‘Federata opozitare’, Shabani: Figura që njerëzit i kanë larguar në 2013-ën, s’mund të jem pjesë! Nesturi: Parti që nuk prodhojnë më asgjë në politikë

Federata opozitare e propozuara nga partitë e vogla është vënë në qendër të diskutimeve politike, lidhur me zhvillimet që mund të sjellë brenda opozitës tashmë të përçarë prej 2 vitesh.

I ftuar në studion e emisionit “Pa Protokoll” me gazetaren Anduela Ndreu, kryetari i Nismës Thurje Endri Shabani tha se nuk mund të pranonte të ishte pjesë e një federate ku pjesë janë edhe politikanë të cilët u rrëzuan nga pushteti në vitin 2013. Duke përmendur Mediun dhe Berishën, Shabani tha se partia që ai drejton nuk mund të jetë në një listë votimi me këta figura politike.

“Në fletë votimi me Sali Berishën nuk futemi dot. Se hajde të heqim çakallin që të fusim ujkun. Mediun e kanë larguar njerëzit nga dera në 2013-ën nuk mund ta fusim nga dritarja. Ne mund të bëjmë sikur nuk e shohim këtë por votuesit e shohin këtë gjë. Votuesi në atë pikë me të drejtë thotë nuk merrem më me politikë. Këtu nuk ka rezultat. Rama prandaj qëndron në pushtet se thotë shikoni se përballë kam Sali Berishën. Me këtë gjë nuk e rrëzon dot Ramën”- tha Shabani.

Në të njëjtën linjë mendimi ishte edhe analisti Plator Nesturi sipas të cilit Rithemelimi po përpiqet të kushtëzojë lëvizjen politike të partive më të vogla ndërsa thekson se figurat politike që kanë propozuar këtë federatë nuk mund të sjellin më asgjë në politikë.

“Kjo mënyrë me të cilën Rithemelimi kushtëzon edhe lëvizjen politike të subjekteve të tjera më të vogla nuk do çojë në gjë tjetër veçse në fatin që dihet që do ketë.  Federata nuk mund të bëhet mbi bazën e supermacisë së njërit. Në mënyrën sesi luan Berisha duket se do të krijojë një mbivendosje dhe mbi pjesën tjetër të federatës. Në parim është mirë, problemi nuk është thjesht elementi i krizës së opozitës, por krizë e klasës politike. Këta personazhe nuk prodhojnë më gjë në politikë. Janë pjesë e atyre që e kanë deformuar këtë sistem, këto janë thjesht përpjekje për të dhënë kontributet e fundit”- tha Nesturi.

Sali Shehu, kreu i Frymës së Re Demokratike, një prej partive që kanë propozuar këtë “federatë opozitare” tha se ftesa është e hapur për partitë politike dhe se programi nuk është përfunduar ende.

“Ky është propozim i hapur për të gjithë subjektet politike që duan të ketë rrotacion politik në Shqipëri. Ka një program me pika që do të diskutohen se nuk janë përfundimtare. Do i diskutojmë, dokumenti do formësohet në mënyrë shumë më konkrete”- u shpreh kreu i FRD.

Ndërsa avokati Leonard Karaj u shpreh se një lëvizje e tillë është e mirë deri në momentin që nuk tentohet që partitë të kenë një listë të përbashkët për kandidatët për deputetë.

Partitë e vogla opozitare dolën në një deklaratë për mediat në 24 nëntor ku kanë propozuar ngritjen e një federate të opozitës ku të përfshihen të gjithë faktorët opozitarë. Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu teksa propozoi platformën zyrtare, tha se ‘federata opozitare’ duhet të mandatojë një grup deputetësh që gëzojnë besimin e të gjithëve për të drejtuar aksionin e opozitës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:05
Propozimi i Mediut dhe partive të vogla, ironizon Shabani: Nuk gjeneron shpresë kur një ditë je në SPAK dhe ditën tjetër në ‘federatë opozitare’

 

Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani u shpreh se kreu i Rithemelimit Sali Berisha e kupton shumë mrië se po i heq opozitës mbështetjen e ndërkombëtarëve. Ndërsa sa i përket ‘Federatës opozitare’ ai ironizoi Mediun duke thënë se nuk mund të ngjallë shpresë kur paraqitet në SPAK për Gërdecin dhe më pas të pretendojë të formojë federatë opozitare.

“Berisha e kupton shumë mirë se po i heq opozitës mbështetjen nga ndërkombëtarët. Tani ata nuk reagojnë se në krye është Berisha. Ai e di këtë gjë por nuk do të largohet, thotë e marr me vete dhe nuk e lëshoj. Edhe në këtë rast, Mediu del e lexon deklaratën për Federatën opozitare, që këtu ka mbaruar si gjë. Nuk gjeneron shpresë kur të hënën je në SPAK e të martën në Federatë. Nuk mund ta zëvendësosh qeverinë që është në SPAK me një tjetër që është pranë në SPAK”- u shpreh Shabani në emisionin "Pa Protokoll" në Report Tv. 

 

B.V/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion