Fatos Tarifa: Pas një lajmi se parlamentarët po tentojnë të rrisin ‘pa bërë shumë zhurmë’ rrogat e tyre

Fatos Tarifa: Pas një lajmi se parlamentarët po tentojnë të rrisin ‘pa bërë shumë zhurmë’ rrogat e tyre

Kuvendi i Shqipërisë

Nuk i duam gazetat. Shumë herë flasim keq për to dhe për shumë gazetarë. Disa e meritojnë. Por edhe nuk bëjmë dot pa ato pak gazeta që janë të mira. Sepse prej tyre shpesh herë mësojmë gjëra të dobishme dhe marrim lajme që na hapin sytë. Një lajm i tillë ishte ky që mësova dje.

Në një mbledhje të komisionit të ekonomisë në parlamentin e Shqipërisë, gjatë shqyrtimit të projektligjit të hartuar nga qeveria për ngritjen e pagave të punonjësve të administratës shtetërore (në një moment kur, “për shkak të një problemi teknik”, siç u tha, transmetimi televiziv u ndërpre), “deputetët e mazhorancës dhe ata të opozitës janë pajtuar që në ligj të parashikohet edhe rritja e rrogës për ta”.

Lajmi vazhdonte me këtë sqarim: “Socialistët dhe demokratët kanë rënë dakord në këtë pikë, por nuk kanë rënë dakord se kush prej tyre do e propozojë këtë anendim” në projektiligj, pasi “të dyja palët i druhen reagimit publik” nëse publikisht e propozojnë këtë favor për veten e tyre.

Që i druhen reagimit publik nëse do e kërkonin një privilegj të tillë ky është një lajm i mirë. Më në fund, publiku që i ka zgjedhur si përfaqësuesit e vet në atë parlament paska vërtet rëndësi dhe parlamentarët tanë druhen të miratojnë ligje që publiku mund të mos i miratonte.

Nga ana tjetër, edhe parlamentarët tanë (që janë më shumë në numër nga sa ka nevojë parlamenti i një vendi të vogël, si Shqipëria, pa folur për cilësinë e shumë prej tyre), si të gjithë qytetarët e këtij vendi, me të cilët janë njëlloj të barabartë, do të kishin nevojë dhe arsye të kërkonin të paguheshin më mirë.

Por me këto dy kushte:

Së pari, paga më të larta për anëtarët e parlamentit të kërkonin vetëm pasi të kishin miratuar me ligj rritjen e ndjeshme të pagave për të gjitha kategorive e punonjësve të vendit, një rritje domethënëse të pagës minimale dhe, sidomos, një rritje edhe më domethënëse të të gjitha pensioneve.

Parlamentarët tanë nuk duhet të harrojnë se asnjë prej qytetarëve shqiptarë, që kanë votuar që ata të zgjidhen në atë parlament, nuk do të marrin kurrë asnjë lloj pensioni suplemamentar si ai që do të kenë privilegjin të marrin ata vetë si parlamentarë, edhe nëse janë zgjedhur vetëm për një mandat, madje edhe nëse nuk e kanë merituar votën e marrë dhe nuk e kanë hapur një herë gojën të flasin në emër të votuesve të tyre në atë institucion ligjvenës.

Së dyti, edhe nëse vlerësohet si arsyeshmërisht e nevojshme që pagat e anëtarëve të parlamentit të rriten, do të ishte jodinjitoze, e padrejtë dhe moralisht e gabuar që parlamentarët aktualë të miratonin një ligj për ngritjen e pagave të tyre. Kur shërbeja si ambasador në Hollandë, Dhoma e Dytë e parlamentit të asaj mbretërie të pasur miratoi një ligj për rritjen e pagave të anëtarëve të saj.

POR, ai ligj do të hynte në fuqi pas zgjedhjeve legjislative të radhës, pra do të bëhej efektiv për anëtarët e parlamentit hollandez që do të merrnin mandatin pas zgjedhjeve, jo për ata që e miratonin atë ligj. Ky duhet të jetë standardi moral dhe politik edhe për sjelljen e parlamentarëve shqiptarë. Nëse e gjykojnë të arsyeshme–dhe nëse mundësitë financiare të vendit janë–që anëtarët e parlamentit të Shqipërisë të paguhen më mirë (me shpresë se edhe do të shërbejnë më mirë në atë funksion që janë zgjedhur nga populli), do të ishte e moralshne dhe dinjitoze për ta që ndryshimi i kërkuar të hynte në fuqi për ata deputetë që do të zgjidhen pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, jo për këta të sotmit.

A janë parlamentarët tanë të sotëm të tillë që të mendojnë për ata që do vijnë pas tyre, apo pagat më të larta i duan për veten e tyre. Kjo është çështja. Dhe kjo nuk është një çështje vetëm ose thjesht financiare. Kjo është një çështje thellësisht parimore, një çështje që ka të bëjë me moralin e politikës si profesion, pra me një politikë të moralshme ose jo të tillë./Dita

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari