajtur të stilit barok. Kam kënaqësinë të flas për këtë eksperiencë, pasi u përpoqa të bëj një diplomaci jo vetëm klasik, por atë të stilit barok dhe kjo nuk ishte e thjeshtë. Ne kishim dalë nga katrahura e 97 -ës, kishim nevojë t’i imponoheshim botës, ndaj më duhej një diplomaci ndryshe, me një energji të madhe, që të arrija interesat dhe qëllimet. Në Hollandë psh. ishte e pamundur të mundësoje vizitën e Ministres së Jashtme në Hagë, apo vizita të tjera” -  theksoi ish Ambasadori.

Falë punës diplomatike të Fatos Tarifës është bërë një lobim Kombëtar për të zgjidhur çështje të natyrave të ndryshme, duke u treguar fleksibël dhe praktik në shumë drejtime në interes të vendit tonë. Gjatë shërbimit në Amerikë, në vitet 2001-2005, Tarifa tha se çdo vit priste në Ambasadë gati 2000 vizitorë, ndërsa numëroheshin 5-6 pritje në javë”.

“Një ambasadë do ishte e vdekur nëse nuk hap dyert për zyrtarët e lartë të atij vendi, për diasporën, nëse nuk tregon fytyrën e atij vendi. Çdo kush që jetonte në Washtington apo jashtë tij mund të vinte në Ambasadë, vinin shpesh kongresmenë amerikanë, studentë shqiptarë, vizitorë nga Tirana, politikanë shqiptarë. Organizonim plot aktivitete muzikore. Sallonet ishin të hapura, blemë një piano dhe luhej muzikë, madje ime shoqe sillte gratë e anëtarëve te kongresit apo te senatorëve dhe këto kishin shumë efekt, mbaj mend gruan e ish-drejtorit të CIA –s që bleu një pikturë shqiptare. Më të rëndësishme në Ambasadë kanë qenë vizitat e zyrtarëve  të lartë të administratës amerikane, Këshilltari i afërt  i presidentit amerikan Bush për Çështjet e Sigurisë Kombëtare, ndihmësja e Sekretarit të Shtetit, Ambasadorët Amerikanë që vinin në Tiranë, Guvernatorë shtetesh etj. Ajo që më bën më tepër krenar është sjellja në Tiranë në 2003 e dy sekretarëve të lartë Colin Powell dhe  Donald Rumsfeld”  tregoi Tarifa.

Sa i takon Shqipërisë së sotme, Fatos Tarifa tha se vendi ynë është shumë i pasur, pasi ka çdo gjë që i duhet, për të qenë një faktor i rëndësishëm, por shpesh politika nuk luan një rol pozitiv. Ish- Ambasadori u surprizua në fund të bisedës nga i biri, Jon Tarifa, me një videomesazh nga Bali, ku ai jeton momentalisht. Këngëtari i njohur tha se shoku më i ngushtë i jetës së tij ishte pikërisht babai, të cilin e falenderoi përçdo këshillë në jetën e tij. Ish-Ambasadori i Shqipërisë në Amerikë Fatos Tarifa, ka mbajtur pozicione akademike në disa Universite në Shqipëri dhe në Universitetet perëndimore, si dhe është titullar në fushën e Sociologjisë dhe të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

MC/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Edi: 08/04/2023 04:18

    Ky i paska sjelle sekretaret e shtetit ne Tirane....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit