KORÇË- 4 persona janë arrestuar në kuadër të vijimit të operacionit anti-drogë ‘Restart’ në Korçë, ndërsa janë sekuestruar 72 kilogramë kanabis. Në pranga kanë rënë, vëllezërit Klaudio Sino, 35-vjeç, dhe Bardhi Sino, 38 vjeç, Blerim Karameta, 26 vjeç, banues në Miras Devoll, dhe Igli Cangëtari, 30 vjeç, banues në Çetë, Devoll.

Policia në bazë të informacioneve, se 4 të arrestuarit do të transportonin një sasi droge, ndaluan dhe kontrolluan mjetin tip "Mercedes-Benz", në afërsi të hyrjes së fshatit Miras, Devoll, me drejtues shtetasin Klaudio Sinën. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 65 pako, me peshë totale 69 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 35-vjeçarit, iu gjetën e sekuestruan edhe 3 kg të tjera lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe një sasi municioni luftarak. Nga veprimet e mëtejshme hetimore, rezultoi se bashkëpunëtorë në këtë aktivitet kriminal, janë edhe shtetasit Bardhi Sino, Blerim Karameta, dhe Igli Cangëtari.

Kjo është faza e gjashtë e operacionit policor të koduar "Restart", startuar pesë muaj më parë. Sakaq ka shkuar në 16 numri i të ndaluarve si dhe është sekuestruar 445, 5 kilogramë lëndë narkotike kanabis, në kuadër të këtij operacioni për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek, shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje.