Partitë politike kanë dorëzuar në KQZ raportin financiar për zgjedhjet e 11 majit, ku PS ka deklaruar se ka shpenzuar mbi 1.86 milionë euro dhe PD. 2.3 milionë euro.

Për ish-drejtuesin e Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, fatura e partive për 11 majin është më e majme. Ai theksoi se SPAK-u duhet që të fillojë urgjent hetime.

‘Fushata e partisë shtet ka pasur kosto rreth 2 milionë euro. Fushata ka filluar që një vit më parë. Është shumë e majme si faturë. Këto shifra janë tërësisht mashtrime. LaCivita njollë e zezë për PD, ai erdhi për një imazh, pa asnjë ekip. Mund të vinte edhe pa një kontratë sepse ajo kontrata ndikoi negativisht në publik. Po të kishte prokurori të pa kapur dhe të pavarur vetëm për shifrën 1.86 duhet që të niste hetim në adresë të PS, sepse është mashtrim. Nuk mund ta mendoj se PS me gjithë ato aktivitete ka shpenzuar kaq para. Kalaja deklaroi se vetëm ai ka shpenzuar 6 mijë euro. Pazaret e zgjedhjeve nuk dalin sot por pas disa vitesh. Për shkak të procedimeve të çështjeve të tjera bienë në rrjetë edhe peshqit e zgjedhjeve’, tha ai.

Ish- kandidati për deputet në 11 maj Aulon Kalaja, tha se ai vetë në fushatë ka shpenzuar 6 milionë lekë, faturë të cilën e ka deklaruar edhe në KQZ.

Ai tha se shifrat që kanë deklaruar partitë politike për shpenzime në fushatë janë të pavërteta.

‘Unë kam shpenzuar 6 milionë lekë të vjetra për fushatë dhe kam bërë deklarim në KQZ. Ndoshta është e çuditshme por këtu shpenzimi i partive është më i madh. Një njeri që merr vesh nga fushata, e kupton se pas tyre fshihen projekte të mëdha. Këto shifra janë të pavërteta për mendimin tim. Paratë që janë hedhur nga grupet kriminale, këta njerëz që kanë pushtet, si u morën këto vota nga disa kandidatë, duke u blerë. Kjo lloj voto është pilotuar duke u blerë dhe këto para nuk janë deklaruar. Financimet e partive politike janë të dyshimta totalisht. Paratë e krimit të organizuar që futen drejtëpërdrejtë në politikë më shqetësojnë mua’, tha ai.

Analisti Ermal Hasimja, tha se sipas tij, shpenzimet e partive në fushatën e 11 majit, mund të shkojnë 10 deri në 15 milionë euro.

‘Janë shpenzuar më shumë se kaq. Po deri më sot nuk është se ka pasur ndonjëherë hetime të sakta. Nuk do të çuditesha që fushata mund ti shkonte edhe 10 ose 15 milionë euro. Ka raste në Shqipëri ku për një bashki një kandidatë ka blerë bileta avioni dhe trageti për të sjellë njerëz nga Italia dhe llogariteni se sa shkojnë. Këto janë ato që janë të deklarueshme’, tha ai.

Ndërkohë, gazetari Poli Hoxha tha se kjo është fushata më e kushtueshme e zgjedhjeve që janë bërë në Shqipëri. 

‘Kjo është si të kemi një lokal dhe shteti të na marrë të mirëqenë aq sa deklarojmë vet ne dhe ska një hetim se si dolën këto. Kjo shuma është qesharake, është më e lartë, ka deputet të secilës parti që kanë këtë shumë. Nuk mund të jenë njësoj partia në pushtet por një gjë është e sigurt oligarkët dhe biznesmenët kanë hedhur lekë tek të dyja dhe grupet e organizuar dhe masa e hedhjes është për partinë që është në pushtet.

Nëse ka një frymë për një rotacion për pushtetin rriutet masa që do të hidhet tek opozita por pushteti e ka të veten. Biznesmeni i hedh ato para duke shpresuar që ti marrë mbrapsht ato paratë. Nuk kemi parë në 35 vite një hetim për paratë e partive dhe në këtë rast nuk e zë në gojë asnjë njeri. Kjo është fushata më e kushtueshme’, tha ai.