TIRANË- Ministria e Jashtme e Shqipërisë reagon ndaj kthimit mbrapsht të shqiptarëve nga pala greke në pikën kufitare të Kakavijës.

Incidenti i fundit u shënua dje kur në Kakavijë policia greke ktheu dy familje shqiptare pasi në pasaportën e tyre biometrike emërtimet e vendeve greke shkruheshin në gjuhën shqipe. Ata kërkojnë që këto emërtime të jenë në gjuhën greke, në të kundërt, pasaportat e tyre bëhen të pavlefshme.

Ministria e Jashtme informoi sot se kreu i këtij dikasteri zoti Edmond Panariti i ka telefonuar homologut të tij grek, Avramopulos që edhe për dy muajt e ardhshëm emigrantët të kalojnë me praktikën e vjetër.

"Panariti kërkoi që të ndiqet e njëjta praktikë për njohjen e dokumenteve deri në arritjen e një marrëveshje, fakt ky që është miratuar nga ana e ministrit të Jashtëm grek, Avramopulos."- informon ministria e Jashtme.

Problemet shfaqen kryesisht në pasaportat e fëmijëve shqiptarë por që kanë lindur në Greqi. Në pasaportat e tyre biometrike të nxjerra nga pala shqiptare emërtimet e qyteteve greke ku ata kanë lindur janë në shqip dhe kjo nuk pranohej nga policia greke e cila i kthente mbrapsht pasi kërkonte që emërtimet të ishin në gjuhën greke.
(s.f/sg/shqiptarja.com)